Dështoi në bark vizita e Thaçit. Dëmi që i bënë çështjes kombëtare me këtë vizitë në dy anët e kufirit

Të dielën portalet njoftuan se në Shëngjin po bëhej plazh. Të hënën u shfaq një grup turistik nga Kosova, kryesuar nga presidenti Hashim Thaçi! Me formën dhe përmbajtjen e kësaj vizite zoti Thaçi me të tijët s’bënë tjetër gjë veç nënvijëzuar ndarjen mes dy vendeve dhe jo bashkimin.

Në takimet me Presidentin e Shqipërisë, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, informacionet zyrtare qenë të njejta si me vizitat e personaliteteve nga Sri Lanka apo Eritrea: U fol për bashkëpunimin e tërrci e vërrci!

Si vizitë e parë e Thaçit si president i Kosovës lajmi do të qe sikur ai, shoqëruar nga gjithë qeveria dhe nja dy autobuzë me biznesmenë, të zbarkonin nëpër Shqipëri e vetëm të nënshkruanin kontrata e protokolle. Kosova ka prodhim me bollëk e Shqipëria ka po ashtu mundësi pafund. Por tek njëri bëjnë qejf mallrat e serbit tek tjetri ato të grekut. Në vend të viçave e deleve të Sharrit industria jonë e sallamit merr derrat e fermerëve grekë, të subvencionuara nga shteti i tyre. Ndërkohë që korçarët vazhdojnë hedhin në lumë qepët e shesin për një kafshatë bukë mollët, në Kosovë nuk kanë ku shesin patatet…

Kjo do të qe vizita e parë e Presidentit të Kosovës në Shqipëri. Ky do të qe edhe minimumi i sensit të fqinjësisë së mirë, pale specifikës që kanë dy shtetet si gjysma të një kombi. Biseduan? Po kujt i hyn në punë kjo! Ka ekspertë e struktura të tjera që bisedojnë, hartojnë dokumenta e kontrata. Burrat e shtetit thjesht i japin nisjen.

Në këtë optikë vizita e Thaçit më shumë ishte e dëmshme sesa e dobishme. Një vizitë dyditore e një presidenti republike, shoqëruar me një staf ministrash, pa produkt ( marrëveshje, konventa, kontrata ) ka vlerë vetëm në rastin e shkrirjes së një marrëdhënieje të gjatë armiqësore. Ndërsa për dy vende që janë një komb por të ndarë fort edhe ekonomikisht, aspak nuk i shërben një shëtitje turistike si kjo e djeshmja

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*