“Gjylja e madhe plasi”!…por s’është fundi i botës. As për Lulin.EDITORIAL

Dje Basha nuk e dha dorëheqjen! Ai karagjozllëku i ngrirjes qe tipike e stilit “Basha”, plot hile e mashtrim. Edhe sikur të kish fituar ai 74 deputetët, deri në zgjedhjen për kryetar po kështu duhej të shkonin punët: kryetari në detyrë ua delegon të tjerëve organizimin e zgjedhjeve kur është vet në garë.

Dje Basha vetë dhe dora e tij u bënë copë për të mos marrë përgjegjësitë e disfatës dhe për të përhapur panikun se po iku Luli gjëmë e madhe do ta gjejë PD-në. “Mirë mo mirë, të drejtë keni. Por do ndodhë përçarje e madhe”! -qanin demokratë e demokritë. Pra njerëz naivë e të ndershëm e nga ana tjetër pragmatistë e hipokritë.

Por në fakt sot Partia Demokratike e Lulzim Bashës është më keq se e përçarë. E mbajtur në letargji për vite me rradhë, çarjet nuk duken edhe pse përditë thellohen. Helmi ndaj “të vjetërve që na çuan në humbjen e 2013” dhe “gagarelëve” që i futi kryetari i ri nga deriçka si koqe kandari për të balancuar numrin e të tijëve, e ka bërë punën. Rezultatët katastrofale të Durrësit, Vlorës e disa qarqeve të tjera janë dëshmi e këtij kalbëzimi që ka për majà Lulin.

Sot që gjylja e madhe plasi tellallët e Bashës po mbushin me panik anëtarësinë se erdhi fundi i botës dhe se e vetmja shpresë shpëtimi është të mbajmë fort Bashën. Në fakt, për rrethin e Bashës kjo është e vërteta. Të ardhur aty prej Lulit dhe për përfitime pragmatiste, ikja e këtij që është, mund të quhet fundi i botës pèr këta. Por hapja e garës për kryetar të PD-së është mundësia për një rizgjim të vrullshëm të qindramijë demokratëve, të mbajtur të mpirë nga kryetari aktual.

Rregullat e parimet demokratike nuk i kemi shpikur ne e as i kemi eksperimentuar ne. Ato janë fryt i një përvoje disashekullore botërore. Kështu për shembull, kur lideri humb -largohet. Kur votohet , kandidatët duhet të kenë kushte dhe mundësi të barabarta. Kur ka struktura dhe institucione -respektohen me rigorozitet.

Ndaj Lulit, që dhjeu dy palë zgjedhje si kryetar i opozitës i mbetet të bëjë një palë të hajrit brenda partisë që të dalë faqebardhë e të mbahet mend jo edhe aq për keq…

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*