E vërteta e Besim Ndregjonit. Nga Namir Lapardhaja

Ka një problem me të vërtetën në Shqipëri. Sa herë që dikush hedh një akuzë, të vërtetë ose jo, del dikush tjetër që bën një kundërakuzë dhe, duke u krijuar një tymnajë, askush nuk e merr vesh se si qëndron e vërteta. Në këtë realitet, njerëzit e painformuar në përgjithësi, ndjekësi i thjeshtë i portaleve, lexuesi i gazetave dhe dëgjuesi i lajmeve e ka të vështirë ta filtrojë të vërtetën, duke qenë se ai bombardohet nga mëngjesi në mbrëmje vetëm me informacione, shpeshherë të paverifikuara.

Një gjë e tillë bën që palët të qëndrojnë në llogoret respektive, hendeku të thellohet, ndërsa e drejta dhe e vërteta të mos merren vesh asnjëherë. Në ditët e sotme, edhe pse ka kaluar një çerek shekulli nga rënia e komunizmit, një ndër akuzat më të përhapura është ajo e bashkëpunëtorit të ish-sigurimit të shtetit. Duke qenë se dosjet nuk u hapën kurrë, partitë poltike nuk ndërmorën asnjëherë një nismë serioze që ta sqaronte këtë problem përfundimisht, çdokush ka “të drejtë” të akuzojë tjetrin për spiun dhe bashkëpunëtor të ish-sigurimit famëkeq të shtetit.

Një gjë e tillë ndodh rëndom me shtresën e ish-të përndjekurve dhe ish-të persekutuarve, qoftë ndërmjet njëri-tjetrit, qoftë kur bëhen vegla të pushtetit, për të sulmuar bashkëvuajtësit e tyre të djeshëm. Duke mos mbajtur të njëjtin qëndrim për xhelatët e djeshëm, viktimë të propogandës qeveritare të majtë më së shpeshti bëhen viktimat e sistemit diktatorial. Një problemi të tillë i vjen në ndihmë edhe një opinion i gjerë publik, i cili, duke qenë në një krizë të thellë morale, nuk interesohet për të verifikuar dhe për t’i vajtur të drejtës dhe të vërtetës deri në fund.

Si shembull të këtij spekulimi me të vërtetën do të marrë rastin e Besim Ndregjonit, i cili shpeshherë ka qenë në qendër të këtyre akuzave. Vala e kësaj propagande u ndez sërish pak ditë më parë, ku zoti Ndregjoni u gjend në krah të kreut të PD-së, Lulzim Basha, në një aktivitet në çadrën e Partisë Demokratike, e cila prej një muaji vazhdon protestën në bulevardin përpara kryeministrisë për zgjedhje të lira e të ndershme. Portale të majtë nxituan ta akuzojnë dhe iu turrën Ndregjonit me një valë akuzash, të paqënda dhe të pavërtetuara, vetëm e vetëm për të bërë pis e për të hedhur baltë mbi të, por edhe mbi kauzën e Partisë Demokratike. Besim Ndregjoni është aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe ish-të Përndjekurve Politik të Shqipërisë.

 

Gjatë kohës së regjimi komunistë atij iu privuan e drejtat e arsimimit dhe e punësimit, duke u caktuar të punojë në punë të rënda dhe hapje tunelesh, ndërsa i ati i tij, Imeri, bëri 17 vite burg. Sot ai duhet të përballet me akuza të paqena dhe të sqaruara më parë. Filtrin e parë Ndregjoni e ka kaluar në vitin 1996, ku kandidoi për herë të parë nën siglën e partisë së Lëvizjes së Legalitetit.

Kështu, vendimi nr. 8, Tiranë, më 20.04.1996, i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e Figurës së Zyrtarëve dhe Personavë të Tjerë nën kryesimin e Hajri Mezinit, thotë se “duke vepruar në zbatim të ligjit numër 8043, dt. 30.11.1995, në mbledhjen e tij të datës 20.04.1996, mbasi shqyrtoi dokumentet zyrtare që ju vunë në dispozicion vendosi që z. Besim Imer Ndregjoni NUK rezulton të ketë bërë pjesë në funksione të përfshira në Nenin 2 të ligjit.” (Shih vendimin bashkëlidhur shkrimit). Neni 2 i ligjit Nr. 8043, dt. 30.11.1995, veç të tjerave, parashikon: “c) Të mos ketë punuar si oficer në Sigurimin e Shtetit (legal a ilegal), në repartet e ndjekjes dhe ato të ruajtjes së personaliteteve; ç) të mos ketë qenë i regjistruar në materialet e Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor (informator, agjent, rezitent a strehues) ose të mos ketë bashkëpunuar në mënyrë të ndërgjegjshme me Sigurimin e Shtetit (të mos ketë qenë zotërues i një apartamenti të vënë në ¬¬—dispozicion të Sigurimit të Shtetit); d) të mos ketë qenë denoncues, dëshmitar i rremë ose rëndues në procese politike në dëm të të pandehurve; dh) të mos ketë punuar si oficer në strukturën e kampeve dhe burgjeve me të dënuar politikë.” Në këtë kuptim, ajo që del qartë është fakti se strategjia e së majtës ka qenë kostante: të vendosim ekulibër në raportin me të keqen midis atyre që u persekutuan dhe persekutorëve. Nëse nuk ke qenë komunist, ke qenë bashkëpunëtor me pushtuesin, nëse nuk ke qenë sigurims, patjetër që ke qenë spiun.

Kështu plotësohej mozaiku shqiptar me bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor. Fajtorët asnjëherë nuk i ndanë privilegjet e tyre me viktimat, pëkundrazi i burgosën, i torturuan, i vranë, i lanë pa familje, pa shkollë, pa të ardhme. Kur komunizmi ra, u predikua që barra e fajit të ndahej me të gjithë popullin dhe kështu ndodhi. Fajtorët u fshehën, nuk u ndëshkuan, faji u shpërnda. Pas ca kohësh fajtorët u bënë biznesmenë, deputetë , madje edhe ministra. Viktimat u mjaftuan vetëm me kënaqësinë se për herë të parë në jetën e tyre nuk u diskriminuan, por u bashkuan dhe u bënë solidarë në ndarjen e fajeve e krimeve të diktaturës: ne kemi plagët ju keni armët, ndaj jemi një edhe bashkëfajtorë edhe bashkëvuajtës.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. Per te gjitha ngjarejet ne jeten e njerezeve dhe sidomos personat bublik apo figura te tjera jane te shenuara ne dosjet perkatese dhe ne kujtesen e njerzeve qe rrethojne njeritjeterin. Kur njeeri thur intriga per te demtuar tjeterin duhet te veproje drejtesia dhe kush intrigon te ndeshkohet. Por kete te keqe vet pushtetaret dhe politikanet e kane bere norme te moralit te tyre duke i sjelle nje dem te madh shoqrise Kujtoni Saliun si i ka dhene gojes duke i akuzuar dhe pasi ka marre pushtetin eshte pytur si do te behet me akuzen ai eshte pergjigjur se e kam bere per politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*