Artan Fuga, ose kur dy qenër e hanë një ujk. Nga Armir SHKURTI

Boll e duruam prof. Artan Fugën! Në doktrinën e qenit, këtyre që kur bëhen bashkë e hanë një ujk, neni i parë është: INJOROJE! BËJ SIKUR AI NUK EKZISTON!

Profesor Fuga ka një kohë të gjatë që është kthyer në rrezik publik me integritetin e tij njerëzor, intelektual dhe social. Artan Fuga me kredon dekartiste Cogito, ergo sum (unë mendoj, prandaj jam) ka mbajtur qëndrim krejtësisht vetjak pothuaj për çdo ngjarje a rrethanë, politike a shoqërore, vulgare a filozofike. Kjo është shumë e rrezikshme për një sistem që investon pa hesap në tufëzimin dhe unifikimin e mendimit dhe sidomos në depersonalizimin e individit. Pra me mundim të madh, por e zbatuam nenin 1: INJOROJE! Opinionbërësit dhe opinionngrënësit nuk e shihnin Fugën asnjëherë në asnjë rast, edhe pse besoj se ky ka qenë një mundim i madh për të gjithë.

Neni 2: Kur s’ia del me nenin 1 dhe subjekti bëhet i pamudur për të mos u parë, hidhi sa më shumë mut që të të zerë dora e goja.

Tani jemi këtu. Për fat të madh të tij, ky pushtet i ka me shumicë konet. Sidomos këta të lavazhit të trurit. Profesor Artan Fuga shkeli brenda gardhit në të cilin qenushët rregullisht bëjnë çiçin për të shenjuar territorin: politikë. “Ujku” provokoi. U vu në dispozicion të qeverisë teknike duke deklaruar se ka gati platformën. Qenushët – ham! Ham ham! – një diplomat. Gam – gam një diplomues. Jo esnafët, domethënë politikanët. Këta “nuk e shohin” ende, por konet. Ata i hanë pantallonat, këpucët, çantën. Sipas nenit dy të këtij manuali, nuk duhet kurrësesi të merresh me idenë apo thelbin e asaj që ndodh, por me nipin, lekët, biografinë, “u bo ky!”….

Po pse duhet ta hanë këta qenushë profesorin e gjorë për një platformë?

Po jo more harrojeni! Të jeni të sigurtë që në asnjërin nga krahtë e politikës nuk kanë për të marrë një platformë nga Artan Fuga, edhe sikur të qe ajo e zbritur nga Krijuesi, si tabelat e Moisiut. E di pse? Se qentë nuk janë as vetëm tek rilindja, as vetëm tek PD, por janë një mënyrë dhe kulturë jetese e përhapur masivisht tek ne.

Pra nuk e ka njeri hallin tek platforma apo rreziku prej saj. Problemi është AI. Ose më saktë integriteti i tij. Ky është një rrezik i tmerrshëm për këtë sistem. Imagjino sikur sindromi “Artan Fuga” që kthehet në epidemi? Domethënë sikur edhe të tjerë e të tjerë të nisin të mendojnë me mendjet e tyre e më e keqja akoma edhe ta shprehin pa e çarë kokën atë që mendojnë? Dhe më e tmerrshmja për sistemin është se, po sikur ata që do fillojnë të mendojnë e të shprehen siç e mendojnë, të jeni si profesori, të papërlyer, të pavarur, pra pa asnjë mundësi ku ti kapësh , t’i lidhësh e t’i tërheqësh prej xhakete?

Asgjë personale profesor! Teknikisht jemi tek neni 2. Sa më shumë kone do të të kafshojmë, sa më shumë baltë e mut do të të lëshojmë jo për të të bërë keq ty, por për t’u marrë mendtë të tjerëve e për t’i trembur që të mos infektohen nga sëmundja jote.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*