Jemi në luftë të re me komunizmin dhe do ta fitojmë atë. Nga Fatmir HOXHA

 

As vetë komunistët , në deliret e tyre më të shfenuara, nuk do ta kishin ëndërruar që në vitin 2017 ata të ishin në pushtet , duke gëzuar pronat e pronarëve të ligjshëm, duke ndërtuar qeverinë me fëmijët e nipërit e bllokut dhe duke mbajtur pushtetin me ish Sigurimin e Shtetit. As më trimi prej tyre nuk e ka çuar ndërmend që pas 27 vjetësh isht të përndjekurit politikë të jenë të përndjekur politikë dhe lufta e klasave të jetë doktrina bazë e pushtetit.

Për fat të keq kjo ndodhi. Tranzicioni na rezultoni një periudhë e trazuar kalimi të pushtetit nga etërit tek bijtë, nga e majta ekstreme tek e majta liberale, e cila ka investuar gjithçka që në këtë vend të shtypet çdo organizim për themelimin apo riorganizimin e të djathtës tradicionale dhe konservatorizmit në vend.

A GABUAM NE?

Shumëkush prej nesh fajëson vetveten dhe klasën nga ne vijmë. Por në analizë të ftohtë dhe racionale nuk është kështu. Pas një genocidi të pashembullt dhe sistematik ne dolëm nga demokracia të gjymtuar fizikisht dhe psiqikisht dhe të gjakosur  prej ekzekutimeve, vrasjeve pa gjyq dhe vdekjeve masive në burgje e kampe pune. Ne dolëm të mjerë ekonomikisht, pa bukë, pa shtëpi, pa zanat e shkollë brezi i ri, përballë një klase që kishte patur të gjitha pushtetet dhe që ruajti me fanatizëm lidhjet mes vetes dhe ato që kish krijuar nëpër botë, për të rilindur në formën e një oligarkie.

SOT E KEMI DETYRË THEMELIMIN E SË DJATHTËS DHE KONSERVATORIZMIT NË SHQIPËRI.

Atdheu është i pari! Kujt nuk i pëlqen kjo, është armiku ynë. Internacionalizmi proletar dhe liberalizmi i 27 vjetëve të fundit e katandisi Shqipërinë në një tokë shterpë, të keqtrajtuar e shterpëzuar, me asete kombëtare të përvetësuara dhe ndara mes çakejve të oligarkisë. Pra e para detyrë e jona si e djathtë, si PDM e re dhe si shqiptarë është kjo: ATDHEU I PARI! Kjo është e panegociueshme dhe e patjetërsueshme dhe kjo do të jetë beteja jonë deri në vdekje, bashkë me aleatët që duan të na bashkohen. Kjo platformë kombëtare është tashmë gati dhe do të shpallet në çastin dhe vendin e duhur.

Përsa i përket përparësive të tjera në pushtetin e ardhshëm, beteja jonë do të përqëndrohet në rradhë të parë në intergimin e fëmijëve të ish të përndjekurve dhe persekutuarve politikë në rradhë të parë në politikë, në administratë e më tej në gjithë jetën e vendit. Pa u realizuar ky kusht ne deklarojmë se paqe sociale në këtë vend nuk ka!

Dëmshpërblimi për të ekzekutuarit dhe të dënuarit u vërtetua se qe demagogji e Edi Ramës. Brenda 4 viteve të ardhshme ne e kemi zgjidhjen dhe platformën e betejës sonë. Një pjesë të mirë të parave do t’i sigurojmë nga sekuestrimi i çdo qindarke të pajustifikuar të politikanëve dhe gjyqtarëve në rradhë të parë, të  çdo punonjësi të administratës shtetërore e po ashtu nga paratë dhe pronat e sekuestruara kriminelëve prej ligjit antimafia. Në fund të fundit e gjithë kjo oligarki është përgjegjëse për gjendjen e ish të përndjekurve sot dhe është në moralin tonë që në rradhë të parë ATA të paguajnë.

SHQIPËRINË E SHKATËRROI KOMUNIZMI DHE PO E SHESIN BIJTË E BYROSË.

Luftës së re të klasave ne do t’i përgjigjemi me të njejtën monedhë. Amanetin e njerëzve tanë që u vranë nga komunistët për Shqipërinë  sot ne e kemi kauzën tonë. Për këtë arsye:

Me vendim parlamenti Enver Hoxhën do ta shpallim diktator dhe do të dënojmë po përmes ligjvënësve, mbështetur edhe në dy rezoluta të Këshillit të Europës, edhe diktaturën në Shqipëri. Për realizimin e këtij misioni PDM e re dhe aleatët tanë konservatorë dhe të djathtë do të kërkojmë mbështetjen e presidentit të SHBA, Donald  Trump, si vendi lider i luftës kundër komunizmit që shumë herët.

Misioni ynë do të quhet i kryer kur në Shqipëri të instalohet një shtet i së drejtës, një drejtësi e pavarur, e pastruar nga kriminelët e komunizmit dhe të korruptuarit e tranzicionit.

Fatmir Hoxha, Kryetar i Partisë së të Drejtave të Mohuara e re

 

Marrë nga gazeta Drejt

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*