Ç’parashikojnë yjet pas shkarkimit të Yllit nga ministër? Nga Armir SHKURTI

Pyetja e ditës sot kudo, pas shkarkimit të Manjanit ishte: “Hë mo, ç’do bëhet tani”? Si guak edhe unë nuk pata përgjigje. Kur kryeministri shkarkon një ministër nga një parti e koalicionit, ose ky ministër e ka bërë baltë dhe e para e denoncon partia e tij, ose partia shpall daljen nga koalicioni. Asnjëra s’ndodhi. S’më kujtohet sa kam pa parë një skenë si kjo kur nusja, pa kallur burrin në dhe shkon të bëjë celebrimin me tjetrin. Kështu u duk çuarja e Petrit Vasilit në vand të Manjanit sot për sot.

Pra jo vetëm nuk prish koalicionin, jo vetëm nuk mban ndonjë qëndrim politik Ilir Meta, por si një prestigjator i vërtetë tak! nxorri nga mënga asin e rradhës. Kush i jep drejtim kësaj dhe kush parashikon dot? Shumë njerëz sot këtë skenë e morën për dobësi të kryetarit të LSI – së. Por hesapi nuk del kur të gjithë e njohim Metën që nuk është nga ata….

..Po para se të vazhdojmë, le të shohim pak më herët si janë punët. Dy muaj para zgjedhjeve , në vitin 2013, LSI prishi koalicionin me PD dhe iu bashkua Ramës.”Për të hequr Saliun”! – brohorisnin ngado. Iku Saliu nga pushteti. Pastaj Saliu iku edhe nga kryetar i PD -së, por makineria e propagandës së rilindjes vazhdon ta mbajë aty avazin. Në gazeta , emisione, portale, foltore, “Saliu” vazhdon ta ketë fajin, pasi “Saliu” i jep ende një farë kuptimi këtij koalicioni që është shqepur herët.

Ju kujtohen deklaratat e Tom Doshit për Ilir Metën si sot dy vjet më parë? “Iku Likja!” – gëzonin militantët e lumtur socialistë, por në fakt Meta as iku e koalicioni nuk luajti. Ama u mor vesh që paqja mbaroi me kaq. Dhe e di ku u mor vesh? Pikërisht tek militantët. Të dyja partitë, kur nxehet puna në krye, udhëzojnë grupet e zjarrit në facebook. Individë të spikatur të PS dhe LSI ia nisin me zeherr ndaj partisë aleate a ndonjë figure të saj dhe ti kupton se , o ka nisur sherri, ose njëri do t’i kërkojë një gjë tjetrit por po përgatit terrenin.

Kështu ka ardhur deri sot. Ka javë që rrjeti vlon nga helmi i fejsbuksave të LSI – së kundër PS – së dhe anasjelltas, fejbuksat dhe portalet e Ramës lëshojnë gjithë të zezat mbi LSI -në…..

Derisa mbërritëm tek ky kulm. Ministri i Drejtësisë , i vendosur nga LSI, rreshton akuza për rilindjen gjatë detyrës dhe pas saj. Akuza që do të hidhnin në erë çdo qeveri edhe jodemokratike në botë. Nuk është i vetëm. Të njejtën gjë bën edhe ministri tjetër i LSI – së Lefter Koka. Pra koalicioni , si të duash, teorkisht e praktikisht, ka marrë fund. Po pse rri Meta akoma dhe me qetësi dhe dashuri çon për ministër Petrit Vasilin?

SEPSE QENTË LE TË LEHIN, KARVANI SHKON PËRPARA? Do të thotë ajo që ka rëndësi është pushteti sot dhe pushteti nesër? Duke njohur pragmatizmin tashmë mitik të Lëvizjes Socialiste për Integrim e para gjë që të vjen ndërmend është se objektivi është sa më shumë deputetë dhe pushteti në zgjedhjet e ardhshme. Se me ç’mjet, nuk po pyet kush. Ka të tjerë që besojnë se e gjitha është një lojë, se i kanë të qepura punët me njëri – tjetrin por mbajnë gjallë sherrin në bazë se ashtu ua do puna….

Më të vështirë e bën ekuacionin Basha. Aq më tepër sot që erdhi nga një turne në Amerikë dhe Europë dhe deklaroi në Elbasan se Amerika dhe Europa s’na kanë në asnjë defter. Kështuqë , edhe ndonjë i çartur që ia hante mendja për njëçikë opozitë, duke dëgjuar se s’e çan menderen njeri jashtë për ne, padashje merr mesazhin që këtu si u qep do griset kjo punë se s’e luan njeri Ramën nga karrigia. Është interesant koinçidenca që, sa herë duket se po merr xhiro LSI – a , PD (padashje gjithmonë) bën një gjë e cila le të kuptojë se “ne mos na llogarisni”. Siç ndodhi me zgjedhjet e Dibrës për shembull, ku humbja e pazakontë e PD – së në këtë qark u mor si mesazh që “edhe në ka ndonjë mendje LSI, të mos mbajë shpresë tek PD , se shih si është”

Pra kthehemi tek pyetja e sotme: “Hë mo, ç’pritet, ç’do bëhet ndonjë gjë”?

Pritet që Rama të përdorë çdo mjet, çdo institucion, çdo influencë për të kapur pushtetin i vetëm për 4 vitet e ardhshme.

Pritet që Ilir Meta të përdorë çdo mjet e marifet, çdo individ jashtë e brenda vendit për të kapur aq deputetë sa për të mbijetuar politikisht në betejën e pabarabartë të dy partive të tjera  (PS dhe PD) për ta “ngrënë” megjithë elektorat.

Pritet….që dikur PD – ja të fillojë të lëvizë se edhe 3 muaj e gjysmë na ndajnë nga fushata!

Nëse është e vërtetë ajo të Basha deklaroi dje në Elbasan se ne nuk na ka njeri në defter në Perëndim, ky është lajmi më i hidhur. Herën e fundit që na kanë lënë në fatin tonë, u katandisëm me tallona ushqimesh, se ne vdesim t’i nxijmë jetën shqiptari – shqiptarit.

….ça të thotë vëllai më shumë? Me kaq sa shohim, e në respekt të kujt na dëgjon e lexon, nuk kam unë për vete guxim të parashikoj më shumë , se jam i sigurtë që gaboj!

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*