Grabitja në Rinas/ Ish-shefi i Krimeve të Rënda të Durrësit: Ja çfarë nuk është bërë si duhet nga policia

Grabitja në mënyrë spektakolare e parave të një banke të nivelit të dytë, në afërsi të Rinasit, nuk përjashton mundësinë që struktura të brendshme të Policisë së Shtetit të kenë qenë mbështetje për grupin kriminal, por pa informacion të sigurt e të plotë nga vetë banka autorët nuk do të kishin mundur të realizonin atë. I këtij mendimi është ish-shefi i krimeve të rënda të Durrësit Adrian Gashi.

Në një intervistë për “Durrës Lajm” Gashi thotë se ngjarja është e paralajmëruar dhe mund të shmangej nëse patrullat e policisë do ta kishin nën mbikqyrje segmentin rrugor apo edhe autoblindat e automjeteve.

Zoti Gashi si e konsideroni ngjarjen e djeshme?

Është ngjarje e paralajmëruar dhe e përsëritur. Transporti i vlerave monetare është objekt sulmesh nga persona apo banda kriminale, për përvetësismin e vlerave monetare.

Është përgjegjëse policia për grabitjen?

Pavarësisht masave që duhet të merren nga kompania e policisë private nuk përjashtohet nga përgjegjësia as Policia e Shtetit, ishte një ngjarje e përsëristur tre herë. Policia e Shtetit duhet të kishte marrë masa shtesë për sigurimin e këtyre vlerave monetare për parandalimin e grabitjes.

Masat shtesë ku konsistojnë, çfarë nuk është bërë si duhet?

Në akset rrugore duhet të patrullojnë patrulla të policisë së përgjithshme. Ligjërisht nuk e pengon asgjë policinë të bëjë shoqërimin në distancë të vlerave monetare. Patrullimi duhet të bëhet në momentet kur në rrugë qarkullojnë makina me vlera monetare të mëdha. Në drejtoritë vendore të policisë ka një sektor që kontrollon policinë private. Dje mjetet e policisë private, të cilat transportonin paratë për në Rinas nga Tirana nuk ishin të përshtatshme. Ky sektor duhet të kishte ushtruar kontroll e të kishte marrë masa konkrete.

Po kështu në drejtoritë vendore të policisë një sektor i rëndësishëm është Parandalimi i Krimeve të Rënda. Objekti i punës së këtij sektori është të parandalojë ngjarjet, siç janë edhe vjedhjet me armë. Ky sektor ka objektiv mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale lidhur me këto vepra të rënda e të grumbullojë informacione të rëndësishme. Po kështu duhet të analizohej informacioni për individë apo grupe kriminale me tendenca për këto vepra penale, për mbajtjen nën kontroll të tyre.

Zoti Gashi si ish-shef i krimeve të rënda e me eksperiencë në këtë fushë, mendoni se autorët janë të njëjtë me ato të grabitjeve të tjera?

Po, nisur nga dinamika, organizimi i veprimit, nga marrja e informacionit janë të njëjtët që kanë bërë edhe grabitjet e mëparshme. Ata kanë një siguri shumë të madhe që nuk do të kapen nga policia. Ata kanë informacion të brendshëm nga banka për lëvizjen e sasive të mëdha të parave. Vlera është shumë më e madhe se 2 milionë euro.

Pse janë gjithomonë një hap para policisë? Janë të trajnuar?

Shqipëria ka një grup elementësh kriminalë që kanë marrë eksperiencë në disa shtete në fushën e vjedhjeve. Kanë sofistikuar taktikat e tyre, e nuk mund të themi se i përkasin zonës së Fushë- Krujës aty edhe ku ndodhin ngjarjet. Ky grup ka një siguri të madhe se nuk do t’i gjejë asgjë pas grabitjeve që bëjnë.

Kush ua jep këtë siguri? A ka shanse policia e shetit t’i kapë e të tregojë publikut kush janë ata? Ata lëvizin me targa false në një prej akseve ku askush nuk guxon ta bëjë këtë. Kush jua jep këtë siguri se nuk do të kontrollohen ndërsa lëvizin në rrugë?

Këtu ka shumë pikëpyetje që ngrihen. Nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë mbështetje nga struktura të brendshme të Policisë së Shtetit.

Pas grabitjeve seriale, a duhet t’i besohet ky shërbim policisë private?

Me ligj, policisë private u njihet armatimi e mjetet që kanë. Në situata të tilla duhet të forcohet kontrolli i policisë dhe roli i policisë së shtetit. Të merret policia e shtetit me shoqërimin e këtyre vlerave, bankat private këtë pagesë mund t’ia bëjnë policisë së shtetit, ashtu siç ia bëjnë privatit, por shërbimin në këtë rast do ta merrnin më të sigurtë.

K.H. 

Marrë nga portali DurresLajm/

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*