Ka or ka opozitë këtu…Por jo kjo e Bashës. EDITORIAL

Raporti i OSBE për zgjedhjet e 25 qershorit në fakt konfirmuan atë që pritej: Nuk ishin të lira dhe të ndershme! Natyrisht që të tilla nuk priteshin dhe nuk kishte se si të bëheshin, pas marrëveshjes së 17 – 18 majit të Ramës me Bashën.

Në një vend të lodhur nga ky refren që përsëritet nga ndërkombëtarët pas çdo votimi, “jo të lira e të pandershme” nuk kish pse bënte përshtypje, nëse konteksti kësaj rradhe s’do të qe krejt ndryshe. Kjo qe hera e parë që palët hynin në fushatë e në votim me një marrëveshje. A qe marrëveshja për…votime të manipuluara? Është pyetja që në mënyrë cinike e të vetvetijshme vjen pas 25 qershorit.

Pse heshti Lulzim Basha dhe opozita? Është pyetja tjetër, tepër serioze. Pse e futi partinë në një rrëmujë zgjedhore, për të fituar ala Sadam me “votë plebishitare” një mandat të palavdishëm, duke tërhequr gjithë vëmendjen nga 25 qershori dhe katastrofa politike që solli, në konsolidimin e një ESTABLISHMENTI të ideuar prej kohësh.

Po sot, pas raportit të institucionit ndërkombëtar të specializuar për zgjedhjet, pse nuk del, siç ka detyrën, kryetari i Partisë Demokratike në opozitë e të mbajë një qëndrim. Qoftë edhe për të deklaruar se “nuk ka qenë kjo marrëveshja”?

Ka një aktor politik, në gjithë këtë pocaqi politike, që me a pa dashje mbeti nga ana e së drejtës dhe e moralit, si civil ashtu edhe moralit politik: VOTA KUNDËR. Pati një frymë shumë të mirë qytetare, nga aktorë të pavarur nga njëri – tjetri, që bënë thirrje në rrjetet sociale për të shkuar në votim e për t’i vënë kryq votës. Për herë të parë kjo frymë u kthye edhe në aksion politik, i përfaqësuar nga Aleanca Popullore. Kjo parti parti, edhe pse në zgjedhjet e 2013 -ës ishte në koalicion me Rilindjen, nuk pranoi fetën e pushtetit ofruar nga Rama. Ishte forca politike që çoi në Kolegj Zgjedhor pasojat që solli 17 – 18 maji i Basha&Rama e më pas, pa vendosur kandidatë , nisi një fushatë të mirëfilltë për votën kundër, duke i bërë thirrje shqiptarëve të shkonin tek kutitë por të vendosnin një kryq mbi fletë, si votë kundër këtij establishmenti.

Sot duket se kjo lëvizje është në kohën dhe vendin e duhur.

Së pari, u tha edhe botërisht që marrëveshja famëkeqe pati qëllim edhe nxjerrjen jashtë loje të partive të quajtura të vogla. Pra ngushtimin e alternativave dhe hapsirave demokratike.

Së dyti, aktorët e marrëveshjes demonstruan e po demonstrojnë qartaz se janë në një teatër të përbashkët, në një tango lento, që s’është gjë tjetër veçse autokraci e Ramës me një fasadë opozitë të Bashës.

Së treti, padrejtësitë, varfërimi, prepotenca e pushtetit ka rritur dukshëm krizën e besimit dhe përfaqësimit politik.

Së katërti, aktorët e përjashtuar dhunshëm nga “tepsia”, sot edhe fizikisht janë jashtë edhe politikisht janë të motivuar kundër establismentit.

Pra lënda e parë ekziston për një front të gjerë qytetar e politik opozitar të mirëfilltë. Ekziston kauza politike , aksioni politik dhe produkti elektoral, ai i votës kundër , i Aleancës Popullore dhe frymës qytetare. Ekziston raporti i OSBE që i cilëson si jo të lira dhe të pandersme zgjedhjet. Do të thotë edhe produktin e zgjedhjeve, që është ky parlament dhe kjo qeveri.

E gjitha kjo për t’u dhënë përgjigje atyre që thonë: “Po s’ka opozitë”. Ka or ka opozitë, opozitarizëm, moral dhe zemëratë të mjaftueshëm për të rrëzuar këtë establishment si në vitin 1990 atë të mëparshmin. Çështja është si do të luajë?

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*