Gjojaçamët e Kuvendit si miza mbi tepsi të Edit. Nga Flamur TAJARI

A di njeri ç’bëhet me çështjen çame sot? S’është bërë muaji që kryeministri lexoi një paloprogram qeverisës. Natyrisht në të nuk bëhej fjalë të përmendej Çamëria, çështja çame a diçka e ngjashme. Ose më mirë me thënë, deklarohej e kundërta: ZERO PROBLEME ME FQINJËT! Të paktën me fqinjët grekë një ndër problemet kyçe ka qenë Çamëria dhe padrejtësitë që vazhdojnë prej dekadash.

Pa dashur të bëjmë histori, le të kujtojmë se ky komunitet i martirizuar ia doli të organizohet me shumë sakrifica në Shqipëri në grupime politike. Ia doli të përfaqësohet edhe në Parlament. Mirë a keq, në gjuhën e përditshme hyri termi “partia e çamëve” edhe pse përfaqësuesit e saj nuk ia dolën të materializojnë asgjë.

Sot që Edi e ka i vetëm tepsinë e saponxjerrë nga saçi, shohim se mbi të qëndrojnë të padëshiruar deputetët e “partisë së çamëve”. As çam, as Çamëri, as çështje kombëtare madje as çështje fare e ideologji nuk nuk ka në atë trio që ka dalë nga çorba e 25 qershorit. Por prania e ca deputetëve me pseudonimin “çam” s’bën tjetër veçse degradon e dekompozon një kauzë të ngritur me gjak e sakrifica.

Sot pra puna është më keq. Jo vetëm Çështja Çame është asgjësuar totalisht nga axhenda zyrtare, por po përdhoset në progresion gjeometrik nga ata që pretendojnë se e përfaqësojnë politikisht atë në Kuvend. Si të mos mjaftonte kaq, edhe në tensionimet më të fundit me Greqinë, nuk mungojnë deklaratat luftarake, a thua se këta të Shpëtimit mund të pushtojnë Athinën e të marrin Filatin e Paramithinë! Natyrisht me të tilla deklarata më shumë i japin argument grekëve për t’u kreshpëruar dhe për të patur sebep e të mos lëshojnë pe.

Por a ekziston çështja çame apo jo?

Natyrisht që po. Dhe jo më kot që të gjitha partitë e kanë joshur këtë simotrën me pronar Shpëtimin. Natyrisht që çamët nuk kanë marrë asgjë. Madje as ato mizerje vende pune që i premtohen sa herë tepsia është në saç dhe kur del prej saçit. Dhe aq më keq, që kanë marrë ndërkohë edhe namin e parazitëve të tepsisë, të një lobi kriminal e të inkriminuar, të pabesë e abuzues.

Do të thotë se kupola që uzurpoi dhe dekompozoi çështjen çame, nëse nuk denoncohet e largohet sot prej andej, ka gjithë mundësitë ta asgjësojë përfundimisht këtë kauzë dhe ta vulosë me të atilla njolla sa të mos ketë sy e faqe askush ta rinisë. Endej ky komunitet , për fat , është në kohë. Ka individë, grupe, fise e aktorë politikë që munden ta mëkëmbin sa nuk është vonë…

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*