Dëshmi rrënqethëse: Ç’ndodh në QSUT. Rrëfen familjari.

E sheh këtë foto? Korridor tek spitali 5. Buka të të bjerë, merre e haje pa merak se është xixë pastërtia!

Por jashtë një kut e brenda një mut – thotë populli. Për çdo pacient shërbejnë të paktën 4 vetë: një që gatuan dhe 3 që bëjnë shërbim me tre turne. Këta janë familjarë. Po të mos jenë ata pacienti noton në shurrë e mut, nëmos vdes pa i plasur njeriu fare për të.

Falas është çdo gjë! …por ato që janë falas mungojnë. Nga përvoja personale: Dy skanera i bë ë familjarit tim të dielën dhe më çuan mua të blej CD se “për dreq qenkeshin mbaruar”! Donte të urinonte pacienti me ishemi cerebrale, me gjysmën e truput të paralizuar…po s’kishte enë! Premë një bidon, i mbajtëm rrushin që mos e bënte jashtë dhe ashtu e kryem.

Meqë jemi te urina. Duhen pelena. Ato blihen – natyrisht!  – në farmacitë përrreth. 70 lekë copa, shto edhe letrat e lagura e të thata, si dorasha llastiku e sapun. Ekziston një paisje e thjeshtë, PeniFlo quhet. Si tip prezervativi, me një tub e një qese në fund që…blihet në farmaci!

Pacienti pëson atak të dytë. I marrin gjak për analiza. Infermieri i turnit, me shumë dashamirësi, i mbështjell me fletën përkatëse të shoqërimit dhe ta jep në dorë. “Çoje në laborator!” – të thotë. “Ku…është?” Pyes unë i mpirë. A t’i rrij tek koka atij që lufton me vdekjen a të coj dy tubeta gjaku në firifistun? “Shko tek urgjenca e pyet”. 500 metra vrap. E gjej me të pyetur……

“Babai paska edhe (e më thotë emrin e ilaçit që ka vënë në kartelë mjeku për t’ia bërë patjetër tim eti) por …spitali nuk e ka”- e më sheh në dritë të syrit infermjerja.

“Uaaaa! -ia kthej me aq humor sa më ka mbetur – po ti do më befasosh kur të ketë ilaçe zonjushe” dhe i tregoj një barcoletë nga komunizmi që përfundon: ” Ne jemi dyqani “s’ka fruta”. “S’ka mish” është përballë”. Meqë ra fjala, edhe ujin për të pirë pacienti duhet ta blejë jashtë !

Për ironi, në çdo derë shkruhet se ndalohet prania e familjarëve!

Po kush do t’i ndërrojë, lajë, ushqejë, japë ilaçe? Një infermier për 40 pacientë e një sanitare për kat?

Në kat të parë automati i kafesë është i prishur, ndërsa distributori i pijeve është bosh! Dal të blej një kafe jashtë dhe pyes infermierin e natës “kafe apo makiato”?

– Jo jo!  -thotë – se më le pa gjumë!

Shihe edhe një herë foton e korridorit dhe shijoje! Fasadë e mrekullueshme! Shtretërit? Ulen e ngrihen me elektromotor. Natyrish, jo në çdo dhomë. Ama në çdo dhomë një gjë e kanë të përbashkët:karriget e rrjepura, thyera e shtrembëruara. E di pse? Sepse, kërruspull si maçokë, flenë familjarët…..

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*