Bordet drejtuese të universiteteve publike uzurpohen nga “Yesman”-ët e rilindjes Nga  Dr. Albano Zhapaj

 

Më së fundmi ndodhi ajo që prej kohësh ishte paralajmëruar; Qeveria nëpërmjet ligjit të mbrapshtë të arsimit të lartë, mungesës së akteve nënligjore, zgjedhjeve për krerët e universiteteve publikë me dhe nën ndikim e presion, deri të krimit, zbrazjes së auditorëve publikë dhe shitjen e së ardhmes së të rinjve shqiptarë tek universitetet privatë, merr përfundimisht nën kontroll bordet e universiteteve publike shqiptarë. Përjashtimi i vetëm është Bordi i Universitetit të Tiranës, i cili arriti të mbetej nën kontrollin maxhoritar të profesoratit të këtij universiteti, kuptohet mbas shumë përpjekjesh e betejash intelektuale me “Yesman”-ët në arsim të qeverisë rilindëse.

“Yesman”-ë (fjala në shqip prononcohet “jesmen), për njohuri të lexuesit, në botën perëndimore quhen ata individë të cilët i thonë gjithmonë “po” shefit apo padronit të tyre, me shpresën për të marrë më pas shpërblime apo mirënjohje të llojeve të ndryshme. Disa mendimtarë të shquar botërorë arrijnë deri aty sa të thonë se “Yesman”-ët faktin që i shërbejnë dhe kanë nevojë për një shef për t`i shërbyer, e kanë si një formë sindrome gjenetike, dhe shërbimin ndaj shefave të tyre e shikojnë si të vetmen alternativë të realizimit të tyre profesional e njerëzor, edhe sikur ai (shefi apo padroni) t`i stimulojë ata vetëm moralisht.

Ku qëndron problemi këtu?

Këtë pyetje në fakt mund ta shtronte kushdo që ka votuar apo jo që një lloj qeverie apo një tjetër të drejtojë të ardhmen e vendit të tij, me qëllim që të kuptojë se ku qëndron e keqja e këtij fenomeni dhe ku qëndron e mira e tij, pra që qeveria të vendosë “Yesman”-ët e saj në krye të “djepeve të dijes”, siç cilësohen universitetet në mbarë botën e zhvilluar sot.

Në fakt një problem e ka, një problem thelbësor jo vetëm për autonominë e universiteteve, por edhe për  demokracinë në tërësi. Asnjë nuk e ka harruar se para tre vjet e gjysmë kur erdhi rilindja në pushtet, përdori po këta “Yesman” për të liruar çdo drejtori rajonale arsimore, çdo zyrë arsimore, çdo shkollë të mesme, çdo shkollë 9-vjeçare dhe çdo kopsht e çerdhe publike, nga drejtuesit e tyre, që në të shumtën e rasteve ishin njerëz profesional dhe të përkushtuar.

Ishin po këta “Yesman” që ushtruan terror psikologjik mbi çdo arsimtar e arsimtare që nuk ishte pjesë e listave votuese të shefave të tyre, për t`i detyruar të pranonin diktatin rilindas dhe për të dhënë dorëheqjen. Aty ku nuk dha efekt terrori psikologjik “Yesman”-ët propozuan konkurse e provime kombëtare, rishikim ngarkesash mësimore, rishikim të përshtatshmërisë së profilit të mësuesit me lëndën, për të arritur më tej rezultatin që pritej e kërkohej nga shefat e tyre, pra, pushimin nga puna të arsimtarëve jo komodë, me qëllim lirimin e vendeve të reja për kandidatët që janë pjesë e strukturave politike të shefave të tyre, apo edhe që paguajnë pë të pasur një vend pune.

Ishin po këta “Yesman” që mbushën zyrat e ekzekutivit duke i zbrazur më parë ato nga specialistët e mirëfilltë, përgatitën famëkeqin ligj të arsimit të lartë, bënë sikur e diskutuan me stafet dhe botën akademike, penguan dhe izoluan çdo zë ndryshe e kundër, futën dorën si kurrë ndonjëherë në xhepat e qytetarëve shqiptarë, duke rritur tarifat e studimeve dhe duke i detyruar të rejat dhe të rinjtë të shëndërrohen në klientë të rëndomtë të universiteteve private.

Ishin po këta “Yesman” që nga zyrat e tyre përgatisnin raportet për mbylljen e universiteteve të ashtuquajtura “kioska”, dhe po ishin po këta që tani janë kthyer në shërbëtorë të “kioskave” të tjera në të cilat aksionojnë shefat e tyre, që tani në të njëjtën kohë janë emëruar edhe krye-kontrollorë të bordeve të universiteteve publike. Strukturat drejtuese universitare me bagazhe të padiskutueshme shkencore e akademike, të dala me votim nga një proces zgjedhor, detyrohen t`i binden diktatit të “Yesman”-ëve të emëruar nga qeveria, që vetëm me arsimin nuk i lidh asgjë, duke filluar nga shkollimi, interesat, kontributet socialë, e përfunduar tek përvoja moshore apo profesionale.

Kush i kontrollon kontrollorët?

