Akti final i Bashës për kapjen e Partisë Demokratike.

Ti klikon tek adresa zyrtare e Partisë Demokratike www.pd.al dhe automatikisht përfundon në një adresë tjetër www.demokratet.al. Mirë…muk bëhet qameti se ndërron adresën Partia Demokratike. Por problemi është se në këtë faqe mungon:

– Statuti i Partisë Demokratike

– Programi i Partisë Demokratike

– Programi ELEKTORAL i Partisë Demokratike

– Republika e Re

– Strukturat dhe drejtuesit e PD-së , forumet, organizatat partnere

– Historiku

etj etj.

Kjo faqe e çuditshme  e PD -së, pa informacion e pa identitet i bashkohet serisë së akteve të tjera të çmontimit të identitetit të partisë më të madhe të opozitës. Në fushatë po mungojë flamujt, ngjyrat, veshjet, logot dhe simbolet e tjera të demokratëve. Po pèshpëritet fuqishëm “largimi i të vjetërve”, “pastrimi i partisë”, “republika e re” si rilindja që eklipsoi PS-në.

Të zënë në kurthin e fushatës edhe “rebelët” Imami e Topalli mbyllën gojën e të tjerët e grupit shpallën mbështetje, duke ndjerë se humbjen do t’ua faturojnë atyre. Të tjerët presin. Të tjerë akoma qepin gojën në pritje të në oportuniteti për pèrfitim . Fanatikët të nxjerrin sytë për bukurinë e veshjes së mbretit lakuriq….

Pse po futet kështu në zgjedhje Basha?

Pak ditë më parë Arben Imami e quajti biznes të familjes këtë PD të Bashës. Në fakt ky i fundit po përdor teknologjinë e Ramës për të marrë kontrollin e plotë mbi PD-në. Por me më pak klas e fantazi e mbi të gjitha, me shkelje flagrante statuti dhe etike….

…për të mos folur për moralin!

Pi Ari i Bashës, propaganda që bëhet vesh më vesh, ka përhapur helmin se “të vjetrit”,”të korruptuarit”, “hajdutët” nuk e lenë Bashën e mirë të ecë përpara dhe t’i sjellë në pushtet demokratët. Kështu justifikohet çdo veprim, përfshi edhe listën e kandidatëve, shuarjen e simboleve dhe një fushatë fasadë pa asnjë program minimal, veç slloganit “Republikë e re”

Përballë tij performon një makineri gjigande dhe e strukturuar propagande. Nëpër takimet e socialistëve në sfond shfaqen led wall me efekte vizibe e me ngjyrat vjollcë të rilindjes së Ramës. Në çdo takim të tyre shpaloset programi elektoral dhe platforma qeverisëse për 4 vitet e tjera. Shifra, afate, projekte konkrete….

Pse pra Basha na qenkësh kaq dobët?

Në fakt nuk u shfaq i tillë në hartimin e listave për deputetë, në “pastrimin” e partisë, në përzgjedhjen e rrethit të ngushtë, në ngritjen e kultit të individit. Ky njeri ka dhënë prova se kur i duhet, është sa i mprehtë aq i saktë. Atëhere edhe një herë: pse po fshin Basha identitetin e PD -së dhe të shkuarën e saj?

Ka hamendje se për këtë akt është në marrëveshje me Ramën. Por sido të jetë, kjo që po ndodh po thërrmon çdo demokraci të brendshme të PD -së , duke i dhënë pushtet absolut kryetarit, në këtë kaos të orkestruar prej tij dhe të tijve.

Në këtë betejë finale Basha ka mbështetjen monstruoze të sahanlëpirësve që shohin nga fryn era dhe , si këlyshët e peshkaqenit, kafshojnë njëri -tjetrin në bark të nënës për konkurencë, e më pas gjithë dynjanë. Ka , për fat të keq energjinë luftarake të militantëve të devotshëm, që kanë dhënë prova se janë gati të hidhen në zjarr pasi besojnë qorazi te kryetari, kushdo qoftë

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*