A po duan ta vrasin Bashën apo është intrigë e gjitha?

Do vriskan Bashën mo? Ndonjë çudi nuk është, aq më tepër kur thuhet se kjo bëhet për të destabilizuar vendin. Por është shumë çudi se si dhe nga doli ky haber. Nga dreka e sotme e poshtë, nisën portalet me tituj: Alarmante, shokuese, e paparë etj, “zbulohet plani për vrasjen e Bashës”

Për çudi të madhe, është Blendi Fevziu, gazetari më dembel dhe më i patrazuar në këto lajme që na zbërthen skemën. Hajde de të qe ndonjë Artan Hoxha, që e ka për zanat këtë punë. Po Fevzo, pjesë e propagandës së oligarkisë?

Kujt i ka vajtur mendja për këtë intrigë, nuk e ka menduar keq emrin e Fevziut. Në masë bën përshtypje. Por rrugën se si është marrë vesh kjo punë e ka dhjerë nga kryet tek këmbët. Shih sa trashë është qepur:

Fevzo e nis konstatimin se “një media e rëndësishme” paskësh bërë pyetjen se kush e kërcënon Bashën, kur ka parë shërbime të përforcuara sigurie. Pastaj na del se “një burim i besueshëm jashtë vendit”, pa thënë as vendin as emrin e shërbimeve të huaja të sigurisë, na paskësh informuar se kundër kreut të opozitës po organizohet një atentat!

Për këtë ngjarje që mund të fusë Shqipërinë në luftë, Fevzo është “interesuar në rrugë konfidenciale” këtu në Shqipëri dhe “konfidencialët” i kanë dhënë edhe emrat edhe hollësitë e vrasësve me pagesë që pretendohet se janë paguar për kokën e Bashës.

Po sipas gazetarit, informacionin e ka Presidenti, SHISH, Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri. Mirëpo këta hiç nuk flasin. Flet vetëm një gazetar të cilit i vijnë informacione ngamos; nga shërbime sekreta të huaja e të brendëshme…

Çfarë po luhet?

Natyrisht që kjo skemë e shpërndarjes së këtij lajmi nuk është kurrkund e pastër. Nëse po përgatitet një atentat kundër një politikani, kushdoqoftë dhe institucionet heshtin, kjo është e rëndë. Nëse dikush ka prodhuar një mit gjigand për skenare trazirash përmes vrasjesh politikanës, për ta shpërndarë nëpër publikun shqiptar përmes një gazetari, kjo është edhe më e rëndë.

Nëse brenda ditës së sotme nuk ka një sqarim zyrtar, qoftë nga kryeministri, qoftë nga presidenti apo ministri i brendshëm, ideja e një instrige politike forcohet më shumë se kurrë.

Po kujt i shërben?

Përballë një “ngjarjeje madhore” si atentati kundër kryetarit të partisë më të madhe të opozitës të gjithë “do të lëshonin pe”, për hir të ruatjes së stabilitetit. Domethënë, edhe nëse Rama do të tërhiqej nga kokëfortësia e tij, edhe nëse Meta do të lëshonte a kërkonte diçka të re, edhe nëse Basha shkulet nga çadra për dialog….”për të mirë të vendit” është, për të mos e çuar në trazira…..

Enigma mbetet se pse këto shërbime të huaja lajmërojnë Fevziun, i japin emër e mbiemër të killerave e gjithë kupola e shtetit nuk bëzan, por konfidencialisht i konfirmon Fevzos se “ku ka zë s’është pa gjë” dhe se “strukturat po punojnë”

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. Me keto skema eshte bere mjeshter Saliu .Ai kur e shikon se nek ka rruge daleje tjeter do te beje brockulla te tilla ashtu sic ka bere me Azemin kur edhe kur e kishin ne krah per ta cuar ne banesen e fundit nuk iu prite dhe e leshuan dhe pushtuan zyrat e shtetit nga te cilat dolen vetem me paralajmerimet e amerikaneve se do te kishte pasoja pasi ky veprim ishte nje grusht shteti i paster.

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*