A flet Edi me Mimin? Nga Dritan SHANO

Propozimi ekonomik i Edi Ramës për 4 vitet e ardhshme, që sërish kulmon me hapjen e 220.000 vendeve pune të tjera, të reja, është, sipas meje, një propozim të cilit i mungon krejtësisht graviteti, qoftë ky fizik apo edhe mendor. Mjafton t’i hedhësh një sy, rënies së vazhdueshme, që prej vitit 2013 e deri më sot, të kredisë për ekonominë, shoqëruar me braktisjen masive të vendit nga rreth 300.000 shqiptarë gjatë së njëjtës periudhë, për të kuptuar se qoftë krahut të ofertës, qoftë atij të kërkesës u mungon pesha e mjaftueshme e rëndesës që nga dëshira pluskuese të propagandës qeveritare të arrijnë të shndërrohen në një bazament ku të mund të mbështetet zhvillimi i pretenduar nga Edi Rama. Ndërsa rritjen ekonomike edhe për dy vitet e ardhshme do e tërheqin investimet e lokalizuara të TAP-it dhe Devollit, është e qartë që mungesa e besimit tek qeveria, e ka ndalur ekonominë shqiptare. Vetëm rritja e mëtejshme borxhit publik në nivele mbi 80% e PBB-së nga 72% që është sot, do mundësonte “prosperitetin” që i premtohet shqiptarëve të mbetur në Shqipëri me propozimin ekonomik të Edi Ramës për vitet 2017 – 2021. Edhe pse qeveria pretendon se do e ulë ne 60% të PBB-së, unë besoj se po shkojmë drejt këtyre niveleve të borxhit publik, sidomos po të mbajmë parasysh planin e Edi Ramës për 1 miliardë Euro prokurime të drejtpërdrejta, listat e përfituesve për të cilat janë të gatshme prej disa muajsh. Në rast të kundërt, që arithmetika magjike e zhvillimit ekonomik dhe punësimit të Rilindjes së Edi Ramës të fillonte të bëhej sadopak e kuptueshme për njerëzit normal, fillimisht ndoshta do na duhej të njiheshim me faktin se e vetmja ekonomiste me arsim ekonomik në qeverinë e sotme është Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Por, edhe pse programi i zhvillimit dhe hapjes së 220.000 vendeve te reja të punës u shpalos dje në Durrës mbetet enigmë çështja, a flet Edi paraprakisht me Mimin për punë ekonomie?

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*