Debati për dasmën e Lekës së Dytë dhe a është “princ” Leka. Koli Nozi

Si për çdo gjë tjetër, edhe në dasmën e Princit Leka debatet u ndezën sipërfaqësorë. Jo këmisha po fustani, jo pse “princi” po pse të ftuarit….

Ajo që po ndodh me Princin Leka është në thelb poshtërimi i një mbretërie e cila në thelb është periudha më e lavdishme qeverisëse në historinë e Shqipërisë së pavarur, regjimi më serioz i ngritjes së institucioneve, vendosjes së ligjit , ndarjes së pushteteve, krijimit të ekonomisë kombëtare etj. Nën zë e psherëtinin me trishtim të motshmit gjatë diktaturës “kohën e Zogut”, duke kujtuar ç’vlerë kishte leku, se si një xhandar “ruante Fierin e i hidhte një sy edhe Lushnjes”. Madje edhe Enver Hoxha vetë, kur bënte krahasimet e rritjeve të tij ekonomike e industriale, i referohej me herë a përqindje vitit 1938. Ama kishte patur në vitin 1938, 26 vjet pas pavarësisë, një ekonomi, një industri, një bujqësi, një arsim, një mjekësi, me të cilat mund të krahasoheshe në vitet ’80.

Mbreti vdiq në kurbet. I biri erdhi në vitin 1997 për të provuar rikthimin në pushtet me referendum. Rezultati ishte befasues. U tha se e fitoi. Por edhe nëse e humbi, me atë përqindje, i binte që gati gjysma e Shqiptarëve votuan kthimin e tij. Ai u kthye i sëmurë e i drobitur dhe në shumë pak kohë vdekja kositi pa mëshirë Nënën Mbretëreshë Geraldinë, Mbretëreshën Suzanë dhe vetë atë, Lekën e Parë, duke lënë të vetëm në këtë vend …Princin Leka II. Deri këtu – histori tragjike monarkie.

Këtej e tutje nis komedia. A e dini se ku erdhën këtë fundjavë ajka e monarkive të Evropës? Tek dasma e një këshilltari në kabinetet e Republikës! A kishte ngelur Leka i vogël keq për bukë që i duhej një rrogë shteti Shqiptar? Jo! Por trashëgimtari i fronit mbretëror s’e pati për gjë të punojë në një kabinet republikan si rrogëtar i republikës.

A ka patur Leka i Dytë ndonjë aktivitet politik, kombëtar a qoftë ceremonial prej trashëgimtari të fronit mbretëror? Në lajme nuk i gjen. E nëse nuk janë aty, nuk mund të quhet aktivitet publik. E nëse nuk kryen një aktivitet të vetëm publik…ç’përfaqëson ky njeri? Mbi të gjitha ky monark?

Në Shqipëri ka dhjetramijë shqiptarë të zhuritur nga diktatura vetëm e vetëm se kishin qenë mirë në kohën e Mretit Zog. Ish ushtarakë, tregëtarë, zyrtarë, njerëz të thjeshtë, janë dënuar e përndjekur vetëm e vetëm se kanë patur simpati a shërbyer monarkisë. Bijtë e nipat e tyre edhe sot e kësaj dite janë gati të rrokin edhe armën për këtë familje. Mirëpo nipi i Ahmet Zogut as i ka thirrur as i ka organizuar.

Nëse sot ka një debat “a është princ apo jo” dhe a duhet quajtur i tillë, përveç anës emocionale dhe indoktrinimit të hershëm, e ka një goxha bazë racionale: si mund të jetë prin a mbret dikush që nuk sillet si i tillë përveç në dasmën e tij?

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*