Edhe sa do të zgjasë “fajin e ka Saliu” dhe alibia e vettingut. Nga Llesh P. Gjeta

Saliu në burg! Saliu në burg! Buçiste sot shtypi i Edit sot, aq sa duket se vettingu ka qenë një kurth gjigand, i kurdisur fshehtas nga pushteti me qëllimin e vetëm Saliun. Ngjante se për muaj me rradhë legjionet e rilindjes kanë ngrënë thonjtë nga ankthi se mos ua zbulonin planin e kur dje Gjykata Kushtetuese vuri vulën, u lehtësuan.

Çfarë drame për 1 milion shuplakat që kanë votuar thjesht alibinë “fajin e ka Saliu”! Mirë që u mblodhën gjithë të këqijat e vendit e iu veshën kryeministrit të atëhershëm për ta bërë sa më bindëse kauzën e rrëzimit të tij. Por sot, në fund të mandatit, rilindja vazhdon me Saliun? Që kur Rama erdhi në pushtet mediat e ngushta të tij nuk rreshtën me të njejtin refren. Jo Basha, jo PD – ja, jo ish ministra e deputetë demokratë. Thjesht Saliu. Shtatorja e “Berishës së keq” ngrihet e lustrohet përditë e më ethshëm nga pushteti i Edi Ramës si e vetmja alternativë. Nuk ecën ekonomia? E la blozë Saliu. Nuk hyjmë në BE? Prej Saliut! Reforma në drejtësi? Janë gjyqtarët e Saliut! Basha? Nuk e le Saliu! Kanabis? Trillimet e Saliut!

Ia doli në plot katër vjet ky spekulant virtuoz që me Saliun të marrë pushtetin, ta mbajë atë dhe ta përqëndrojë në një dorë. Madje edhe në debatin e djeshëm në Kuvend me një socialist par excellence si Ben Blushi, Rama i ngjiti nga pas Saliun. Për çdo dështim a mosarritje i duhet një e keqe e madhe për ta fajësuar dhe këtë, me investimin e mediave të tij dhe verbërinë e atyre që i shkojnë pas, kryeministri i sotëm ka alibinë “Saliu”.

Ia ka dalë ky spekulant të ndërtojë një “Sali” më të zi edhe se Enver Hoxha. Krimet e këtij të fundit jo vetëm që nuk përmenden më , pale të dënohen, por ky kryeministër, në rastin e dekorimit të ballistëve të ekzekutuar pa gjyq nga Mehmet Shehu u rreshtua tek “ne”, komunistëve që fituan luftën, kundër “pulaxhinjve”, siç i quante kinostudio e Enverit ballistët. Saliu bëri Gërdecin dhe 21 janarin – thërrisnin sot mediat e rilindjes, duke vazhduar skalitjen e shtatores prej përbindëshi të “Saliut” të Edit.

PO SIKUR SALIU TË ARRESTOHET?

…siç gëzonin sot organet e rilindjes? A mbaron e keqja në këtë vend?

Nëse po, me dëshirë a pa dëshirë, por të gjithë do ta pranonim pa shumë diskutim këtë shpëtim për kombin. Jo vetëm Saliu por edhe ish ministrat e ish deputetët e tij. Në rresht për një! Nëse kjo do të qe për të mirën tonë dhe fëmijëve tanë?  Po pa diskutim që PO!

Por sot, meqë “fajin e ka Saliu”, nga jugu në veri mbillet hashash. Nga jugu në veri në këtë ndërmarrje mbarëshqiptare janë përfshirë drejtpërdrejtë funksionarë shteti dhe drejtues policie. Këtë denoncim e kanë bërë në kuvend deputetë dhe jashtë tij persona publikë, media a individë të zakonshëm. Pra kanabisi ka përlyer pushtetin. Kësaj si do t’i bëhet? Mirë Saliu është djalli e ata që i shkojnë pas janë shejtanët….po a janë engjëj këta të rilindjes?

Nëse Saliu arrestohet, dënohet, burgoset a çmos tjetër, nuk duket se Edi Rama me ramaducët përkatës do të heqë dorë nga “fajin e ka Saliu”. Më keq akoma! Bisha në kafaz do të shërbejë edhe më mirë për të identifikuar të keqen. Thjesht do të konsolidonte atë për të cilën po lufton prej kohësh ky kryeministër; TOTALITARIZMIN! Të parët të tijët e më tej gjithë të tjerët nuk do guxojnë të pipëtijnë duke mërmëritur: “Ky i vuri hekurat Saliut, ç’na ka ne”?

Si drejpërdrejt ashtu edhe tërthorazi, hareja në organet e rilindjes për vettingun na tregon dy dukuri të tjera:

E para, që tashmë Edi Rama ka shtënë në dorë sistemin gjyqsor. Deri tani, “Saliun s’e dënonin gjykatat e korruptuara, Lazarati…”. Po tani kush garanton të kundërtën? Fakti që me mënyrën se si u bë ligji i shërben plotësisht totalitarizmit, përqëndrimin e pushtetit në një dorë të vetëm; atë të kryeministrit.

E dyta, ndoshta më e parëndësishmja, por sidoqoftë e doemosdoshme në këtë tollovi, është larja e trurit për masën që gëlltit ç’sheh tek Bashkimi në mëngjes. Ashtu si tek komedia “Prefekti”  që Qazimi e shpjegonte fashizmin “si hallva me shumë sheqer” njëlloj edhe organet e rilindjes janë duke na thënë se vettingu është hallvë me shumë sheqer se do fusë në burg Saliun.

“Ju jetoni në kohën time” – u deklaroi duke qeshur dikur Sali Berisha në Kuvend rilindasve. Koha e vërtetoi këtë deklaratë. Pa Sali Berishën fati i rilindjes ndoshta do të kish qenë krejt ndryshe.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*