Ajtanga Lubonja hap dyert e mortit të saj. Nga Armir SHKURTI

“Armir – më tha në fund të telefonatës sot – do më vini në varrim!

– Patjetër Tanka – ia ktheva me humor – se je më e madhe se ne, por kjo do të ndodhë shumë vonë”

E mora kot, për mall sot, por Ajtanga Lubonja mu shkreh në vaj. Seç më tha nja njëqind e ca mijë lekë drita që ka për të paguar, por nuk e fiksova mirë, se nja 130 mijë sapo i kisha paguar në atë çast dhe po pres me heroizëm faturën e janarit, ku për dy javë nuk u fikën ngrohëset, meqë na i lanë fëmijët në shtëpi.

Por ajo nuk i paguan dot. Jeton e vetme, me 15 mijë lekë pension. Më foli në telefon për vetvrasjen e 31 vjeçarit që s’paguante dot 8 mijë lekëshin  e dritave duke më lënë të kuptohet se as asaj nuk i mbetet rrugë tjetër…..

“- Jam e vetme! S’më ndihmon askush”…askush…..askush…..sh…sh…, vazhdonte pambarim në mendje. E kanë persekutuar dhe vazhdojnë ta persekutojnë. I takon dëshmpërblim për vitet e vuajtjes por “s’i ka ardhur rradha”. Diabeti ëmbël ëmbël e gërryen përditë. Është sëmundja e të pasurve – thujen dikur – do ushqim të zgjedhur, jetë të qetë, regjim… Me 150 mijë lekë të vjetra, në një dhomë konvikti, duhet të paguajë dritat, bukën, ilaçet, cigaret e vetme, pa e ndihmuar askush….ashkush….sh…sh…

Po kjo Ajtanga na ka ndihmuar të gjithëve. Në diell e në shi, natën – ditën, sa herë kemi patur nevojë për të, na ka ardhur. “Më dhembin këmbët nga sëmundja” – ankohej kur çapitej me bastun, por gjithnjë gjendje ku kishim nevojë ne. Sot ajo ka nevojë por s’i gjendet…..sh…sh………..

Nuk guxova t’ia them në telefon, por me shkrim e kam më të thjeshtë dhe besoj se nuk do të më keqkuptojë:

HAP DYERT E MORTIT TANKA! TY TË KANË VRARË SE TË KANË VRARË, PRIT NGUSHËLLIME!

Kur të mbyllësh sytë me të vërtetë, të gjithë ne do të vishemi bukur e do shtyjmë me bërryla që të jemi në rradhë të parë. Të na shohim të gjithë sa të deshëm. Pastaj do të mbajmë fjalime ku do të të ngremë shumë më lartë se ç’e meriton. Heroinë do të të bëjmë, simbol e flamur.

Pastaj do të shkojmë për qokë tek ai që do t’i dalë zot mortit tënd. Do pimë kafe, do tregojmë të vërteta e trillime, do pimë kafenë e … DO HEDHIM TË PAKTËN NGA 10 MIJË LEKË TË VJETRA..

Hape pra derën sot derën e mortit tënd Tanka! Shpalle që s’jeton më dhe se ngushëllimet priten në akësh vend. Na jep nga një kafe, neve që do të vijmë me lot në sy e pastaj do shtangim të tmerruar kur të të shohim gjallë. Nga jep nga një kafe në filxhanin me pjatë ku ne të lemë 10 mijë lekshin. Tall b*thën deri për të 7-a me ne që të duam kur na duhesh, mblidh sa duhen për drita e kusurin bëj qejf ca ditë, Tanka, se kjo dynja kështu u qep e kështu do griset….

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. Wow, sa keq, sa turp, keshtu eshte katandisur vendi yne! Jam larguar shpejte, nuk kam patur información per shume proçese në at dhe, Po kurre nuk do ta Besoja qe ata qe u persekutuan dikur te mis perkrahen, te pakten per nevojat bazike, Ndreko he qe duhet t’u jepet dhe kompesimi i padrejtesise qe u eshte bere! O vend I’m I dashur, qe kam aq shume mall, Po qe nuk e fsheh sa me fat kam qene qe me dha Zoti apo mendja te iki e te mos kthehem me por litem per dite te behet me e mira per njerzit e mi te dashur!

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*