Ç’vjen pas populizmit të Donald Trump (dhe jo vetëm atij). Nga Llesh P. GJETA

E quajtën populiste fushatën e Trump dhe në fakt nuk është edhe aq gabim si term. Populizmi është një linjë politike që mbështetet tek interesat e popullit dhe jo të elitave. Pikërisht për këtë arsye elitat i kanë dhënë një kuptim përçmues këtij termi. “Populizmi” gati – gati është sinonim i amatorizmit, spekulimit, batakçillëkut.

Në fakt njerëzit e Trump, ata që merren me opinionin, sistemin dhe shoqërinë duket se e patën të qartë që kapitalizmi sot e sidomos ai i quajturi “rend i ri botëror” kanë thyer keqas besimin e masave tek demokracia, duke e kthyer pushtetin në mjet të elitave (sidomos atyre financiare) për të sunduar. Duke qenë se paraja nuk ka ngjyrë, një manjati , cilidoqoftë, nuk i intereson shumë nëse paraja vjen nga Amerika a Kina, nëse punëtori është i siguruar a punon në të zezë, nëse dollari është i mbështetur në prodhim apo vjen nga akrobacitë e bursës.

Ç’bëri Trump? (Nënkupto ekspertët e tij)

U foli amerikanëve me gjuhën që ata kuptojnë duke vendosur qartaz dhe pa hipokrizi gishtin mbi plagë, me premtimin t’i shërojë. Është njerëzore të jetosh në një lagje e të frustrohesh kur ajo nis e mbushet me të ardhur, sidomos të paligjshëm. Është normale të duash që vendi yt të jetë i madh, i rëndësishëm, i fuqishëm. Mbase ne nuk e kuptojmë këtë, pasi na kanë rrahur që këlyshë e na kanë mësuar se është më mirë i vogël sesa m**. Dhe ne gëzohemi! Ne jemi të lumtur kur na lavdërojnë se s’kemi pretendime për Kosovën,  që jemi më tolerantë se gjithë bota, se sakrifikojmë edhe sovranitetin kombëtar për integrimin e plot hipokrizi si këto. Edhe ne do të donim shumë të bashkoheshim me shqiptarët e tjerë e me trojet tona, të ktheheshim në një fuqi ekonomike e politike në rajon, të kishim dinjitet e respekt në kontinent e në botë…

Nejse…

Kthehemi tek Trump. Kuptimi i keq i termit ”populist” do të përforcohet nëse ai NUK i mban premtimet. Por nëse merr interesat masive të një kombi vital e të fuqishëm dhe i kthen në politika qeverisëse, për rrjedhim, rizgjon dhe ringjall një popull që ndjehet i lënë pasdore nga oligarkia e vendit, kjo, ndër të tjera, është edhe shpëtim për vendin. Të mos harrojmë se perandori të mëdha e të vogla në të shkuarën e largët e të afërt janë shkatërruar saktësisht për këtë arsye: korrupsion dhe largim i madh i elitave nga interesat e masave.

Pra sot sfida e presidentit të ri është të verë në jetë shumicën e premtimeve elektorale. E para dhe mbi të gjitha: të godasë korrupsionin dhe oligarkinë. Nëse ia del, ky do të jetë revolucion në doktrinat politike. Përçmimi i sponzorizuar nga oligarkët për “populizmin” mund të kthehet në të kundërt. Përfaqësimi i interesave të masave (votuesve), ashtu siç teorikisht trumbeton çdo politikan , sidomos para zgjedhjeve, ka shans të kthehet në sistem dhe kjo të revolucionarizojë të bërit politikë dhe të bërit qeveri.

Mbase shkuam shumë larg? Po pse jo? Një grusht i vogël njerëzish këtu tek ne e çonin ndërmend se Donald Trump do t’ia dilte. Shumica dërrmuese e sondazheve prestigjioze edhe në SHBA e nxirrte humbës. E megjithatë ai fitoi. Pse të jetë e pamundur që një ditë politika të bëjë realitet atë që gënjen gjithë jetën: TË PËRFAQËSOJË INTERESAT E POPULLIT!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*