Ç’ na bëri mbrëmë Eni Vasili që doli LIVE me kanabis në dorë në emision. SHËNIM

Që në çastet e para të emisionit Studio e Hapur të Eni Vasilit shpërthyen debate në facebook. Do të thotë se opinioni u provokua e se ajo degë hashashi e bëri efektin. Ç’na bëri Eni? Na prishi ëndrrën, atë të gomarit që kur po e hante ujku, i lutej Zotit ta bënte ëndërr. Ajo degë i tha gomarit se hashashi nuk është ëndërr por realiteti tragjik në të cilin jeton.

Pas emisionit brofi policia në televizion. “Shqiponjat” vajtën në studiot e News 24 për të sekuestruar bimën. Ky qe provokimi dhe debati i dytë: a duhej të shkonin apo jo? A ishte hipokrizi apo detyrë… “Po…edhe patrulla ç’faj pati mor zoti kuestor?” – thotë kujdestari tek “Lulëkuqe mbi mure”. Po të mos shkonin, do niste mileti; “çfarë shteti! plas hashashi në televizor e nuk e rruan njeri”. Jo se kështu ishte u hoqi njeri kapelen, por të paktën ishin brenda rregullave, edhe pse qesharakë.

Pa e zgjedhuar komentin më tej, vetëm brenda këtyre dy elementëve, kuptojmë se kutia e Pandorës nuk mbyllet dot më. Akuza e opozitës se zgjedhjet në Dibër i mori Mafia, bashkuar me denoncimet e përditshme të Sali Berishës me emra e foto të parcelave me drogë, tutorëve të saj dhe lidhjeve me shtetin, shfaqja e bimës në studio tashmë janë një rrugë pa kthim, me kusht që opozita ta ketë të paktën gjysmëseriozisht këtë punë.

Opinioni shqiptar është ndërgjegjësuar bindshëm se tashmë jeton në një oligarki hashashi. Mbetet që kjo çështje të ndërkombëtarizohet. Eni dje e dha kontributin e saj.

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*