Fati i mëtejshëm i LSI – së. Refleksion pas ikjes së Metës. Nga Armir SHKURTI

Ende nuk ka ndokush prej nesh një informacion të saktë se ç’qe ajo e Ilir Metës. Por nga sa shohim e kemi parë, mundet të kemi nja dy hamendësime, që na nevoiten për të parë vetveten në një të ardhme jofort të largët.

Javë më parë qe pëshpëritur fuqishëm emri i Petrit Vasilit si presidenti i ardhshëm. Muaj më parë – edhe ai i Monika Kryemadhit. Pra nuk qe befasi një nga LSI-a president, por befasia qe AI. Ç’nevojë pati kryetari i partisë së dytë në pushtet, të lëshojë postin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë për një post me shumë më pak kompetenca e influencë, e mbi të gjitha, që e detyron ligjërisht të largohet fare nga partia? Në një mbrëmje të gjatë, në një emision si ai i mbrëmshmi tek Klani, shpresoj të na e rrëfejë pas ca vitesh. Por sot kjo lèvizje e beftë është ende e paqartë.

Kur themi LSI pa mëdyshje nënkuptohet Ilir Meta. Me “çoji një sms Ilirit të të mbarojë punë” dhe “Iliri është burrë. Po tha po -po! Po tha jo-jo!” u ngrit e u forcua ajo parti. Natyrisht, e mbështetur e gjitha në pragmatizmi më patriarkal dhe nepotik të mundshëm, patriarku i vetëm i të cilës është ai dhe vetëm ai.

Tani nyja ku lidhen të gjithë u këput e iku në presidencë. E gjithë kjo armatë e lidhur me LSI për një kafshatë bukë, për një vend pune, për karierë, pèr biznes, për mburojë….mbeti jetime! Të lidhur me “babin” thjesht pèr interes, kjo kategori ka natyrshëm prirje të vrapojë tek ai që ka pushtetin, gjë që këta kanë shqisën e të gjeturit me sy mbyllur në çast. Me gjithë respektin, por as Petriti e as Monika nuk bëhen dot Ilir. Ose të paktën për një farë kohe. E as Iliri nuk mund të jetë efiçent nëse ka ndèrmend ta drejtojë partinë ilegalçe, natën, nga shtrati presidencial.

Pra ç’do të bëhet me LSI në këto zgjedhje, në të cilat, përkundër parimeve të ish kryetarit Meta, partia e tij po hyn?

Nëse zgjedhjet mbahen pa opozitën parlamenti i ri do të jetë një surrogat i shëmtuar i ca republikave ish sovjetike nga Azia. Në atë asamble kooperative, natyrisht që PS do të ketë më shumë se 50% të vendeve dhe po aq natyrshëm LSI, si koalicioni i dytë më i madh, i takon të dalë në opozitë. Jo vetëm për formë, por edhe se për 8 vite ia ka prurë në majë të hundës Ramës. Pyetja është: Një grupim i ngritur mbi interesin pragmatist të secilit, nën besën dhe garancitë e një kryetari që s’është më…a ka ndonjë interes të qëndrojë 4 vjet në opozitë? E nëse po, me çfarë ideali, motivi a shprese?

Le të kujtojmë në këtë pikë edhe urrejtjen që kanë militantët si të PD ashtu edhe të PS për LSI -në për motive që dihen e s’është vendi t’i shtjelloj këtu. Pra që të gjithë e duan të pjekur LSI-në, gjë që pa Ilirin kryetar nuk është edhe aq e pamundur. Mjafton të shohësh PD-në pas Berishës, për të kuptuar se, edhe një front i themeluar mbi ca ideale e doktrina, tjetërsohet kur çedon lideri….

Pra cili është pazari apo skenari? Me ç’sllogan do ti mobilizojë Vasili militantët e votuesit në fushatë? Dje përmendi disa herë fjalën “punë” e “punësim”, por kësaj here vështirë të ketë qofte ke daja, se, po e bëri i vetëm a me Idrizin qeverinë Rama, mirë për punë s’do bëhet fjalë, por, siç e tha vetë para ca kohësh Titi, “kontrolloni mirë makinat se mos iu fusin gjë e ju hedhin hekurat”!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. Armir, lexova nje “lajm”, qe e bija e Ilirit, Era, nga Amerika mjaft e shqetesuar kishte pyetur – Po me LSI c’do te behet? (sepse keta i fusin ethet edhe femijeve per mbarevajtjen e partise!)… Nje komentues i pergjigjet Eres ne vend te Ilirit – Mos ki merak moj bije, ka lene baba hajdute sa te duash mbas vetes! Ky koment eshte edhe komenti im per shkrimin tuaj. Respekte!

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*