Ja si e ktheu në “Cosa Nostra” Tahirin sot Basha! Nga Armir SHKURTI

Shih pak këtë foto: Në Kuvend të Shqipërisë “proteston” “opozita”! Në thonjëza “proteston”, në thonjëza “opozita”, sepse që të dyja janë gjoja.

 

Nëse në rreshtat e para të deputetëve të PD – së shkruhet “QEVERI E KRIMIT”, por deputeti vazhdon e qëndron në sallën e atij parlamenti ku legjitimohet krimi i kësaj qeverie, do të thotë se, nëse nuk është bashkautore, të paktën është bashkëfajtore. Juridikisht, qeveria del nga kuvendi, votëbesohet aty, funksionon me ligjet e miratuara aty….. Nëse kjo qeveri është “E KRIMIT”, zgjidhja e vetme është rrëzimi i menjëhershëm, me çdo mjet , i saj. “Mëma” e qeverisë, pra Kuvendi, o është pjesë, ose duhet “t’i bëjë harram qumshtin”

Por tabela elektronike, e paraqitur edhe në foton kryesore të këtij shkrimi, na tregon se PD ka votuar në rresht. Të gjithë kanë qenë në sallë…apo dolën? Po po..”dolën”! Mjeshtri Basha e krijoi imazhin e gjoja bojkotit. Por kjo ndodhi vetëm kur foli Rama. Ndërsa në votim morën pjesë, duke vazhduar të mbajnë të legjitimuar QEVERINË E KRIMIT, siç e quajnë jashtë e brenda kuvendit.

Më e natyrshmja e më e pakta që mund të ndodhte sot do të kishte pas qenë dalja nga Kuvendi pas leximit të raporteve, duke deklaruar se , me përfaqësuesin politik të Mafias në krye të qeverisë, pra me Edi Ramën kryeministër, në atë sallë Partia Demokratike nuk do të shkelte. Ky nuk është as propozimi im, as gjetja ime. E ka bërë 8 muaj më parë po ky Lulzim dhe po kjo PD, kur braktisi Parlamentin e ngrefi çadrën në rrugë, absolutisht me të njejtën kauzë: Edi Rama është përfaqësuesi i Mafias së drogës. Sot këtë hipotezë e ka bërë tezë drejtësia e një vendi fqinj, anëtar i Bashkimit Europian, siç është Italia.

Por dënimi i historisë është fatal. Është ligj absolut që kur përsëritet, detyrimisht është komedi. Sot ishin pankartat, slloganet, po ata aktorë, po ai skenarist e regjisor, po ajo pjesë….por duke bërë atë dalje hilanjose, jo në votim por gjatë fjalës së kryeministrit, e bën më shumë se qesharake farsën. Pra legjitim i gjithë proçesi. Kërkesa e prokurorisë ra me votim “të lirë e të ndershëm”, ku morën pjesë të gjithë, ku pushteti shprehu votën e tij dhe opozita votoi “lirisht” siç mendoi. Me kaq, Pilati i lau duart dhe gjërat janë formalisht në rregull…

Pra nga “Cosa loro” (gjëja e tyre, e rilindjes), opozita e ktheu në Cosa Nostra , çështje e të gjithëve, duke na përfshirë të gjithëve, politikisht, në këtë aferë të ndyrë lidhjesh mes mafias, politikës dhe drogës.

Shqipëria nuk ka sot problemin e një ministri të dyshuar si të lidhur me mafian e drogës, por ka krizën e një kryeministri garant politik të kësaj marrëdhënieje. Pra forcat serioze opozitare nuk mundet më të qëndrojnë në atë parlament që mban në këmbë atë qeveri, por , sikur ta kishin patur sadopak seriozisht kishin braktisur votimin dhe Kuvendin, deri në ikjen e kësaj qeverie. Çdo hile tjetër është mbajtje në këmbë e këtij establishmenti.

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*