A do ta artikulojë “TA NDAJMË POLITIKËN NGA MAFIA” Basha në protestë? Nga Armir SHKURTI

Politika vs Mafia! Kjo është beteja. Basha e ka thënë në forma dhe mënyra të ndryshme eufemike që pas humbjes në zgjedhjet e Dibrës. Por sot është dita për t’u artikuluar troç: PROTESTË DHE BETEJË PËR TË ZDHUKUR MAFIAN NGA POLITIKA.

Pas zgjedhjeve në Dibër kryetari i PD – së deklaroi se rezultati u ble me paratë e hashashit. Edhe nëse nuk jeton në Shqipëri, kjo deklaratë nënkupton se ka një rrjet të organizuar që mbjell, korr dhe përpunon drogën, që e transporton dhe shet atë, që e mbron dhe që është e lidhur me politikën. Por kaq nuk mjafton. Vetëm me nënkuptim. As me puzzle. Domethënë, një copë këtu, një copë atje. Jo po nuk kemi besim tek numërimi i votave sot, jo po Rama është i korruptuar nesër, jo po krimi dhe bandat pasnesër. Ka ardhur dita që të gjitha të artikulohen si një koncept i vetëm: MAFIA NË POLITIKË.

Sali Berisha në fushatën e vitit 2015 premtoi të zhdukë bandat. Duket se ai premtim qe ajo çka prisnin shqiptarët. Dhe ia doli. Ia doli edhe të marrë votat edhe t’u hedhë prangat disa prej emrave më në zë të botës së krimit. Në një formë tjetër, por ka ardhur koha për një premtim të ngjashëm nga Lulzim Basha. Natyrisht, jo për ta zhdukur as Mafian dhe as krimin e organizuar nga Shqipëria, se kjo tashmë nuk arrihet. Por të paktën për ta ndarë nga politika.

Në  fund të fundit sistemin pikërisht “të fortët” e kanë pervertuar. Që nga blerja e kërcënimet, deri tek kandidimi e zgjedhja deputet. Po qe se kauza e 18 shkurtit është kjo , edhe po qe se nuk mbushen sheshet të shtunën tjetër, pak rëndësi ka. Artikulimi i thatë dhe pa shumë lajle – lule i kësaj shënjestre politike ka fuqi të jashtëzakonshme si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Shumë më tepër sesa qarjet “varfërim”, “papunësi”, “korrupsion” etj, të cilat thjesht janë vetëm pasoja të një shteti të kapur nga krimi i organizuar

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*