A jemi me “Frontin” apo jemi me “Ballin”? Nga Arben SKËNDERI

Front i Bashkuar opozitar Kundër Krimit e ka që në emër problemin. Emër që në fakt është në koherencë të plotë edhe me përmbajtjen. Shihe pak me vëmendje foton: Monika Kryemadhi e LSI, parti më e majtë madje edhe më e majtë se vetë PS na ka dalë. Më djathtas fotos shquhet Koço Kokëdhima, “ideologu” i Edi Ramës. Kështu mburrej kur erdhi rilindja në pushtet. Natyrisht që termi “Front” atyre dhe ca të tjerëve në foto u shkon kallëp, si këpuca e Hirushes, se nga Fronti Demokratik kanë dalë dhe atë model kanë.

Ndërsa shqipja ka një tjetër term për “frontin”. Në gjuhën tonë ai përkthehet “ballë”. Edhe në politikë në fakt është përdorur “Balli”. Mirëpo komunizmi e luftoi aq ashpër saqë edhe ata që e kanë pëfaqësuar dhe bijtë e tyre, shpesh e kanë mohuar përkatësinë “ballist” dhe krenarinë e të qenit me Ballin Kombëtar.

Mbase në pamje të parë mund të duket si një lojë gjuhësore kjo puna “Fronti” dhe “Balli”. Por le të mendojmë një çast se Lulzim Basha do të shpallte një “Ball Kombëtar ndaj të keqes”. Në vend të aleatë-tradhëtarëve tradicionalë të majtë të mblidhte ballistët tradicionalë dhe pasardhësit e tyre, legalistët dhe bijtë e tyre, ish të përndjekurit, ish të burgosurit politikë, ish të internuarit, bijtë e të pushkatuarve dhe ekzekutuarve pa gjyqe. Pastaj të shpronësarit nga ’45 – a në ’90-ën. Të shpronësuarit nga 7501 e deri tek buza e Lanës në Tiranë. Nëse edhe Koçoja do pranonte të bëhej me Ballin , po ashtu edhe Monika (që kanë dhënë prova se për të mirën e vendit janë gati të bëjnë çdo sakrificë! Madje edhe të bashkëqeverisin me kundërshtarin) atëhere mirë se të vijnë!!

Partia Demokratike ka hyrë në histori pikërisht se u shfaq si  Balli i Antikomunizmit në vitin 1990. Rreth nesh atëhere u mblodhën të gjithë ata që kërkonin shembjen e sistemit. Duke qenë në të njejtën situatë sot, në 2017, për simetri kërkohet një gjë e thjeshtë: IDEOLOGJIA!

Sot po tentohet që partitë shqiptare të kthehen në klube debati pa ide a ideologji. Kjo është tendenca që në fakt po e vret politikën, në kuptimin klasik të saj, duke na çuar tek “përtej të majtës dhe të djathtës” të Edi Ramës. Për hir të së vërtetës ne si PD nuk shkuam dot kurrë tek e djathta. Ndoshta edhe për hir të shumë rrethanave specifike të Shqipërisë, tranzicionit dhe gjeopolitikës. Por sot jemi në kohë.

Fiks një vit më parë Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me slloganin: “Make America Great Again”. Për ne sllogani “Ta bëjmë Shqipërinë” del e tepron. Se edhe kjo që kemi po na ikën. Me ideologji dhe bazë sociale të djathtë, PD ka shanset të udhëheqë politikën shqiptare pa patur nevojë për Frontin Demokratik dhe një pjesë të atyre që para katër vitesh e ca iu bashkuan atij që u quajt “qelbësira kudo që jeni bashkohuni të rrëzojmë Saliun”. Sfida sot nuk është të mbledhim sërish çdo qelbësirë, pa dallim feje , rrace e partie për të rrëzuar një Ed për të sjellë një “qeveri kundër krimit”. Sot është të ndahemi nga kjo klasë politike dhe qelbi që ajo prodhon vetvetiu, si në pushtet ashtu edhe në opozitë. Dhe pa një ideologji, kjo nuk ka asnjë mundësi të ngjasë.

*Arben Skënderi – Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*