Çamët e Idrizit, Shpëtimi i Ramës? Apo gallatë e Ngjelës. Nga Flamur TAJARI

Një shaka ala Ngjela po qarkullon në komedinë politike të ditëve të fundit. PDIU, partia e Shpëtim Idrizit të dalë si….opozitë në votimin e sotëm! Meqë çamët e Shpëtimit nuk qenëshin çrregjistruar si opozitar, në proçesverbalin e votimit të sotëm mund të na u shkruakërka se “opozita ka marrë pjesë dhe ka votuar”.

Trajektorja e PDIU në fakt është shumë interesante për t’u studiuar. Kur Meta la Berishën në prill 2013, çamët bënë hyxhym për ta marrë atë fetë pushteti. Pastaj, pak muaj më vonë, ishte Shpëtim Idrizi që e “qerasi” Ramën me atë pjesë të rëndësishme të fasadës që i mungonte: Dhjetorin ’90. Në 8 dhjetor 2013, kryetari i PDIU mblodhi një pjesë të ish dhjetoristëve që i kishte sistemuar përmes partisë në drejtoritë e Berishës e që vazhdonin …edhe me Ramën dhe Mesila Dorën, asokohe deputetet e Partisë Demokratike.

“Opozitari” Shpëtim Idrizi ka marrë disa drejtori në qeverisjen Rama, ka nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe ofiqe të tjera që vijnë nga marrëveshja me pushtetin .

 

Vjet, siç mund ta gjeni në media, kërcënoi ..”të ikë nga qeveria” dhe jo nga opozita. Gjithësesi as iku e as shkoi gjëkundi por vazhdon të përdoret nga Edi Rama si valvul shkarkimi në rastet kur tensioni me aleatin e madh Ilir Meta shkojnë në skaje.

Sot në fakt, për të mirën e vet çamëve, do të qe kryevepër sikur të shkonte kështu puna. Pra PDIU të hyjë në kuvend si opozita dhe të votojë vettingun. Jo se ky komunitet nuk ka sy të shohë se si përdoret pa respekt e skrupull, por kur të papunët çamë, që votojnë për vete por gjejnë nëpër drejtori njerëzit e Shpëtimit, që votojnë djathtas por partia i çon tek Rama, që të kenë besuar 4 vjet se janë në qeveri e ta mbyllin si surrogat i opozitës mbase kanë për ta menduar dy herë pas kujt të shkojnë në këto zgjedhje.

PO A MUND TË NDODHË KY PALAÇOLLËK?

Nuk është aspak çudi. Dje kryetari i PDIU nuk tha asnjë fjalë për votën e lirë, për garantimin e saj, për rrezikun e blerjes së zgjedhjeve nga pushteti, për kriminelët në politikë….domethënë për ato që po lufton opozita. Ai foli për…vettingun! Meraku i “opozitës” së Idrizit ishte vettingu, mor aman! Për dekriminalizimin s’i vjen zëri, se ka të paktën dy deputetë që po i hetohen. As për të tjerat , që janë rrjedhim i kësaj (pra  votën e tjetërsuar etj) nuk kishte kuptim t’i vinte zëri.

Me një fjalë, “Ri Adnan të dëgjosh qyfyre”! Të presim seancën e sotme , bashkë me çamët e thjeshtë, për të parë se me ç’avaz do ta hedhë vallen Shpëtimi

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*