A e sponsorizon Ambasada Amerikane në Tiranë, deklaratën e Edi Ramës, për zgjedhje parlamentare pa OPOZITËN? Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Edi Rama, ka disa ditë që në çdo dalej publike deklaron me arrogancën pushtetore, se ai, do të bëjë zgjedhje parlamentare edhe pa opozitën.
Së pari, nuk është kryeministri ai që organizon zgjedhje parlamentare, e ca më pak, të jetë kryeministri ai, që mund të përcaktojë me kë dhe si do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare.
A është kompetencë kushtetuese e Kryeministrit Edi Rama, që të organizojë zgjedhje parlamentare?
A është detyrë kushtetuese e kryeministrit Edi Rama, që të vendosë zgjedhje parlamentare, edhe pa opozitën?
A mund të ekzekutojë Edi ​Rama, si kryeministër, edhe kompetenca kushtetuese, sikurse organizimi i zgjedhjeve parlamentare pa Opozitën, që nuk janë në kompetencën e tij kushtetuese?
Nuk ka ndodhur kurrë, që në asnjë vend jokomunist, jo diktatorial, të zhvillohen zgjedhje parlamentare pa Opozitën politike.
Ju kujtohet, viti 1991, kur në mars të 1991-it Ramis Alia, Presidenti i Shqipërisë organizoi të ashtuquajturat “zgjedhje pluraliste” të para postkomuniste, me subjekte zgjedhore veglat e sistemit Komunist, sikurse organizatat e Frontit, të Gruas, të Rinisë, të Bashkimeve Profesionale, që së bashku me PPSH-në u futën në zgjedhje parlamentare, por, nëjkohësisht, Ramis Alia përjashtoi Partinë Demokratike, si parti e para politike, që të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare.
Shumë shpejt, Presidenti Alia u detyrua që të shpallte zgjedhje të reja të parakohshme, tashmë me pjesëmarrjen e partive të tjera politike.
Por, këtë mjegullnajë kushtetuese në Politikën aktuale të Shqipërisë e dendëson edhe deklarata e Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila thotë, se Administrata e SHBA nuk e mbështet Protestën e Opozitës. Domethënë, politikisht, deshifrimi i kësaj deklarate të Ambasadës Amerikane në Tiranë, pikërisht, kur kryeministri Rama ka nxjerrë thikat e Pushtetit të tij kundër Opozitës, përkthehet, që (SHBA, sipas deklatatës së Ambasadës Amerikane në Tiranë) do të njohë edhe rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, edhe pa pjesëmarrjen e Opozitës.
Kjo deklaratë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, sipas së cilës, “SHBA nuk mbështet Protestën e Opozitës” sponsorizoi politikisht edhe Kryeministrin Edi Rama, që të shtojë dozat e arrogancës politike, duke argumentuar tashmë, që zgjedhjet parlamentare pa Opozitën kanë edhe mbështetjen politike të SHBA-së.
Madje, tashmë kryeministri Edi Rama, me tundimin e të GjithëFuqishmit të Pushtetit, duke iu referuar edhe deklaratës së Ambasadës Amerikane në Tiranë, deklaron se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen edhe pa Opozitën, derisa tani ka edhe mbështetjen politike të SHBA-së.
Historia e popujve, na mëson se kaq i mjafton një diktatori që pushtetin e vet ta shndërrojë në një diktaturë për kundërshtarët e vet politikë dhe paskëtaj, edhe një diktaturë edhe kundër popullit të vet.
Jo larg, por në Greqinë fqinje, në 1967, ambasada amerikane në Athinë në prapaskenën politike mbështeti gjeneralin Papadholullos në Grushtin e Shtetit, i cili rrëzoi qeverinë demokratike dhe parlamentin e votuar nga populli dhe për 7 vjet ndërtoi shtetin diktaturë, nga më të egrat në Historinë e re të Greqisë. Madje, tashmë në çdo përvjetor të festimit 17 Nëntorit, populli grek manifeston edhe kundër Ambasadës Amerikane në Athinë, si protestë popullore, kundër ndihmës që Ambasada Amerikane në Athinë u dha suhtarakëve puçistë të rrëzonin qeverinë demokratike dhe instaluan Diktaturën Ushtarake.
Nëse, Ambasada Amerikane në Tiranë, në mars 2017 deklaron që SHBA është kundër Protestës së Opozitës, mos vallë Ambasada Amerikane do të thotë që:
1.SHBA (sipas deklaratës së Ambasadës Amerikane në Tiranë) është kundër kërkesës së Opozitës për zgjedhje të lira?
2.Mos vallë SHBA(sipas deklaratës së Ambasadës Amerikane në Tiranë) mund të pranojë çdo rezultat zgjedhor në 18 qershor 2017, I cili mund të blihet edhe me miliardat euro të Botës së Krimit, sikurse akuzon Opozita?
3. Mos vallë SHBA(sipas deklaratës së Ambasadës Amerikane në Tiranë) pranon rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit 2017 edhe pa Opozitën në Zgjedhje?
4.A mund të njohë SHBA (sipas deklaratës së Ambasadës Amerikane në Tiranë) një qeveri të zgjedhjeve parlamentare pa pjesëmarrjen e Opozitës?
A I duhen Shqipërisë zgjedhje Parlamentare pa Opozitën?
A do të forcohet Demokracia në Shqipëri, me zgjedhje parlamentare pa Opozitën?
A do të integrohet Shqipëria në Familjen Demokratike Europiane, me zgjedhje parlamentare pa Opozitën?
A ka ndonjë demokratdashës amerikan dhe europian, që këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjet pozitivisht?
Mund të ketë interesa të caktuara politike edhe në Administratën Amerikane, mund të ketë segmente të caktuara të Politikës në SHBA, që mund t’u interesojë që në Shqipëri zgjedhjet parlamentare të zhvillohen edhe pa Opozitë, sepse kryeministri Edi Rama është përfaqësuesi i tyre i interesave politiko-ekonomike në Shqipëri.
Po, a do të dominojnë këto interesa politike të ngushta, qoftë edhe të qarqeve të caktuara njerëzisht dhe segmenteve politike në SHBA, mbi interesat e Demokracisë në Shqipëri?
Derisa, nga Administrata e SHBA nuk ka asnjë deklaratë zyrtare, që të njehësohet dhe të jetë në dakortësi me deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, ne shqiptarët amerikandashës shpresojmë që Ambasada Amerikane në Tiranë të pranojë gabimin e deklaratës së saj, ose të paktën, të shqipërojë më shqip përmbajtjen politike!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. Duhet te kete nje zgjidheje ligjore ne keto raste dhe nuk duhet te lihet ne deshiren e tekave te politikaneve te cmendur per pushtet. Po te jet keshtu asnjehere nuk do te behen zgjedheje ne se nuk deshiron nje parti politike sa here ajo e shikon qe nuk e merr dote pushtetin me vota per shkake se mbetet pakice. Per deri sa ka pranuar te perfaqesoje nje shtrese cdo parti eshte e detyruar qe te shkoje ne zgjedheje dhe te ndjek zhvillimet e tyre deri ne fund .Ne rastin konkret mospjese marreja ne zgjedheje eshte perpjekje per ta perdorur si mburoje per fajet e bera deri tani qe do te thote se eshte nje abuzim i paster me ligjet ashtu si kane vepruar per gjithe keto vite qe ligjet i kane shtremberuar dhe perdorur vetem per interesat e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*