Basha, modeli “Gandi”, opozita e opozitës dhe nja dy gjëra të tjera. Nga Flamur TAJARI

Kur luftonte për pushtet Edi Rama me mençuri shpiku termin “opozita e opozitës”, me të cilin u rrek të kompleksonte kritikët. Me dhelpëri Edi atëhere u kthehej gazetarëve a kundërshtarëve me “po ju, po bëni opozitën e opozitës? Nuk qeverisim ne por ata.”

Le të sigurojmë edhe ata militantë që ndjehen të kërcënuar sa herë u zihet me gojë kryetari se kritikat nuk janë opozitë e opozitës, por përkundrazi: ndihmë, përkrahje, mbështetje….

Për çfarë kritikohet sot Basha nga militantë e demokratë e stigmatizohet nga kundërshtarët?

E përbashkëta është SE NUK BËN ASGJË! Do të qe shumë e diskutueshme nëse aksioni i tij politik do të gjykohej i mirë ose i keq. Por zero, me çdo numër tjetër që e shumëzon, veç zero jep. E që të gjithë rreth kësaj zeros vërtiten, dashamirës a dashakeqë.

Jo si Saliu!

Teza e parë që u hodh në treg që nga brenda PD – së, si gjoja zë i atyre “që mendojnë me kohë të vet”, ishte se “Luli është model tjetër, jo si Saliu”. Që t’i heqësh berishizmin Partisë Demokratike është ndërmarrje e madhe. Berishizmi është pjesë e ADN – së politike të saj dhe të pjesës dërrmuese të PD – së, pse jo edhe politikës shqiptare në total. I mirë a i keq, kjo pastaj mund të diskutohet gjerë e gjatë. Por që është realitet, këtë nuk e diskuton njeri. Pra nëse “ndryshe” do të thotë “berishless”, nënkuptohet tërmet i fuqishëm edhe në njerëz, struktura, statut, program, strategji…

…pas tij modeli Basha

Kjo është logjika. I keq, i mirë, prepotent, intelektual….si të duash, por jo zero! Jo opozitë facebook – u apo OJF-je, që thjesht konstaton. Modeli “Berisha” vazhdon të mbetet një model i angazhimit aktiv, prezencës së përhershme dhe të kudondodhur, reagimit të menjëhershëm e të fuqishëm, protestave (edhe të dhunshme), betejës së ashpër parlamentare deri në bojkot.

“Ndryshe” do të thotë pa këto? Bukur! Një opozitë që ndjek rrugën institucionale dhe praktikat ligjore….apo jo? Mirëpo ne kjo opozitë na ka denoncuar pikërisht kapjen e institucioneve nga Edi Rama, inkriminimin e disave prej tyre dhe kontrollin e të tjerava. Kryetari i kësaj opozite ka denoncuar edhe pranë partnerëve ndërkombëtare kapjen nga Mafia të zgjedhjeve. Pra kjo rrugë nuk duket të jetë e duhura.

Ka një tjetër shumë më interesante , duke qenë se zoti Basha nuk e fsheh krenarinë e të qenit jurist: rruga ligjore! Ndërtimi i një strukture zyrtare brenda PD – së me elitë juristësh që punojnë intensivisht për hartim dosjesh korrupsioni dhe lidhje të pushtetit me krimin e organizuar, qepjen e tyre, çuarjen në prokurori e gjykatë dhe ndjekjen deri në vendim, e mandej edhe në gjykata e institucione ndërkombëtare. Ky model “Basha” do të kish qenë shumë interesant…

Modeli Gandi?

Mirëpo zero aktivitet, veç konferencave për shtyp e denoncimeve nga zëdhënësat, nuk përputhet me asgjë nga çka njohim ne nga politika konvencionale. Përafrohet pak me modelin Gandi, por ciken vetëm në një cep, thjesht në formë. Mahatma Gandi i kundërvuri rezistencën paqësore fuqisë të padiskutueshme të pushtetit dhe ligjeve koloniale që sundonin Indinë. Vetëm këtu, nëse heqim një paralele mes Mafias dhe drogës që thotë Basha se qeveris vendin dhe të mirëve të opozitës, mund të nisim njëfarë krahasimi, që në fakt na ngel rrugës për disa arsye.

E para, si puna e këmbanës që s’ra se mungonte, ne nuk kemi deri tani as mjetin dhe as rrugët se si do të përballemi, nën udhëheqjen e opozitës, me këtë tirani. Gandi është babai i mosbindjes civile. Ama ai e kishte ngritur në art dhe pikërisht përmes saj fitoi betejën. Mosbindjen civile e ka shpallur edhe Basha, por askush nuk i është bindur Bashës për të mos u bindur. Jo se nuk e duan. Por ai e tha e aq. As e vazhdoi e as e përmendi më.

Kështuqë, nëse rrimë, kjo nuk është mosbindje civile, nuk është gandizëm. Është një situatë kafkjane, si puna e fshatarit që rrinte para derës së ligjit. Do të na duhet të presim në derë të pushtetit derisa Edi Ramës t’i vijë në majë të hundës pushteti e ta lerë.

Këto pra janë ca nga ato gjëra për të cilat ne flasim, me synimin se mos po çpohet ndopak bualli i opozitës e po nis e po lëron arën. Për të mirë të vet e po ashtu tonën.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*