AQ E DO RAMA SAIMIRIN, SAQË KËTË NUK JA BESON AS VETË TAHIRI. Nga Fatmir GUDA

Ajo historia e çobanit, që thërriste ujku, ujku dhe kur ujku i ra vërtetë, se mori njeri për seriozisht, duket se ka gjetur Edi Ramën në raportin e vet me bashkpuntorët e tij të ngushtë .

Dihet që kryeministri aktual në mënyrë sistematike ka shfaqur paqëndrueshmëri konstante në mardhënie afatgjata me njerzit e vet, përfshi këtu njerëz të familjes së tij biologjike dhe asaj politike papërjashtim, që nga mosnjohja e atësisë së të birit, akuza ndaj babait të vet Kristaq Rama e deri tek aktiviteti politik me mardhëniet e tij armiqësore ndaj Fatos Nanos, i cili u bë sebep për hyrjen e tij në politikë, apo ndaj Ilir Metës, i cili katër vjet më parë i dha mundësinë të bëhej ky që është sot, kryeministri i vëndit. Madje në gijotinën e pabesisë së Edi Ramës janë akoma të freskëta gjurmët e gjakut politik spërkatur prej prerjes së kokës së Ben Blushit, Koço Kokëdhimës, Tom Doshit, Blendi Gonxhes, Artan Lames etj pa fund, të gjithë martirë të gjallë karrierë-sosur të egos së njohur të kryeministrit për t’i bërë lanet në momentin pasi vetëm erzi u kish ngelur pa u marrë.

Pikërisht gjithë ky tabor kurbanësh është pjesa që i ngjan ritualit abuzues të çobanit, teksa për fobi a gallatë thërriste kot mes pyllit “ujku”, “ujku” . Sikundër çobanit, që një ditë prej ditësh ujku i rra vërtetë në stan edhe Edi Ramës i “rra në kokë” dashuria për një bashkpuntor të vetin, që krejt ndryshe prej të tjerëve, jo vetëm që nuk pranoi t’i jepte duart, por edhe bëri namin ndaj kujtdo që u mor me të. Sigurisht, që këtu është fjala për Saimir Tahirin, “heroi i heronjve” socialistë, i cili megjithë insistimin e prokurorisë për heqje të imunitetit, mori maksimumin e mbrojtjes prej shefit bashkëpuntor, që surprizoi dhe më skeptikun duke çeduar nga tradita apo zakoni i tij i mëparshëm, ai i lënies në baltë të miqve të tij të afërt, sa herë e ka ndjerë vehten të rrezikuar nga situata të rënda e kompromentuese.

Por edhe kësaj here që “shpirti i sakrificës” së kryeministrit për një ndër më të besuarit e vet arriti deri sa të përplasë dy institucione kryesore, siç është parlamenti me drejtësinë, hije të forta dyshimi shoqëruan publikun mbi arsyet reale të këtij qëndrimi. Sepse edhe pse e artikuluar me zë të plotë e të qartë, shprehja “unë e dua Saimirin” është kaq e pasinqertë dhe e pabesueshme, saqë askush nuk e merr seriozisht.

Faktori politik vëndas dhe partnerët ndërkombëtarë, jo e jo, por tanimë atë s’e beson as vetë i zoti i punës Saimir Tahiri, i cili e ka të qartë se pa provat kompromentuese që ai disponon për Edi Ramën në lidhje me organizatën kriminale Habilaj e jo vetëm, padyshim që do përfundonte si gjithë të tjerët, i flakur dhe pse jo, kurbani i parë “rilindas” për reformën në drejtësi.

Ndaj rrethanat i diktojnë Tahirit, që krahas përleshjes me drejtësinë për t’i ikur impikimit në trafiqet e drogave, do t’i duhet të bëjë sytë katër ndaj tentativave të mundshme e të njohura të kryeministrit për gjetjen dhe zhdukjen e atyre provave, që e faktojnë shtrirjen e krimit të strukturuar deri tek numri një i qeverisë.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*