Bravo rilindja! Çfarë marketingu brilant në këtë fatkeqësi! EDITORIAL

Bravo rilindjes! Pa ironi, pa thumba ; bravo! Një situatë tejet të sikletshme e delikate , si ky acar , e ktheu në marketing të paparë për pushtetin. E kundërta për çudi ndodhi me opozitën.

Qeveria njoftoi mbylljen e shkollave pas vitit të ri për shkak të gripit. “Jo, nuk është ky shkaku, por se nuk kanë ngrohje shkollat” – këtë nuk e thotë opozita, por qytetarë në facebook.

Cilado qoftë e vërteta, pushteti bëri një zgjidhje pragmatiste të mahnistshme. Nëse fëmijët do të shkonin në çerdhe , shkolla, kopshe, do të kishe qindramijë gojë që do të ankoheshin në korr në rrugë, kafene, ekrane, e sidomos në rrjete sociale. Çdo incident , sëmundje apo edhe fatalitet në një nga këto institucione do t’i kushtonte jashtëzakonisht shtrenjtë qeverisë aktuale në këto pak javë para zgjedhjeve.

Por përtej zgjidhjes ideale politike është për t’u admiruar skenari brilant i mobilizimit total të shtetit për të shpëtuar çdo jetë njeriu. Rama me pulovër që mblidhte shtabin e emergjencës, Lali që improvizoi qendra pritjeje e ushqimi, ndante kremviçe e kruasan, policët e Tahirit që zhbironin në thëllimin e llahtarshëm të temperaturave nën zero për ndonjë të pastrehë, Beqaj që na lutej të ruanim shëndetin nga gripi i tmerrshëm që po kosiste ç’gjente…..

Përveç një gafe që nisi nga një status në facebook për vaksinat opozita nuk bëri opozitë. Duke dashur të verë vetulla nxorri sytë duke bërë turli klishenë që qarkullon për falsifikimet kineze me seriozitetin e një shteti gjigand si Kina. Kaq qe. Ndërkohë që kryetari i opozitës sot deri vjet ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe një pjesë të mirë të drejtuesve të asaj bashkie i ka sot rreth vetes në PD, nuk ia doli ta denonconte paraprakisht problemin e ngrohjes në çerdhe, kopshte e shkolla. Nëse policia i mblodhi duke i kërkuar rrugëve endacakët, do të thotë se jo vetëm që nuk ka një evidencë për këtë shtresë, por as politika të qëndrueshme. Pas emergjencës, sërish në rrugë do t’i lëshojë Lali gratë, fëmijët dhe burrat e kruspulluar nga thëllima e këtij dimri? Këto pyetje as i bëri dhe as i sqaroi opozita. Dimri nuk mbaron të hënën tjetër. As politika dhe as struktura nuk ka për ata njerëz me të cilët bën fushatë sot pushteti, ndërkohë që opozita hesht.

Në palcë të dimrit, nën borë e akull, një pjesë e mirë e vendit vuajti mungesën e dritave. Një pjesë e Tiranës vuajti edhe ndotjen e ujit në rubinetë dhe tani po vuan çarjen e tubave. Qajnë qytetarët, shajnë e mallkojnë në facebook të gjithë…përveç opozitës!

Ai i duhet thënë bravo pas kësaj pushtetit? Jo për gjë, por po bën gol me portën bosh. Ndeshja është e bukur kur ekipet janë të barabarta. Më emocionuese kur fiton ndaj një kundërshtari më të fortë se vetja. Por të luash i vetëm e të bësh gol spektakolar në portën pa portjer, nuk është ndonjë meritë e madhe jotja.

Megjithatë , bravo! Kur njerëzit u morën me kinezçen e vaksinës, me romantikën e borës, me menunë e mensave të Lalit, me sakrificën e policëve të Sajmes, me heroizmin e Dedave të OSHEE që majë shtyllave ofroheshin hera – herës si heroizmi i shtetit për t’i dhënë dritë popullit, nuk ke ç’thua tjetër veçse vlerësim për sistemin efikas të propagandës dhe marketingut politik të kësaj shumice qeverisëse

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*