Ju tregoj për interes të kujt ju shiti Rama o shqiptarë tek plehraxhinjtë! Llesh P. Gjeta

Quhet “oligarki”!! Dikush tjetër ka qejf ta quajë “Mafia” e nuk është shumë larg. Ky kryeministër bashkë me rilindjen e tij punojnë për hesap të interesave të caktuara të biznesit. E theksoj ; “interesa të caktuara”, se po të qe në interes të biznesit në total kundër atyre të qytetarëve, do të qe gjysma e së keqes.

Së pari po sqaroj lidhjen oligarkike të Ramës. U tha shkaras nga Eduart Shalsi në Opinion tek Fevziu se “bizneset kanë investuar në këtë industri”, por sot kryeministri na tha edhe shifrën: 273 milion dollarë!

Mos more! Domethënë, se këta kanë investuar, ne jemi të detyruar t’u çojmë lëndën e parë, se s’kemi ç’bëjmë? Si kanabisi, që tashmë u mboll, a nuk i fusim një të legalizuar – thotë Koçoja. Fiks tre vjet më parë ky kryeministër e nisi punën me tri bëma: Hoqi nga muret foton e presidentit, ndaloi të gjithë veç vetes të flasin me publikun dhe anuloi ligjin e plehrave, duke ia futur sa krahu shqiptarëve naivë, që po festonin se hoqën Saliun. U anuloi edhe referendumin, se e zgjidhi me shpatë ky!

Logjikisht , edhe më optimistët, që mund të kishin blerë ndonjë kazan deri atëhere, me vrap do ta kishin shitur kur panë gjithë këtë vendosmëri e përkushtim, e më pas pranga e arrestime për një kupon a një tel jashtë sahatit të dritave. Por jo! Ata na paskëshin hedhur plot 273 milion dollarë në këtë biznes. Nga e dinin se do të çelej? Cili është ai biznes në botë që hedh para kot , kur pushteti dhe politika kanë qenë të prerë kundër? Mafia – do të thotë dikush. Oligarkia – dikush tjetër. Kushdo të jetë, gjithë rrugët në Bugjeovicë të çojnë. Pra tek ai që di se ç’ka në kokë Edi Rama. Apo , për të qenë më të drejtpërdrejtë, tek Edi Rama. A e ka bërë me hir, a ke ka bërë nga zorri, më vonë do mësohet.

Së dyti: pse është kundër shqiptarëve?

E thashë më lart talljen. Ua hoqi me të parin vendim biznesin e plehrave. U hoqi edhe mundësinë e referendumit e tani po ua lëshon në shpinë me ligj. Betohet e premton rilindja me në krye Ramën se “s’do ketë lëndë radioaktive në ato që do importojmë”, se s’do ketë lëndë të rrezikshme, se nuk do të ndotet mjedisi etj. Kështu u betua se pas 300 ditëve të ardhjes në pushtet do të kishte vendosur plotësisht rendin dhe do të kishte nën kontroll çdo metër katror të territorit të Shqipërisë.

Edhe nëse bëhemi për një çast me Edi Ramën dhe themi se “ka përmirësime shumë të mëdha nën qeverisjen e tij”, ekziston një forcë madhore që na e shumzon me zero çdo “arritje”: BE! Përsa kohë ne qëndrojmë jashtë Bashkimit Europian , do të thotë se nuk përmbushim standartet, që nisin që nga ato ushqimore, ligjore, ekzekutive, demokratike, e deri tek ato mjedisore, si puna e plehrave. Europa na ka matur se ç’mysybet jemi në të gjitha e ndaj na le jashtë. Kështuqë, sado vullnet të mirë të ketë Edi, Damiani, Arbeni, Shalsi a Besnik Bare, në kufi, kundrejt zarfave përkatës mund të hyjë edhe elefanti me të birin, mund të kalojë drogë e klandestinë, pa përjashtuar edhe mbetjet e dëmshme. Është çështje standarti, vullneti politik dhe…zarfi! Se ai zarf që ka hapur ligjin e paimagjinueshëm se mund të rimerrej nga Rama, nuk e ka për gjë t’ia kalojë për shalësh këtij populli çfarë dhe kur të dojë

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*