Gati zëvendësuesi i Ramës. Njëri prej dy gjysmëkloneve. Nga Llesh P. Gjeta

Do të iki para se t’u mërzitem shqiptarëve – ka deklaruar kryeministri Edi Rama. Natyrisht që nuk mund të merren seriozisht e aq më pak të besohen deklarata prej tij, por sidoqoftë, natyra bën punën e saj. Një ditë – herët a vonë – edhe atij do t’i afrohet data e skadencës.

Në stol të rezervave ka kohë që presin dy “rilindas”: Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri. Cili do të jetë i vërteti?

Pas një pushimi të gjatë Saje Qorri, siç i ka mbetur tashmë nofka , ka nisur të trashë zërin. Bëri lajm ideja e tij e çmendur për të dënuar me 18 vjet burg shoferët që bëjnë aksident me pasojë vdekjen, gjobat sa një rrogë mujore për rripat e sigurimit, patentat që do t’i heqë në rast se kapesh në timon duke folur në celular…. Duket sikur edhe ISIS është më i butë e tolerant se ministri ynë i brendshëm. Pse kështu, ç’ka ndodhur?

E keni parë macen se si u fryhet qenve kur u dalin para? Ndodh nga frika, se ndjehen të kërcënuara. Emri i Sajmir Tahirit ka të paktën që nga vrasja e të ndjerit Artan Santo në qershor 2014 e këtej që “pasurohet” me epitete e akuza konkrete , ku më e përditshma është droga. Ka që e akuzojnë drejtpërdrejt për lidhje kriminale me trafikantët e drogës, e të tjerë që e akuzojnë për paaftësi në lejimin e përhapjes së kësaj dukurie në gjithë vendin. Këto ditë Italia ia ka nisur me goditje të përqëndruar kapjen e skafeve me sasi marramendëse hashashi. Në këtë periudhë Italia ndodhet në ciklonin e debateve për legalizimin apo jo të kësaj droge, kështuqë këto aksione janë pikërisht në shërbim të një lobimi të caktuar politik e Sajmja s’ka ç’i bën. Në këto kushte del e trash zërin e fryn bishtin, por pa ndonjë dobi të madhe, se të keqen e të keqes së Ramës ai e mishëron përditë e më shumë.

Natyrisht që një figurë e tillë është e doemosdoshme në një rivalitet për pasardhës të Ramës. Pse jo edhe si fitues , në një situatë të caktuar. Por projekti, deri tani , është AI TJETRI, I MIRI!

Lali Eri, edhe ky i njohur masivisht me këtë pseudonim, mishëron “të mirat” e modelit Rama. Jo rastësisht ministria ku ai nisi punën e parë në shtet u quajt “E MIRËQENIES”. Në teori marketingu ky emër e bën për së mbari punën në vetëdijen dhe pavetëdijen e elektoratit. Pastaj, njëlloj si Rama, nga ministër u bë kryetar i bashkisë së Tiranës. Sot ai ka hapur sheshin qendror të kryeqytetit me një kohëzgjatje punimesh të njoftuara prej …një viti! Një vit një shesh si ky? Në fakt ai dhe shumë objekte të tjera do të qëndrojnë për shumë kohë hapur e me llaçra pikërisht për marketing. Aty ku shumica e tiranasve dhe shqiptarëve që vijnë në kryeqytet kalojnë me vete thonë: “po punon”. Ky është “Bob Ndërtuesi”. Njeriu i mirë që punon, që ndërton, jo si “ai tjetri” që të fut në burg, të dënon, shkatërron. Ky e ka hak të jetë pasardhës i Ramës, sepse i ngjan shumë, por i ngjan vetëm “në të mirë”. “Të ligat” i ka marrë Saje Qorri.

Ama po “e luajti bishtin” Lal’Eri? Ja ku është Saja! Megjithëse është një hipotezë kot, sepse tashmë modeli “Veliaj” është konsoliduar si i tillë. Erioni është po aq agresiv sa Rama, po aq i etur e babzitur, po aq i përfshirë e përlyer, por shumë më hipokrit e thëngjill i mbuluar. Ndryshe nga “shefi” që e ndërtoi udhëtimin drejt pushtetit dhe parave përmes sherrit , arrogancës dhe sulmit, “çiraku” është tepër rafinato. “Qingji i mirë pi dy nëna”. Me atë buzëqeshjen e shtirur, Lali ia ka dalë të shmangë sa më shumë armiq, kundërshtarë realë e potencialë. Tirana është një kurban aq i madh sa ka mish e kocka për të gjithë. Se mos nxjerr gjë nga xhepi Eri! Copa Tirane jep për shkëmbim. Kaq është muhabeti. Le të marrim dy situata të ngjashme se si i zgjidhin dy mëtuesit për zëvendësues të Edit:

Vijnë ca makina elektrike pa lidhje për policinë e shtetit. Tahiri del live në një ceremoni përuruese dhe çpon me fjalimin e tij të gjithë: nga opozita deri tek portalet. Në çast reagojnë të gjithë e ia numërojnë Sajes një më një; që nga lidhjet me krimin deri tek policët gjynah që shkojnë me autostop në punë rrugëve të Shqipërisë.

Vritet një i mitur në plehrat e Sharrës duke punuar. Të gjithë akuzojnë Lalin. Ai nuk ndjehet. Heq një drejtuese lajmesh nga televizioni i Koços , për shkak se po investigonte, mbyll një emision në Vizion Plus për të njejtin motiv dhe zhurma shuhet e harrohet. Ky blen, ai bërtet. Kush është i fituari? Me gjasa është Lali. Nëse Rama funksiononte me të dyja, pra edhe blerjen edhe bërtitjen, kjo ndodhte se ai ishte RAMA! Sjellja e tij e tillë është organike dhe e natyrshme. Dy gjysma Rame janë krejt tjetër gjë. Sidomos gjysma që mishëron të keqin e që më shumë është kopje se origjinal në çka bën.

Pra Lali me ç’po duket është “një klikim larg” vendit të kryetarit të PS dhe kryeministrit të vendit. Ka krijuar imazhin publik, lobimet politike të nevojshme, mbështetjen e Ramës, bazën ekonomike të doemosdoshme për këtë ndërmarrje dhe strategjinë për të mbërritur atje, urtë e butë kur duhet apo duke përdorur mashat e dhunshme kur nevoitet

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*