Çdo ditë një punë – sofizmi i Veliajt për fasadën personale , në shkatërrim të Tiranës. EDITORIAL

Çdo ditë një punë? Duket sllogan ambicioz. E ka hedhur kryetari i tanishëm i Bashkisë së Tiranës. Për delet e bindura është muzikë e këndshme baritore. “Ja, po punon!” “Po pra, se ça bëri Basha? Asgjë. Ky përditë po e bën nga një gjë.” e të tjera nga këto.

Mendo të të caktojnë kuzhinier në një konvikt. Ditën e parë të lyesh tavanin. Ditën e dytë të lyesh muret. Ditën e tretë të ndërrosh pllakat, ditën e katërt të riparosh banjon, ditën e pestë të shqepësh edhe një herë pllakat se do riparosh tubat, ditën e gjashtë të riparosh tubat, ditën e shtatë të shtrosh pllakat, ditën e tetë të pastrosh oxhakun… Në tetë ditë ti ke bërë tetë punë, mbase edhe tetëmbëdhjetë, por në të vërtetë s’ke bërë asnjë punë sepse nuk ke bërë punën për të cilën je vënë aty.

Në 500 punët që ka bërë kryetari ka ca gjëra që duhen sqaruar.

E para dhe kryesorja; si në rastin e kuzhinierit që parashtrova, mund të ketë bërë edhe 5000 punë, por nuk ka bërë ato për të cilat është aty. Tirana do qeverisur. Para se ta bësh këtë ka nevojë që të përcaktohen përparësitë. Edhe pse uji duket problem më vete, rrugët më vete, transporti më vete, arsimi më vete, Tirana është një sistem. Çdo pjesë është organikisht e lidhur me të tjerat. Atëhere; cili është boshti? Ç’do të lerë në histori ky njeri si vepër të vetën?

Hë për hë, vetëm fasadën, si kryetari dhe ati i tij politik Rama. Fasadë dhe erë. Et’hem Beu i ndjerë ka lënë një xhami e cila edhe ças dy shekujsh e çerek quhet Xhamia e Et’hem Beut. Italianët bënë kompleksin e ministrive dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Enveri bëri Tiranën, Saliu Bathoren, Edi fasadat, po Lali? Një punë në ditë! Një ditë , për shembull, ndërroi sahatët e ujit të prishur nga ngrica. Punë, natyrisht është, por jo vepër për të cilën ka nevojë dhe pati shpresë kryeqyteti.

E dyta dhe më kryesore se e para; nuk është e ndershme të vjedhësh punët e të tjerëve. Kanalet i pastrojnë ca burra të rreshkur nga dielli e acari, nga të pangrënët e hallet, të përjetshëm në atë punë që s’e bën dot tjetërkush veç tyre pasi është e pistë , e lodhshme dhe e keqpaguar. Rrugët i pastrojnë netëve ca zonja , kryesisht rome e egjiptjane, me fshesë në dorë. Nuk është e ndershme që në çdo punë, të çdo dite, kryetari i bashkisë të shfaqet për ta përuruar, zakonisht edhe me një fëmijë të tjetërkujt në dorë, në krah a në prehër. Puna e bashkisë nuk ka nevojë për përurim të përditshëm dhe mbi të gjitha, ajo që është detyrë funksionale për t’u bërë, e paguar nga taksat e kryeqytetasve,  nuk është as serioze e as e ndershme që të shitet nga kryetari si heroizëm i tij.

Sofizmi i “një punë në ditë” është një gjetje fantastike marketingu dhe një truk diabolik për t’i krijuar imunitet Erion Veliajt. Duke e patur para syve përditë , pas jo shumë kohësh talljet e gallatat do të shterrojnë dhe ne do të fillojmë ta besojmë se “i shkreti në fakt ka punuar”. Jo se do shohim punë por duke e dëgjuar përditë do të na duket e vërtetë se “ky punoi përditë”. Nga ana tjetër askush nuk mund t’i kërkojë vepra të mëdha Lalit. Ai që bën një punë në ditë do të thotë se përditë ka bërë punë të vogla…apo jo?

E treta dhe më kryesorja në fakt, është se ky djali që na u shfaq në skenë si revolucionari që i tha Mjaft politikës së keqe, abuzimit me pushtetin, korrupsionit e dënglave të këtij lloji, vet po i bën marketing vetvetes pikërisht me stilin të cilin e sulmonte vet, bashkë me grupin e tij dikur. Përdor fëmijët e botës. Përdor paratë publike për të shitur punët publike si të tijat.Ndan bukë për të pastrehët, jep dhurata për të moshuarit, lumturohet si fëmijë bashkë me vogëlushët kur ndez pemën e Krishtlindjeve…ky është produkt marketingu. Lal’ Eri është një prodhim i pastër marketingu, një ambalazh, kuti boshe me lajle lule që i shitet publikut si flori nga mediat që ka nën sqetull.

Ndërkohë që Tirana përditë e më shumë largohet nga kuptimi i një metropoli. U tallën me tramvajin e Bashës, por për vete këta nuk kanë asnjë ide për transportin publik. Bli autobuzë e printo blieta nuk është se zgjidh gjë. Tiranasit sot kanë të paktën një makinë për familje, Ka që kanë edhe dy e më shumë, pasi me transporti publik është një dështim. Kaq makina përditë e më shumë stresojnë trafikun e parkimin dhe vështirësojnë zgjidhjet. Shkollat vazhdojnë me turne, uji me orar, ndërtimet pa kriter….

Me këtë administrim Tirana pas nja dy dekadash mund të thyhet e të humbasë funksionet si qytet, pale si kryeqytet. Ka ndodhur në të kaluarën e afërt në botë, pa shkuar më thellë në histori. Kur? Shumë më shpejt se ç’mund të mendohet. Nëse vazhdon politika e “çdo ditë një punë”, dita kur të mos i bëjë derman as Perëndia më Tiranës nuk do të jetë e largët.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*