E mira e mbylljes së call center për Shqipërinë. Koli Nozi

Më vjen sinqerisht keq për mijëra shqiptarë që u tronditet jeta nga humbja e punës për shkak të mbylljes së call center në Shqipëri. Nuk dua të jem cinik e t’i lëndoj me këto mendime që vijojnë, por e vërteta do parë në sy edhe kur s’është e ëmbël…

E kemi thënë dhe më herët: CALL CENTER DHE FASONËT JANË EMIGRACION NË ATDHEUN TËND.

Mendo një djalë a vajzë që punon e jeton në një call center në Itali. Natyrisht që paguhet me standarte italiane, me të cilat paguan qeranë, dritat, ujin, blen ushqime e veshje dhe u çon dy lekë në Tiranë mamit dhe babit. Mendo motrën a vëllanë e këtij që punon në Tiranë, për të nnejtin punëdhënës…..

KU ËSHTË E KEQJA KËTU?

Kushti i parë i punës është të flasësh rrjedhshëm italisht ose anglisht, gjë që në shumicën dërrmuese e zotërojnë ata që kanë një shkollë të lartë. Call center në Shqipëri janë mbushur me studentë a të diplomuar në universitete. Ajo që perëndimi e quan “shtegëtimi i trurit”, masivizimi i këtij biznesi tek ne e ka realizuar në një formë të çuditshme. I ka kthyer të shkolluarit në operatorë telefoni që u mbushin mendjen italianëve të zgjedhin këtë apo atë shërbim.

Paga e kënaqshme ka qenë një kurth – jo i qëllimshëm, natyrisht – por shumë i suksesshëm për të mbajtur në amulli rreth 25 mijë të shkolluar shqiptarë. Do më shumë lekë? Puno më shumë orë në ditë! Dhe kaq. Kjo nuk të jep as më të voglin motiv e shtysë për të kërkuar diçka më ambicioze, më të përshtatshme për karierën dhe zhvillimin profesional.

Për qeverinë ky emigracion sui generis, ra si shiu në misër. Call center dhe industria fasone u quajtën prioritet, pasi pushtetet në Shqipëri punojnë me shifra dhe statistika. Mijëra vende pune, pa hedhur një qindarkë ishin njnë dhuratë nga qielli për rilindjen.

Një herë Nastradini i kërkoi fqinit kazanin. Ky ia dha me zorr se kish merak se ia dëmtonte. Por kur ia ktheu, Nastradini i dha edhe një tenxhere të vogël

– Po kjo?

– E polli kazani – tha Nastradini. Pas ca ditësh ia kërkoi sërish e fqinji ia dha me qejf, por Nastradini s’e ktheu më.

– Kazanin! – vajti e ia kërkoi te porta

– Vdiq!

– Ooo! Ç’na the! Si vdes kazani?!

– Epo një gjë që pjell edhe vdes – qe përgjigjja

Dhe vdiq për qeverinë kazani call center. Natyrisht që vdiq edhe për shumë të rinj të diplomuar e studentë e u prishi shumë ekuilibra. Por këtyre nevoja tashmë do t’u tregojë udhën e duhur. Ndoshta edhe kurbetin e vërtetë, ndoshta edhe një aktivitet privat a publik të përshtatshëm me formimin arsimor e profesinal. Ndoshta edhe rrugën a revoltën. Por pa valiumin italian të këtyre viteve shtresa potenciale e mesme shqiptare tani ka shanset të zgjohet e ta shohë në sy realitetin.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*