Demokratë! Listat i patët para syve por uruat ta bëjë Zoti ëndërr. EDITORIAL

Listat nuk kanë qenë surprizë, për këdo që ka dy pare mend në Partinë Demokratike. Kush bën sot si i befasuar a i irrituar s’ka sy e faqe, se është bashkëfajtor.

Fillojmë nga forumet.

Po flasin sot “të zhgënjyerit” për statutin dhe shpërfilljne e forumeve drejtuese të partisë. Pa të kthehemi pak në kohë! Dy vjet më parë, kur PD humbte zgjedhjet lokale dhe Lulzim Basha shpallte fitoren. Atëhere demokratë dhe dashamirës pa parti këmbëngulën të bëhet analiza e humbjes. Me stilin tipik të Bashës që gënjen për të kaluar situatat, një herë shpalli nisjen e analizave, më pas shpalli kryengritjen e madhe për nga vjeshta 2015…. Ndërkohë forumet as u mblodhën e as vepruan, por këta që janë pezmatuar sot nuk e bënë të madhe.

Vazhdojmë me Pi Arin

Në dy vitet e fundit në PD kanë qenë të gjithë të lirë të bëjnë ç’të duan, ose më mirë: kanë qenë të nderuar kur s’kanë bërë asgjë. Përveç daljes në ekran! Pak herë kemi parë Sekretarin e Përgjithshëm, numrin 2 të partisë dhe nr. 4 në listën e kandidatëve të Vlorës. Edhe më pak kanë dalë Sekretari Organizativ, Sekretari i Burimeve njerëzore, kryetari i Forumit Rinor, drejtuesit e departamenteve. Në vend të tyre kanë çarë ekranet, në emër të PD -së Ervin Salianji, Grida Duma, Preç Zogaj….Kur dilte ndonjëri pa leje -bëhej nami!

Dhe për këtë , sërish demokratët e thjeshtë dhe forumet, edhe pse e kanë diskutuar fort nëpër kafene, s’e ngritën zèrin në parti, s’ thirrën strukturat dhe pritën me shpresën se pushteti do të binte nga qielli, si hurmat e pjekura në nëntor…..dhe do kishte për të tërë!

E mbyllim me çadrën?

Për të folur në çadër të thërriste në telefon një farë Odeta, që prezantohej si drejtuese e mixhlisit aty. JO drejtuesit e partisë! Dy ndihmësit e saj ishin….Salianji dhe Duma! Por sërish kjo nuk i zgjoi drejtuesit dhe forumet drejtuese të demokratëve, që dremisnin në radhë, si dikur tek qumshti, me shpresën dhe besimin se, kur të hapej dyqani, do kishte ….për të tërë!

Ish zv/presidenti i SHBA, Al Gore ka treguar një eksperiment interesant. Nëse merr një bretkosë dhe e hedh në ujë të nxehtë, ajo kërcen menjëherë jashtë. Nëse e fut në ujë me temperaturë normale dhe e ngroh ngadalë, ajo mbetet në tenxhere derisa ngordh. Kjo ka ndodhur edhe me Partinë Demokratike, forumet e saj drejtuese dhe një pjesë të drejtuesve.

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*