Ja pse Edi Rama është i doemosdoshëm në qeverisje vendit. Reflektim personal pas zhvillimeve të fundit. Nga Armir SHKURTI

Pas një kalvari 27 vjeçar më në fund Shqipëria po mbyll me sukses tranzicionin për të hyrë dinjitoze në fazën e zhvillimit perëndimor dhe europianist të saj. Shumë kritikë qortuan kryeministrin Edi Rama për figurën e “timonit vetëm”, por çdo mënyrë tjetër qeverisjeje do të qe vonesë e kotë, një xhiro në vend.

Në 4 vitet që shkuan Edi Rama tregoi kapacitetin e një burri të rrallë shteti, vizionar e të vendosur, të një lideri atdhetar që rriti rolin e Shqipërisë jo vetëm në rajon. Falë gjenialitetit të tij politik e gjithë skena politike shqiptare u konfigurua në këtë katërvjeçar, aq sa “rilindja” është kthyer në doktrinë edhe në forcat e tjera, përfshi Partinë Demokratike.

Në një bilanc të thjeshtë e të shkurtër le të përmendim , përmes fakteve, disa arritje unikale të kryeministrit Rama:

Për herë të parë në historinë e pluralizmit opozita e pranoi rezultatin e zgjedhjeve pa asnjë kundërshtim dhe pa asnjë kundërshtim përcolli edhe fushatën.

Për herë të parë forcat politike, jo vetëm u morën vesh paqësisht për krizën politike dhe të ardhmen e vendit, por qeverisën në harmoni së bashku.

Për herë të parë, falë përkushtimit të zotit Rama, Shqipëria u nda përfundimisht nga droga dhe kanabisi. Këtë nuk e them as unë as kolegë të tjerë, por e çertifikoi zyrtarisht opozita. Zoti Lulzim Basha emëroi një personalitet ushtarak si ministër të Brendshëm dhe ky nuk kapi a zbuloi asnjë vazo, pale parcelë me drogë, duke bërë edhe zyrtarisht zero thashethemet e gjoja kanabizimit të vendit dhe , aq më keq, shpifjet se kryeministri ka lidhje me të…..

A ka argumenta të tjerë se pse është mirë për Shqipërinë që Rama të qeverisë vetëm, bashkë me Bashën? Sa për të shkruar një libër ka! Por për sot po e ndërpes këtu, për të shpjeguar më poshtë arsyet e këtij shkrimi nga ana ime:

PO EDHE UNË KAM KALAMOJ O BURR’!

Në librin e tij “1984”, George Orwell përmend një term për një dukuri të përhapur në rregjimet totalitariste: “dymendimi”. Në jetën publike, politikë, dhe mediat shqiptare gjej përditë kolegë e miq që kanë mendim kritik si imi apo edhe më të hollë e të plotë se imi. Por kur shprehen publikisht prodhojnë lëtyra më bajate se ajo që ironikisht kam hedhur unë më lart. Këta mjeshtra të dymendimit janë lider sot në biznes, politikë e media. Janë Establishmenti. Janë ata që e dinë më mirë se ç’është e keqja, por vazhdojnë edhe ta prodhojnë, edhe të jenë pjesë e saja e mbi të gjitha të ta shesin si të mirën më të madhe e të vetme.

Po mendoja veten me kostum e kollare në një plazh nudistësh. Ndjeva turp edhe nga mendimi. Turp që isha në vendin dhe komunitetin e gabuar, turp nga veshja, turp nga veglat jashtë të plazhistëve….. Zgjidhja e natyrshme është zhveshja e menjëhershme. Dalja bythjashtë në çast. Ashtu komuniteti as qesh më me ty as të sheh vëngër, por të pranon me dëshirë si njërin prej tyre. Ikën ai siklet e vjen tjetri: nuk jam vetvetja. Nuk është bindja dhe as besimi im ky.

E bëra një provë me atë lëtyrën më sipër. Më beso, një dorë e kam përpara, “tek vendi”, se po më duket se, edhe pse për provokim, shumë lakuriq jam. Por e parë në mënyrë pragmatiste, nëse e bëj seriozisht atë punë, fytyrat e buzëqeshura do të më shtohen papritur, nga shkallët e pallatit tim tek zyrat e pushtetit dhe baret e hoteleve të shtrenja të Tiranës. Do të më gjejnë numrin e telefonit kolegët që drejtojnë emisione të mëdha në media, ata që lexojnë heshtur analizat e mia e pastaj botojnë nga 3 – 4 të tyret me të njejtat teza, por duke i shitur si gjetje personale. “Armiro si ke qenë? Po mendoja se do ishte perfekte që sonte të vije në emision të flisnim për…..”

..po pastaj do t’i bije unë telefonit të një “nudisti” e t’i kërkojë liçencë për…, leje për…, vend pune për…. , pushime dhe shumë lekë xhepi për vete. Po pse o gomar nuk e bën? – më pyet ti.

Po hë pra, pse ? Përvoja më thotë se LIRIA KA ÇMIM SHUMË TË SHTRENJTË, POR IA VLEN PËR SHIJEN UNIKE QË KA. Por sot pyes sërish veten: Po a ia vlen të jesh i lirë në kampin e skllevërve të dymendimit? Me një llogari të thjeshtë artithmetike ato 15 -20 rreshtat e para të këtij shkrimi, bashkë me emrin “Armir SHKURTI” përbri i paguajnë për flori në ca gazeta e portale. Vetëm shkrimi si shkrim, pa futur në hesap çmimin e prapanicës!

PO KE KALAMOJ PËR T’RRIT O BURR’  – më këshillojnë miq e jomiq. Ca me çiltërsi ca me hile. Por të gjithë në një zë. “Ky ven’ ka mor fund o Miro, ti do ta rregullosh e? Si t’gjithë o vlla! …

 

 

 

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*