“Çamët” si koqe kandari të pushtetit të Edi Ramës. Ja se si i përdor. Nga Flamur TAJARI

Le ta themi që në fillim që “çamët” është termi për PDIU, partinë e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, por në popull njihet si “partia e çamëve”. Pa ia hyrë historive si e qysh, e dimë mirë se ç’siklet hoqi kryetari për të bërë bashkë çamët , teorikisht rreth kauzës së shenjtë të vuajtjeve çame e genocidit grek mbi ta, praktikisht për të krijuar një forcë kompakte e influente në politikë.

Por në të dy kohës , gjatë qeverisjes Berisha apo Rama , PBDNJ mbeti lojtar rezervë, nga ata që trajneri i nxjerr për nxemje kur do t’i bëjë presion një lojtari në fushë.

Lojtari në fushë është LSI. Modelin e Metës e kanë zili të gjithë, përpiqen ta kopjojnë të gjithë, por deri më sot asnjëri s’ka as dhuntinë as këmbënguljen as aftësinë e Ilirit. Kur u nda nga PS lufta e Metës ishte jetë a vdekje. Presioni i të gjitha krahëve ishte që ai të shuhej me gjithë ata pak që kishte nga pas. Por këtë betejë LSI , falë kreut të saj , e fitoi! Si? Shqiptarçe! Tako njerëz, mbaro punë, sajdis e begenis, bëj nder e respekto njerëz e mbi të gjitha, mbroji si një trup i vetëm. Kështu krijoi emrin e më pas edhe mitin partia me kryetarin. Kështu u rrit. Sot të gjithë janë të bindur se pavarësisht kush fiton zgjedhjet, LSI është në pushtet, se pa të nuk bëhet dot asnjë qeveri.

Idrizi çun i mirë është por vezën e Metës nuk ka shans ta bëjë. Me një dorë në qafë e sms ky kryetar pati shansin t’i bënte çamët të linin kokën për të. Por ca gjëra janë me të dhënë e jo me të thënë. E ngaqë nuk e ka as kompaktësinë dhe as organizimin e Metës, PDIU nuk ka as peshën e LSI, ndaj mbetet lojar stoli dhe përdoret si koqja e kandarit: afrohet ose largohet nga pjata sipas ndryshimit të peshës së LSI – së.

POR KURRË NË PJATË!

Çamët kanë mbetur si lejleku në darkën e shtruar nga dhelpra. E ka supën në pjatë por s’e le sqepi ta gëlltisë. Është pjesë e pushtetit por s’ka njerëz në administratë. Gëzohen çamët kur hera – herës ndonjë nga partia e tyre bëhet drejtor. Pastaj një tjetër nënkryetar bashkie. Pastaj një tjetër drejtor. Një tjetër zëvendësministër… Gjithë të tjerët pa punë por me gëzimin e madh se janë pjesë e pushtetit.  Në pragmatizmin e tij Rama e di mirë se po u dha vende pune dhe pushtet çamëve, nuk e njeh më qeni të zotin. Kujtojnë se ua jep shpëtimi e jo Edi. Prandaj ua shtrëngon rripin. Tashmë edhe vetë personat me influencë mes çamëve thonë: “Nuk po na e jep Edi”! Pra, kush do ndonjë kafshatë , s’ka punë me Shpëtimin dhe çamët e tij por i lidh pipzat direkt me rilindjen dhe fiton.

Me barkun bosh e salçiçen që i tund para hunde kryeministri, çamët po mbërrijnë në finishin e zgjedhjeve. Janë një llokmë e madhe votash që dikur shkonte toptan tek PD dhe që sot e ka në xhep Edi Rama me shumë pak shpenzime. U bleu kokat. Ata që ishin më të zotët ia morën me dhunë atë që deshën. Të tjerët presin si do të shkojë pesha e LSI. Duke lëvizur koqja, ka shanse të bjerë ndonjë thërrime në pjatë!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*