Deklaratë e Jeta Shkurti Toçila për parregullsitë e proçesit dhe zgjedhjeve për Urdhërin e Psikologut

Të nderuar kolegë!
Për herë të parë në historinë e psikologjisë shqiptare është realizuar hartimi i një ligji për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së psikologëve në mbarë vendin, i quajtur ligji për Urdhrin e Psikologut. Sipas këtij ligji asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e psikologut në sistemin publik apo privat në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit të Psikologut dhe pa qenë i pajisur me licensën për ushtrimin individual të profesionit, të lëshuar nga ky organizëm. Si rrjedhojë, psikologët në të gjithë vendin do duhet të jenë të rregjistruar në urdhër. Ligji ka ngarkuar Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për krijimin e një Komisioni të Përkohshëm, i cili do ishte përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve të para të Organeve Drejtuese. Deri në këtë pikë, nuk kam asnjë vërejtje. Pas kësaj fillon gjithcka.
KOMISIONI
Ky komision u krijua me përfaqësues nga sektorë të ndryshëm, të cilët kishin detyrë organizimin e zgjedhjeve dhe natyrisht proçesin e rregullt deri në to. Ky qe legjitimiteti dhe natyrisht edhe kuptimi etik i komisionit. Por çuditërisht, pas dy muajve, ca prej këtyre, nga komisionerë na u kthyen në kandidatë për organet drejtuese të urdhërit!
Ministria nuk ndërhyri si rregullator, por u përfshi haptas në këtë aferë. Unë dua të mendoj pozitivisht, që ministria e ka bërë pa e kuptuar dhe pa u thelluar, megjithëse një institucioni të tillë vështirë t’i falet kjo lloj lajthitje.
Për shembull: “rastësisht” në aktivitetet e zhvilluara në disa universitete të vendit, si Durrësi, Shkodra, Tirana, ka marrë pjesë vetë Ministri Klosi, i shoqëruar me vetëm disa anëtarë të komisionit të përkohshëm. Kjo prezencë është argumentuar si “sensibilizim” dhe jo publicitet, por fushatën sensibilizuese mund ta bënte cdokush tjetër që ishte marrë me ligjin dhe jo anëtarët e një komisioni, të cilët paskan aspiruar që herët kandidimin. Ndoshta ministrit i ka shpëtuar detaji që bëhej fjalë për të njejtet individë, ndoshta edhe stafit të tij nuk i është dukur kushedi se çfarë, por këto dalje janë përdorur fuqishëm nga të interesuarit që ia kanë dalë të pëcjellin në rradhët e psikologëve propagandën se e kanë në xhep fitoren për shkak të mbështetjes “nga lart”.
Do doja të besoja që Ministri dhe stafi i tij në këto çaste të pyesnin veten:
A mos vallë janë këto shkelje të parimit të barazisë dhe proporcionalitetit dhe parimit të drejtësisë dhe paanësisë të shprehura qartë në ligj?? Mua më vjen keq që figura e një ministri të jetë keqpërdorur për fushatë nga disa anëtarë të komisionit-tashmë kandidatë. Më vjen keq që këshilltari i ministrit ka marrë pjesë gjithashtu në aktivitete me të njëjtët kandidatë që kanë shoqëruar ministrin. Më vjen keq që drejtoresha e ministrisë është shfaqur në emisionin “Wake up” vetëm me njërën nga kandidatet për presidente. Diskriminimi ndaj kandidatëve të tjerë nuk është në nderin dhe paanshmërinë e ministrisë përgjegjëse.
Pyes:
Sa i ligjshëm e po ashtu etik dhe i drejtë është ky precedent?
Për të ndihmuar përgjigjen po ju kujtoj se disa anëtarë të komisionit të Përkohshëm që kandidojnë sot, përvec favorizimit të pafajshëm nga Ministria kishin mundësinë e aksesit në të gjitha të dhënat e anëtarëve të rregjistruar në Urdhër. Ju të dashur kolegë, jeni habitur kur në celularin tuaj ju kanë mbërritur mesazhe nga stafi i disa ish-komisionerëve për një gotë verë apo për transport falas. Me të drejtë jeni ndjerë të dhunuar prej shkeljes së ligjit për ruajten e të dhënave personale dhe jam e sigurtë që gjykata do të na japë të drejtë nëse ngremë padi për këtë çështje
Për këto arsye, edhe të tjera, jam e bindur se nuk mund të quhet “fair play” procesi i sotëm zgjedhor. E kuptoj që, për Ministrinë është vec një punë më tepër, dhe që duhet kryer sot, sa më parë, por, nga ne psikologët, që jemi direkt të interesuar, nuk duhet trajtuar kështu procesi. Neve, nuk na nxiton gjë apo jo? Vetëm nëse kanë ndonjë ngut disa kandidatë–ish komisionerë?? Le të na e thonë se do përpiqemi ti mirëkuptojmë. Në fakt nuk e pres prej disave kandidatëve-ish komisionerë ndonjë shpjegim me bazë ligjore për këtë ngutje. Pasi jam e informuar se disa prej tyre në takimet e zhvilluara me psikologë i kanë ushqyer me skenarë të tipit-ju do futeni në provime të gjithë, ne do ju japim licensa, ne do amendojmë ligjin..etj
Le ti kthehemi procesit të sotëm. Jam e bindur, nga kontaktet që kam patur me shumë prej jush në facebook, -falë Zuckerbergut, dhe jo falë shpalljes së listave të votuesve, se ju ende, ashtu si edhe unë, jeni të pasqaruar për procesin zgjedhor. Ju keni të drejtë të njiheni me të gjithë kandidatët, dhe jo vetëm me ata që kanë patur mundësinë të kenë numrat tuaj të telefonit apo e-mailet, për shkak të aksesit të padrejtë në rregjistër.
Ju keni të drejtë të zgjidhni mes shumë alternativave, por në fakt nuk keni mundësi për këtë. Raporti i zgjedhjes është 1 me 2. Keni vetëm 2 kandidate për presidente, vetëm 15 kandidatë nga shërbimet ku do zgjidhni 7, keni vetëm 1 kandidate nga shoqatat, e zgjedhur automatikisht ose e refuzuar totalisht, keni 5 kandidatë nga pedagogët ku do zgjidhni 3.
Ju keni të drejtë ti njihni kandidatët në një debat publik në përballje mes tyre dhe të zgjidhni atë që ju përfaqëson më mirë. Ju keni të drejtë për të marrë kohë e të informoheni më mirë rreth procedurave të votimit, pasi që në krye të herës janë vërejtur shkelje flagrante si :
1. mos verifikimi i kritereve të anëtarësimit deri dje,
2. mos verifikimi i kritereve të kandidatëve- Kam dyshimet e mia të arsyeshme që mes kandidatëve aktualë ka syresh që nuk përmbushin kriteret ligjore për të qenë të tillë, psh 5 vite përvojë si psikologë.

