Drejt Europës së Vjetër apo Jugosllavisë së Re? Nga Arben SKËNDERI

Ore, a e çoi Taulant Balla para dy të hënash atë padinë për Lulzim Bashën? Jo për gjë, por të enjten e 30 nëntorit, kur po diskutohej buxheti, nuk u mor njeri me të, por me retorikë. “Ti je hajdut” – “Ti je mafioz” dhe për ligjin më të rëndësishëm, me atë që do të funksionojë shteti për një vit rresht, nuk u mor njeri. Madje nga pasditja, me një xhest kavaleresk, kryetari i PD – së u ngrit nga vendi dhe, pasi tha se gjendja në vend po rëndohej nga moti, sugjeroi që të tijët të tërheqin diskutimet (!!!) Dhe kështu ndodhi! Opozita tërhoqi diskutimet “për t’i lënë mundësi qeverisë të jetë në krye të detyrës”, ndërsa kryeministri, të nesërmen, e vlerësoi lart këtë veprim të kryetarit të opozitës!! …A nuk po fryn era e një “17 maji” të dytë?

Pikërisht sot, kur Lulzim Basha deklaroi se nuk do të ketë një marrëveshje tjetër si ajo, sot konfirmohet se atë kanë ndërmend. “Nuk hyj në zgjedhje me Ramën kryeministër”! – çirrej në 90 ditët e çadrës. Atë në fakt bëri. “Vetëm po shkeli mbi trupat tanë hyn në Ministri të Brendëshme Fatmir Xhafa”! – dhe atë ditë që Xhafa hyri në Ministri, nuk pati asnjë trup për numër, pale për ta shkelur Fatmiri. Madje, për ta nënvijëzuar se Lulzim Basha, bën pikërisht të kundërtën e asaj që thotë, sistematikisht, shihni se Xhafa hyri për së dyti në qeveri, e këtë herë jo për 4 javë por për 4 vjet!

Po le ta shtyjmë naivitetin tonë deri në idiotësi e të themi: “E mirë! Mbase pas kaq vitesh ka bërë kthesë Luli e këtë rradhë e ka me tamam”. Por në këtë vend as idiot nuk të lenë të bëhesh me vullnet të mirë, sepse pa e mbyllur fjalën Luli, del PDIU, zari më i neveritshëm i Ramës, sidomos në këtë legjislaturë. Edhe kjo treshe që si parazit iu ngjit pushtetit…na del në një zë me Lulin në mbrojtje të Kushtetutës?

I mbetur “vetëm”, natyrisht që kryeministri do të ulet me “kundërshtarët” për ta gjetur një marrëveshje. Dhe kjo është shumë demokratike, sipas manualeve. Këta që theren në Kuvend, kur vjen ora “për të mirën e vendit”, i lenë mënjanë inatet e luftën dhe bëhen një!

…..kujto atë shprehjen tek “Gjeneral gramafoni”: “O popull! Sa gjëra bëhen në emrin tënd”! Edhe diktatura e proletariatit në emër të popullit e të së mirës erdhi. Edhe 17 maji gjithashtu. Por në 17 maj palët nuk i la “zjarrmia” të mbeten palë por u bënë botërisht çift. Dhe ky nam vështirë të dalë me “grindjet në çift” që ndodhin në sallën e Kuvendit a Facebook.

“Për të mirën e popullit” çifti po sakrifikon fort duke…u bashkuar. Basha po bën të vështirin, Rama babaxhanin dhe ndërkombëtarët – shkesin. Është po skema e 17 majit por skenaristi dhe regjisori po mundohen shumë që “Meet the Fockers” të jetë vazhdimi i “Meet the parents”, ama të mos ngjajë shumë me të. Kjo, për të mirën e popullit që nuk ka stomak ta tresë të njejtën fërgesë dy herë rresht në një vit.

Rama , gjoja si përgjigje (por si pjesë e skenarit) iu përgjigj kështu Bashës: “A ka budalla që e beson se SHBA/BE duan prokuror të përkohshëm për të mbyllur dosje hetimore duke shkelur Kushtetutën!Hajde politikë hajde”

Marrëdhënia me të huajt (që tashmë ne preferojmë t’i quajmë “ndërkombëtarët”) është paska e komplikuar. Asnjë vend, popull apo organizëm ndërkombëtar nuk vepron në politikë të jashtme në bazë të ndjenjave, emocioneve, mëshirës. Shikoni Sirinë, si rastin më të fundit. E gjitha është interes. Dhe në kushtet e sotme pyetja ime për këtë “integrimin” tonë është: KU?

NË EUROPËN E VJETËR APO NË JUGOSLLAVINË E RE?

“Mama” Mogherini ka marrë përsipër ca lobingje për çiftin shqiptar. Dhe çdo karrotë që i tregohet gomarit, e tipit: “do hapim negociatat”, është narkozë shtesë që pastaj përhapet nga anestezistët e këtushëm, ambasadorët përkatës, të cilët tashmë Rama me djallëzi i identifikon me SHBA dhe BE. Kur iu desh ambasadorit Lu, i thirri si dele deputetët e i “udhëzoi” se si të votojnë për reformën në drejtësi. Si i shpëtoi ky prokurori? Mbarimi i tij nuk qe si përmbytja e së enjtes, e papritur. Dihej në ky mandat skadonte, dihej që duhej ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë e nuk mund të digjej  jorgani për një plesht, sidomos kur ky qe thjesht një anëtar i shoqërisë civile….

Pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar, e ardhmja e BE nuk është më aspak e sigurtë. Të paktën ajo BE që u krijua as është më dhe më keq pritet të shkojë në vitet që vijnë. Por projekte të rilindura gjeopolitike, si Jugosllavia e Re, janë në lulëzim e sipër. Duke qenë nga jashtë dhe duke qenë si satrapët tanë e kanë fituar refleksin e bindjes absolute ndaj “shefit” dhe sundimin pa mëshirë e pa parime ndaj shqiptarëve. Kjo po ndodh dhe ky establishmet është i gjithi në të njejtën lojë!!

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*