Democraci? Edhe pse e harrojmë shpesh këtë fjalë, sepse hallet dhe dertet e qytetarit janë shumë herë të padukshme përballë reklamave vezulluese të të ashtuquajturave arritjeve të qeverisë, kutimi i saj etimologjik është: demos dmth popull dhe e craci dmth kontroll, pra kontrolli i popullit. Por me sa po shohim, dhe me faktet e sipërpërmenduara “Yesman”-ët janë “vetë zot e vetë shkop”, kontrollojnë bordet e universiteteve dhe uzurpojnë njëkohësisht zyrat nga ku kontrollohen kontrollorët, pra “Yesman”-ët kontrollojnë bordet dhe janë po ata vetë nga zyrat e ekzekutivit që kanë të drejtë të caktojnë grupet e kontrollit që do kontrollojnë punën e kontrollorëve “Yesman”-ë. Duket si lojë fjalësh, prijon edhe pak humor kur e shqipton, por është një e vërtetë tragjike me pasoja shumë të rënda për universitetin dhe demokracinë.

“Quis custodiet isos cestodes”- Kush i kontrollon kontrollorët, është një problem i vjetër i demokracisë dhe si argument e ka trajtuar edhe filozofi i lashtë Platon tek “Republika” e tij, si një problem të mprehtë që cënon demokracinë dhe mirëqenien e institucioneve të një populli. Kur ai që kontrollon një institucion siç është bordi i një universiteti, është njëkohësisht edhe kontrollori i vetvetes, pasi ai vetë është ekzekutori në arsim, atëherë paralajmërimi institucioni është në rrezik është më se i vërtetë. Vallë a jemi kaq popull naiv sa të mund të mendojmë se me fenomenin “kontrollori kontrollon edhe vetveten” jemi vërtetë një vend demokratik dhe me institucione demokratike.

Vallë a jemi me të vërtetë kaq naivë sa të konsiderojmë progresist reklamat qeveritare të “arsimit të gjeneratës tjetër” si një risi apo model të pranueshëm për demokracinë e këtij vendi?  Aristoteli, filozofi i lashtë që ka jetuar këtu e 2500 vjet më parë, këtë fenomen e kritikonte, dhe nuk e quante më demokraci por e quante isokrazia, që në thelb do të thoshte se një fraksion i vogël i qeverisjes vendos fatin e të gjithëve, duke ushtruar diktatin e saj me uzurpimin e institucioneve demokratike. Është pikërisht kjo gjë që po ndodh në vendin tonë, pasi mazhoranca qeverisëse nuk është e gjitha “pronare” e “Yesman”-ëve, por është thjesht një segment i caktuar i saj.

“Yesman”-ët e rilindjes si varrmihësit e fundit të arsimit të lartë publik.

“Yesman”-ët si individë nuk kanë e nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi morale apo shoqërore, për dëmet që mund të shkaktojnë, për pasojat e pakëndëshme që mund të rezultojnë të pariparueshme, pasi ata në thelb janë njerëz që punojnë vetëm e vetëm për pronarët e tyre, me përkushtim e përulje, në varësi të ngushtë dhe simbiozë me pronarët e tyre, të cilëve u detyrohen gjithçka, veten, karrierën, shpërblimet, dhe mbi të gjitha katapultimet që i shndërruan ata nga duartrokitës e altoparlantë të rëndomtë oborri partie, në kontrollorë institucionesh demokratikë, dhe më tej kontrollorë të vetes së tyre.

“Yesman”-ët janë shërbëtorë besnikë të interesave për pushtet të shefave të tyre dhe nuk u intereson aspak dhe as e që kuptojnë se arsimi që ata marrin guximin të drejtojnë është një gamë e tërë e aktiviteteve me të cilat familjet dhe komunitetet transmetojnë tek një brez më i ri, jo vetëm njohuritë dhe aftësitë, por traditat, normat etike dhe të sjelljes. Pra arsimi universitar është dhe mbetet vertebra e transmetimit të identitetit personal dhe kulturor, gjë të cilën qeveria nëpërmjet “Yesman”-ëve kontrollorë  e shtyu përfundimisht drejt centralizimit dhe kësisoj kontrollit nga fraksioni rilindas i pushtetit të arsimit.

Është koha që universitetet publikë rajonal dhe të ata publikë të Tiranës, të marrin në dorë të ardhmen e tyre, të marrin në dorë kontrollin e bordeve të administrimit, nisur nga shembulli i Universitetit të Tiranës, duke e ngritur problemin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar nëse nevojitet, për të sensibilizuar gjithë institucionet demokratiko-ligjore shqiptare dhe perëndimore, mbi rrezikun që i kanoset autonomisë dhe pavarësisë së universiteteve nga kontrolli i “Yesman”-ëve të rilindjes.

Bordet e Administrimit të universiteteve publikë duhet doemos të kontrollohen nga profesorati dhe trupa akademike, prandaj është urgjente ribërja e tyre dhe çlirimi nga uzurpatorët “Yesman”, biles do të thoja se ribërja e tyre, rikompozimi me njerëz profesionistë e me ide të reja është një mënyrë për të ribërë Shqipërinë. Natyrisht që nuk duhen lënë jashtë loje edhe të rinjtë, pasi përfshirja dhe përfaqësimi i studenteve  në drejtimin e bordeve mund të konsiderohet sot si sfida më e madhe e të drejtave civile e demokratike të kohës sonë.

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*