Duhet një bythë për kryetar PD – je! Nga Armir SHKURTI

Për fat të keq po! Sepse ajo që nxorri në pah kjo puna e kryetarit të Partisë Demokratike na tregoi se askush nuk paska bythë për t’i dalë zot një platforme të thjeshtë dhe një kandidimi dinitoz përballë një kryetari tejet të diskredituar dhe amortizuar sa ky Basha i dalë nga Vaterloja e 25 qershorit, jo vetëm me disfatë por edhe me turp e damkën e tradhëtisë.

Një javë më parë, pra dy ditë pas zgjedhjeve, dhjetra figura të Partisë Demokratike nënshkruan një kërkesë për dorëheqje të kryetarit dështak. Si në këngën e Nolit për Bajram Currin,

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,

Pas ca orësh lavdi e mburrje, grupi u zbyth. “Jo po prit”, “jo po mori ai në telefon”, “jo po shih se ç’do të thotë fisteku në facebook”….dhe flaka e kashtës ra. Ra pikërisht për faktin se grupi nuk pati bythë!!

– Bythë në rradhë të parë në kuptimin e guximit. Që t’i dalësh ndesh kryetarit të Partisë Demokratike, në rradhë të parë duhet guxim dhe vendosmëri. Që të dyja vijnë nga parimet, vizioni dhe kontributet. Mirëpo në 4 vitet e udhëheqjes Basha, edhe shumica e anëtarëve të grupit “antiBasha” kanë fjetur njëlloj me kryetarit, kanë pritur me besim se do të jenë në lista, se “qingji i mirë pi dy nëna” dhe kur erdhi dita, u nxehën, u zemëruan, por bythë për të bërë një lëvizje të mirëfilltë politike e as për të çuar në fund një gjë që nisën, nuk patën

– Bythë gjithashtu në kuptimin e integritetit. Do të thotë që të kesh jesh figurë që ke dhënë shumë, nëmos gjithçka, për PD – në, që mendon me mendjen tënde, pavarësisht se i bindesh vijës dhe strukturave të partisë, se je demokrat i pakompromos në koncept e nuk lëshon pe edhe sikur të ta kërkojë shefi, ish shefi, mega shefi e Zoti vetë! Këta të grupit “anti” e nisën dhe e bitisën me sytë nga Berisha. Pse po flet doktori, pse s’po flet doktori. Këtu davaja humbi.

– Bythë në kuptimin e aftësisë dhe mbështetjes. Që kur grupi u quajt “antiBasha”, Basha qe i fituari. Nëse do të kishin ndopak stof lidershipi, të parën gjë që do të prodhonin, do të qe një platformë dhe një kryetar i ri, i denjë e i fuqishëm. Në vend të bënte këtë,  grupi vajtonte të ndjerin Olldashi dhe mbrohej nga armata e jeniçerëve bashistë që nisi etshëm sulmet e tipit “karrigehumbur”, “xhaketa të vjetra”, “të korruptuar”, “fajtorët e humbjes së PD – së” e plot nga këto. Ky grup firmonjësish mbeti po aty e po aq. Në facebook dhe në ca ekrane e portale, pa mundur të mobilizojë dhe sqarojë anëtarësinë dhe strukturat dhe pa kërcënuar aspak seriozisht pushtetin e Lulzim Bashës në parti. Në kushte të tjera nuk do të kisha hezituar madje të besoja se kjo mund të qe edhe lojë e vet Lulzim Bashës….

Do ta kisha besuar sikur të gjithë këta të mos kishin marrë shqelmin bythëve e një pjesë e tyre të mos qe dorëzuar përfundimisht e sot të deklarojnë të dëshpëruar zhgënimin  madje ndonjëri edhe largim nga politika. Morën shqelim bythëve se s’patën bythë, duke kontribuar tragjikisht në realizimin me sukses të misionit të lryetarit aktual për të kapur përfundimisht partinë që mori dhuratë katër vite më parë

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*