E vërteta e sulmeve të organizuara brenda PD. Basha dhe rrethi i tij drejtojnë rrjetin. KOMENT

Natyrisht që ditët e fundit ke parë shkrime, komente e më së shumti fyerje e sharje në facebook ndaj kujtdo që ka shprehur kritika a qëndrim ndryshe nga Lulzim Basha.

E vërteta është se ekziston një grup i krijuar enkas, që në PD me tallje e quajnë Call Center, që përgjon  çdo shkrim në media, çdo koment, sidomos të demokratëve dhe në mënyrë të organizuar i vërsulen me komente atyre që shënjestrohen si objektiv.

Objektiv i këtij Call Center-i kanë qenë Tomorr Alizoti, Fatmit Hoxha, Armir Shkurti, avokati Altin Goxhaj, Julian Deda, Belind Këlliçi, Bledian Koka, Besnik Mustafaj, Fabian Topollaj e plot demokratë a persona publikë që janë shprehur kundër Bashës.

Ideja për të ngritur një ekip të tillë për të përballuar propagandën e Ramës, që përdor njè strukturë të tillë, por shumë më të kualifikuar, ka qenë e hershme. Por kjo strukturë nuk u përdor kurrë kundër Edi Ramës dhe keqqeverisjes së tij. Përkundrazi! Në kuadër të “çadrës” dhe çka solli ajo, njerëz të rrethit të Bashës vunë në efiçencë një redaksi me persona të paguar dhe me vullnetarë që presin karierë pas pështjellimeve në PD. Detyra e tyre sot është të identifikojnë dhe godasin në grup këdo që del kundër.

Dora e Pi Arit lexohet qartë në teknologjinë e sulmit të Call Centerit Basha. Ashtu si nga gjysma e “çadrës” Luli shthuri gjuhën me “lesh”, “prapanicë”, ” “gomar” etj, edhe punëtorët e tij të parën “kartë identiteti” kanë vulgaritetin dhe gjuhën e dhunshme. Shenja e dytë me të cilin identifikon lehtë punëtorët e Call Centerit Basha është metoda bolshevike e luftës së klasave, tip Fronti Demokratik. Lukunia e redaksisë që shfrytëzon ambjentet dhe asetet e Partisë Demokratike për të sulmuar demokratë që s’janë me kryetarin godet tek familjarët dhe e shkuara e objektivit. Në mënyrë spekulative njërit i kujtohet djali, tjetrit gjyshi, dikujt një vend pune që iu dha, tjetrit ai që s’iu dha, duke u përpjekur të largojnë fokusin nga realiteti,nga mesazhi, për ta fokusuar tek bartësi i mesazhit i cili përherë del me cen….

Sikur çerekun e kësaj energjie, ky Call Center familjar ta kish përdorur në fushatë për të motivuar demokratët e për të mbajtur gjallë tezat e dikurshme të Bashës për Ramën si koka e krimit, si autor i kanabizimit  të vendit, mbase nuk kish për të qenë kaq e turpshme humbja…

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*