“Antienthuziastët” antiTrump në kërkim të babës. Nga Armir SHKURTI

Nuk ka gallatë më të madhe sesa kur sheh e lexon shkronjës e folës që i janë turrur me bukë në trastë asaj që ata e quajnë “entuziazmi për zgjedhjen e Trump president të Amerikës”. Të sëkëlldisesh se gëzon tjetri, aq më tepër t’i japësh mend që të mos gëzohet, kjo e kalon humorin konvencional dhe zbret andej nga kufiri i hollë mes ligësisë provinciale dhe çmendurisë….

…por nuk do t’ia vlente të harxhoja kohën time të çajit për të shkruar për këtë idiotësi, nëse përditë e më fort nuk do të konturohej qartaz një frikë reale tek “antienthuziastët”. Përditë e më shumë po ngrenë shqetësimin se presidenti i ri i SHBA … do të mendojë më shumë për Amerikën! “Po për ne, kush do kujdeset? Si do të na vejë halli?”

Ustallarët e propangandës Soros kanë gjetur thembrën e Akilit të një turme që vdes për një padron. Gjysmë mijëvjeçari kishim turkun, gjysmë shekulli Enveri pati rusin e kinezin. Çerek shekulli ne kemi Amerikën dhe Europën. Dhe kështu e kemi patur mendjen të fjetur.

Shqiptarit ia kanë ngulur në gen idenë se jemi të vegjël dhe pa një fuqi të madhe marrim fund. Ndaj dhe Trump ka sjellë frustrim të madh ke ca e ca. “Trump po mendon vetëm për Amerikën. Trump po reformon NATO -n, Trump këtu e Trump atje”, pa e mbledhur një herë të vetme mendjen për të gjykuar se ç’do bëjmë vet ne këtu, duke menduar e vepruar si zotër të kësaj shtëpizës sonë të vogël dhe asaj edhe më të vogël ngjitur që quhet Kosovë.

Nuk them gjë të re që gara më e egër e politikanëve tanë nuk është në zgjedhje, por për foto. Kush ka më shumë foto me amerikanët pastaj edhe me këta të BE, që t’u thotë shqiptarëve; “Kam mbështetjen e Amerikës, kam mbështetjen e ndërkombëtarëve”

Prandaj politikanët tanë qeverisin pa patur mbështetjen e popullit dhe prandaj sot të gjithë janë në krizën: KUSH DO TË JETË BABA?

Nuk ka dramë më të madhe për atë që është rritur gjithë jetën nën hijen e një tjetri dhe sheh papritur se ai tjetri nuk i bën më hije.

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*