Fshati i budallenjve zgjedh kryetarin të çmendur. Tregim satirik Armir SHKURTI

Na ishte një fshat i humbur diku mes malesh. I bukur sa s’ka më, me pyje e lumenj, male e fusha, por për të zezë të vet, me fshatarë budallenj. Aq budallenj sa edhe shkenca kish dështuar para tyre. Studim pas studimi dijetarë nga e gjithë bota s’e kishin gjetur se përse ishin që të gjithë budallenj dhe se përse ishin kaq budallenj që të gjithë. Ca ia vinin fajin ujit, ca ushqimit, të tjerë genetikës, Këto ishin më kryesoret, se pastaj ishin ngritur hipoteza edhe për magji, për ndikimin e një nyje magnetike nën tokë, për eksperimente të alienëve e çmos tjetër. Sidoqoftë në fund të gjithë ishin dorëzuar dhe qenë tërhequr , duke e lënë fshatin në mëshirë të vet.
Kuptohet që studimet dhe eksperimentet nuk kishin kaluar pa lënë gjurmë. Kur u fol për ujin si shkak i mundshëm i problemit, që të gjithë e braktisën lumin e përrenjtë e fshatit dhe pinin vetëm verë e raki. Natyrisht që budallallëku i vditur edhe me alkool rritet shumë më shëndetshëm dhe për pasojë ç’nuk u kishin parë sytë vet budallenjve dhe atyre që vinin e i vizitonin hera – herës.
Por nuk jemi këtu për të numëruar budallallëqet e fshatit dhe as të fshatarëve. Ato meritojnë një enciklopedi më vete. Shkak për të rrëfyer këtë histori u bënë votimet. Dikush ua shtiu ndërmend banorëve se u duhej një kryetar. E gjithë bota qeverisej me një të parë i cili zgjidhej me votim, u kish thënë ai dikushi.
Kaq mjaftoi që të gjithë, i madh e i vogël, të mblidheshin te rrapi i fshatit për të zgjedhur kryetarin. Për nja gjysmë ore u rrahën me njëri – tjetrin për vendet se ku do të rrinin, kush do të fliste, ku do të uleshin. Kur u lodhën e u dërrmuan, e lanë drurin dhe u ulën si mundën. Asnjë nuk po e hapte mbledhjen. Të gjithë vazhdonin e bënin muhabet për qejf me njëri – tjetrin, pa e vrarë mendjen se aty qenë mbledhur për një punë fisnike: zgjedhjet e lira e të ndershme të kryetarit të ri. Papritur zhurmën e prishi njëri nga më llafazanët e fshatit.
– Ore, që ta dimë. Kryetari i budallenjve duhet të jetë budallai më i madh apo më i mençuri i budallenjve?
Kaq mjaftoi që të bjerë heshtje e thellë.Vetëm 5 minuta paqe në atë fshat! Pikërisht ato 5 minuta kur askush prej tyre nuk mendon. Por aq zgjati.
– Natyrisht më budallai! – u hodh ai që në fakt e mbante veten si më budallai i fshatit. E vërteta është se për të tillë e mbante i gjithë fshati. Ai kishte ndjekur një mizë kali që kishte gjetur mbi pilaf për tre ditë rresht , derisa e kishin kapur në kufi ushtarët. Nejse. Kur ai lëshoi këtë bombë i madh e i vogël u kthyen të revoltuar:
– E ç’do të thuash ti me këtë? – e pyetën pothuaj në korr
– Dua të them se më budallai jam unë dhe më takon mua të jem kryetari i budallenjve!
– Po të kishe qenë më budallai ti, nuk do të të shkonte ndërmend kjo gjë. Kështuqë ti je gënjeshtar dhe nuk e meriton – u hodh bariu i fshatit , i cili në fakt ishte i njohur për budallallëkun që kish bërë me delet. Se kush dreqin i tregoi një herë atë përrallën me Nastradinin që i kërkoi mbreti t’i sillte delet duke qeshur dhe ky, si në përrallë u preu buzët deleve, duke lebetitur fshatin kur panë delet si vampirë me dhëmbë jashtë e gjakun nëpër surrat.
