A po e cliron ‎Bylykbashi nga pengmarrja PD-në e Durrësit?

Burime nga brenda PD-së së D‎urrësit hedhin dritë për zhvillimet më të fundit brenda saj. Ditën e djeshme është zhvilluar nje mbledhje në selinë blu të qytetit bregdetar ku kryetari i komanduar i saj, deputeti Oerd Bylykbashi ka paraqitur strukturën që do të drejtojë zgjedhjet parlamentare në degën e Durrësit.

Duket se Bylykbashi, po përdor modelin e tij të qetë por insistues që përdori tek ligji i dekriminalizimit kur gjunjëzoi Taulant Ballën e PS-së dhe tashmë disa deputetë kriminelë janë përjashtuar nga parlamenti.‎ Ajo që dukej një mungesë veprimi që pas komandimit të tij, paska fshehur një thurje të kujdesshme të një strukture që do i qëndrojë përballë piramidës së Vangjush Dakos që e ka majën në kolltukun e tij në bashki dhe themelet e mbështetjes ne afaret korruptive të betonizimit, arrogancës dhe bandat kriminale që tashmë e kontrollojnë kryebashkiakun si një marionetë.

Kjo duket të ketë qenë një mbledhje me rëndësi në selinë e bluve të Durrësit sepse struktura që mban vulën e Bylykbashit duket se i shkund fort ‎strukturat apatike drejtuese të PD-së. Kjo duket edhe nga reagimi i disa prej kryetarëv të grupseksioneve të cilëve u rëndon mbi supe një pjesë e përgjgësisë për humbjen e vitit 2015.

Nga informacionet që kanë rrjedhur nga kjo mbledhje, ‎struktura e re e propozuar nga Bylykbashi u mbështetka në udhëzimet e fundit të kryetarit të saj Basha dhe synon zgjerimin dhe hapjen e saj tek intelektualët e djathtë dhe njerëz me reputacion e kontribut të djathtë në qytet por që drejtuesit e shkuar të PD-së së Durrësit i kishin lënë mënjanë. Madje, spikasnin të rinj me shkollim në perëndim.

Burimet e Qytetarit Dixhital informojnë se përpara mbledhjes, Bylykbashi ka bërë një takim vetëm me kryetarët e grupseksioneve. ‎Mësohet se nuk kanë munguar tonet e larta dhe kundërshtimi i disa prej tyre për strukturën e re dhe janë larguar para fillimit të mbledhjes. Mbetet për t’u parë nëse ky reagim është një regim nervoz i këtyre kryetarëve grupseksionesh që ndjejnë se po u humbet “pushteti” apo është një veprim i organizuar nga ata që perceptojnë se humbasin kontrollin e degës.

‎Megjithatë, ky kundërshtim nuk e ka stepur kreun e degës dhe ka gjetur mbështetjen e një pjese të madhe të kryetarëve të grupseksioneve. Pjesmarrës në mbledhjen me koordinatorët e rinj tregojnë se vendimi i Bylykbashit mori edhe mbështetjen e deputetit tjetër të Pd, Igli Carës. Ky fakt, pavarësish sa i sinqertë është, duket që e zbeh shumë “protestën” e kryetarëve të vegjël. ‎

‎Një fakt tjetër që bie në sy nga të dhënat e siguruara nga Qytetari Dixhital, është shmangia nga kjo strukturë e disa prej ishdrejtorëve të përfolur ‎për korrupsion. Vendin e tyre duket ta kenë zënë figura me reputacion në PD. Po kështu Bylykbashi duket të ketë bërë një balancë të kujdesshme midis kampeve brenda degës që në vitet e fundit janë përplasur keq dhe me pasoja edhe në zgjedhje. Nëse kjo konfirmohet, është një hap i rëndësishëm dhe i guximshëm i Bylykbashit për të ndryshuar gjërat.‎

Zgjedhjet e 18 qershorit nuk janë larg dhe mbetet për të parë cilat do të jenë lëvizjet e reja të deputetit që po drejton degën e Durrësit dhe surprizat që rezervon ai.‎

 

*marrë nga portali qytetaridixhital.al

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*