3. mos shpallja e listave të votuesve, 15 ditë para zgjedhjeve,
4. mos shpallja e fushatës së zgjedhjeve,
5. mos përcaktimi i afateve të fushatës
6. mospublikimi i kandidatëve dhe karrierës së tyre,
7. hartimi me vonesë i rregullores dhe mos njohja e kandidatëve , votuesve apo edhe e vëzhguesve në kohë me rregulloren.
8. Mos shpallja në kohë e njoftimit për shpallje kandidature duke privuar shumë psikologë nga kandidimi. Shumë kolege të miat nuk patën kohë të mjaftueshme për të përgatitur dokumentet për aplikim.

Prandaj për të mos u zgjatur, unë sugjeroj që sot të konstituohet Asambleja kombëtare e Urdhrit dhe të vendoset një periudhë 1-mujore për fushatë zgjedhore duke përcaktuar edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Meqënëse jam e fushës së drejtësisë jua shpjegoj unë se pse nuk duhet të ngutemi.
Neni 22 i ligjit mbi Urdhrin e Psikologut, përcakton se afati 8-mujor nga hyrja në fuqi e ligjit, lidhet me përgjegjësinë e ministrit për ngritjen e komisionit të përkohshëm, dhe jo për organizimin e zgjedhjeve. Që do të thotë se nga 24 maj 2016 e deri më datën 24 janar 2017, do duhej të ngrihej komisioni i përkohshëm. Më pas ky komision do të vendoste mbi organizimin dhe modalitetet e zgjedhjeve. Jo më kot punonjësit social ende nuk kanë organizuar zgjedhjet e tyre, edhe pse ligji për punonjësit social ka hyrë në fuqi në vitin 2014.
Kështu pra, duke e shtyrë procesin e zgjedhjeve ne nuk shkelim asnjë ligj, përkundrazi u japim mundësi të dytë kolegëve në komisionin e përkohshëm të ushtrojnë detyrat e tyre në zbatim të ligjit. Në të kundërt, zgjedhjet e sotme do të konsiderohen të parregullta dhe për cdo shkelje do ti shterojmë të gjitha mundësitë e ankimimit, në respekt të vetes tonë, profesionit dhe ligjit.
Ju faleminderit!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*