Hallall Lul Basha! E OJQ-ive Partinë Demokratike!! Nga Koli Nozi

Hap facebook-un e kryetarit të PD – së dhe sheh se stafi i tij kanë hedhur deklarata e lajme, pa e vrarë mendjen, duke folur në vetë të tretë në një faqe zyrtare ku presupozohet se Basha flet e shkruan vetë. Po , nëse kjo është e keqja më e madhe, ia marrsha unë!

Në dy postimet e sotme na shpërfaqet një kryetar shoqate apo komentator gazetash që sheh e dëgjon e në fund e mbyll me “i rëntë dambllaja Edi Ramës e na e heqtë Zoti nga pushteti. Amin!” Duket e tepruar? Mendon se po tallem?

Në postimin e parë për ditën e sotme, pasi rendit një sërë ngjarjes kriminale në vend, duke fajësuar Ramën dhe Tahirin për gjendjen e rënduar të rendit në vend, shih si e mbyll:

Ky është shteti i Edi Ramës, nderkohe qe ai llomotit ne Kuvend per drejtesine. Këtu ka përfunduar Shqipëria me Edi Ramen. Shqipëria do jetë pa krime, pa drogë, pa plehra vetëm pa Edi Ramën.” !!!!!

…po edhe aktivisti më idiot i shoqërisë civile, pale aktorë publikë e politikë, së paku do të tregonin një rrugëdalje a një alternativë se si do të qërrohet ky Edi Rama për t’i hapur udhën luleve të çelin aty ku sot Edi ka mbjellë drogë, krim e plehra! Nuk po them të bëjë thirrje, siç ka kohë Berisha që thotë “revolucion demokratik”. Por të paktën të thotë gjënë më të natyrshme dhe konvencionale; “në zgjedhjet e ardhshme, me votë”. Nuk po shkoj aq larg sa të pretendojë të dëgjojë nga goja e Bashës se përse dhe si do të jetë pa krime , plehra e drogë ky vend, kur të jetë bërë def Rama. Por të paktën një deklaratë me një fjali dëftore , me folje veprore të tipit “do ta heqim, do ta largojmë”…ndoshta edhe “do ta ndihmojmë të qeverisë më mirë”, siç na këshillon kështilltari i tij Henri Çili në një shkrim të pak ditëve më parë. Si të duash, përveç një fjalie pësore, vetvetore të tipit; “Shqipëria do të jetë…”

Iku kjo. Më vonë ai/ajo që i menaxhon faqen hedh një lajm që nis: “Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi turin e dëgjimit dhe bashkëbisedimit me drejtuesit e strukturave të Partisë Demokratike të degës 8 në kryeqytet.” Buuuukur!! Pa fyer të tjerët, por tek 8-a në kryeqytet pretendohet të jetë pjesa më elitare e kryeqytetit. Le ta quajmë “tur” edhe pse në fakt, duke qenë në derë të PD – së nuk ka pse shënohet në hartën e udhëtimeve të kryetarit nëpër Shqipëri. Por çfarë ka diskutuar kjo pjesë elitare e kryeqytetit dhe PD – së me kryetarin e madh? Në dyert e shkollave shitet më shumë hashash se më parë. Të dyja palët kanë komentuar se sa është trashur zullumi me hashashin dhe ….edhe ky lajm mbyllet me një mallkim, si i pari: “e gjettë nga Perëndia ky Saimir Tahiri”!! Nuk tallem! Ja origjinali copy – paste;

Pyetja që shtron çdo njeri normal, demokrat apo jo është: Si ka mundësi që ditën që kapeshin 11 tonë drogë ministri i Brendshëm rreshton ne frontin e të keqes opozitën, median, prokurorinë?! Përgjigjja është vetëm një: sepse ministri i Brendshëm është pjesë e këtyre 11 tonë drogë. Normalisht po të kapen 11 tonë drogë dhe ke pjesë e hisen tënde aty, të ikën zëri e të erren sytë, se po të shtrëngohet laku dhe më shumë do ti shtrëngohet.”  …DHE MË SHUMË DO T’I SHTRËNGOHET.  Vëre mënyrën vetvetore të foljes: laku shtrëngohet. Nuk ka autor që do t’ia shtrëngojë këtë lak: as populli, as drejtësia, as opozita jo e jo! Pra Dega 8 e PD – së së Tiranës ka shkuar,  ka takuar kryetarin dhe është kënaqur me përgjigjen për pyetjen e tij se si ka mundësi të kapen 11 ton drogë dhe Tahiri sulmon opozitën etj. I është ngjallur shpresa se ky Tahiri do ta gjejë , si Rama , nga Perëndia, se një  lak magjik që shtrëngohet vetvetiu do t’ia vëjë varrin!

Në ato kishat sektare në komunitetet e vogla latine mund të gjeshë situata të tilla, ku pastori u flet për të mirën e të keqen besimtarëve, për t’i ndërgjegjësuar që të qëndrojnë larg tyre e duke i ngushëlluar se Perëndia një ditë do ta dënojë mëkatarin e do zbresë të mirën. Ndërsa një force politike të parë opozitare, kurrësesi nuk i shkon kjo sjellje prej OJQ-je! Tipike për Shoqatat që vijnë vërdallë për të qenë në treg me kauza të tilla si; “të ndërgjegjësojmë nxënësit për rrezikun nga droga”, “stop dhunës ndaj grave”, “për një qeverisje më të mirë e transparente” e *lliqe të tjera si këto. Por ata e kanë me hak, se me një projekt si ky mbajnë frymën e vijnë vërdallë duke ruajtur zyrat e rrogat. Po si mundet që në të njejtën teknologji të funksionojë partia që rrëzoi murin e Berlinit shqiptar, që shembi diktaturën, që ka qeverisur këtë vend për 13 vite? Më tragjik është botimi i lajmeve të tilla në facebook -un e Bashës, pasi u shitet demokratëve nga jugu në veri si modeli. “Kështu do të funksionojmë ne tani e tutje! S’ka më jo varfëria, jo papunësia, jo rënia ekonomike, jo padrejtësia apo burgu. Tani ne do takohemi për t’i thënë njëri – tjetrit se ky pushtet është i lidhur me hashashin dhe që një ditë atij do t’i vijë fundi”.

As revolucion, as revoltë, as mosbindje civile, as zgjedhje të parakohëshme, as mbledhje faktesh e sensibilizim të opinionit ndërkombëtar. Asnjë aksion apo orientim për aktivitet opozitar.

Natyrisht që , për ta kthyer një parti hiperaktive dhe të mirëstrukturuar në një formacion OJQ – je, duhet talent dhe përkushtim i jashtëzakonshëm, të cilin vështirë se do t’ia harrojë historia kryetarit aktual Lulzim Basha!!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*