– Po as ti nuk je budalla pra! – u hakmorr ai i mizës
E t’iu përveshën me shkelma e grushta njëri – tjetrin, fut e bjer. Po ashtu filluan të përleshen edhe të tjerët. Kështu ndodhte gjithmonë. Rriheshin kot, shkatërronin gardhe, pemë, rrugë, karroca e ç’të gjenin ..kot! Pastaj qeshnin dhe jetonin të lumtur. Edhe aty u rrahën.Kur u lodhën – ndaluan. Atëhere më i riu u ngrit dhe tha:
– Unë mendoj se asnjëri nga ne nuk meriton të jetë kryetar. Asnjë budalla nuk mund të votojë për një budalla tjetër. Dhe asnjë budalla nuk ka shans të drejtojë një fshat plot me budallenj. Prandaj kam një propozim. Të zgjedhim kryetar Groshën! – plasi rrëmuja sërish. Dy gra filluan të zihen për flokësh, dhe një burrë pyeti:
– Grosha? Po ai është i çmendur!
– Po pikërisht! Është i çmendur por jo budalla! Kështuqë askujt nga ne nuk i ngelet hatri.
Heshtje varri. Por kjo qe heshtja më e rrezikshme në botë, pasi në ato minuta ata, budallenjtë, në korr, po mendonin! Dhe pasi menduan, në mënyrë unanime votuan për të zgjedhur kryetar Groshën!
Grosha (kështu e thërrisnin qysh kur s’mbajet mend), jetonte vetëm në një shpellë në fund të fshatit. Gjithë ditën vizatonte me gisht nëpër mure me çfarë të gjente: me lëng domateje, urinë, gjizë, baltë e ….ç’të gjente domethënë. Ngaqë asnjë nga budallenjtë nuk e kuptonte se ç’ishin ato shkarravina, të gjithë e adhuronin si njeri të madh, por nuk i afroheshin se nuk merreshin vesh me të. Kur paria e fshatit vajti dhe e njoftoi se qe zgjedhur kryetar, Grosha mori hurin e iu turr për t’i trembur. Por, në vend të iknin, ata u ulën në gjunjë në shenjë nderimi. Ama kjo nuk e frenoi Groshën t’i rrihte një për një të gjithë. Ama ata nuk lëvizën e nuk bënë gëk. Përkundrazi. E adhuruan dhe dashuruan edhe më shumë. Me faqe të fryra, dhëmbë të thyer e trupin vija – vija nga huri, shprehnin dashurinë dhe adhurimin për kryetarin.
– Bah! Ai i duhet fshatit! Jemi milet i keq ne, e duam me dru po hë!
Të nesërmen Grosha çoi fjalë që të mblidheshin të gjithë në qendër të fshatit. Me këngë e valle, i madh e i vogël erdhi që në mëngjes. Grosha mbërriti pasdite. Kishte një letër në dorë.
– Dëgjoni! – tha – deri tani kemi jetuar në rrëmujë. Tani do bëjmë shtet!
– Uuuuurraaaa! – thirrën budallenjtë në korr, pa e kuptuar se ç’është ajo që tha Grosha.
– Këtu shkencëtarët nuk e kanë gjetur akoma se nga se vjen budallallëku. Unë po! E kam zbuluar dhe do ta zhduk të keqen nga ky fshat.
– Uuuurraaaa!
– E para dhe kryesorjaUnë do të zgjedh 10 budallenj nga njëra lagje dhe 10 nga lagjja tjetër. Ata do të zihen përditë me njëri – tjetrin dhe ju pastaj gjithë ditën do të gjeni se kush ka të drejtë e kush jo.
Që nga ajo ditë fshati jeton me rregulla e rend, si gjithë bota.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*