Katastrofa e Tiranës me emrin Erion Veliaj Nga Indrit HOXHA

 

Edhe pak dhe Tirana e vjetër tretet përfundimisht. Tek – tuk nëpër ndonjë lokal a facebook do të shohim foto të vjetra, të zverdhura nga koha, të zejtarëve dhe blerësve me qeleshe e brekushe, urën e Tabakëve, Kursalin, pazarin e vjetër, fillimin e ndërtimeve në bulevardin Dëshmorët e Kombit e ndonjë gjë tjetër nga ajo kohë.

Asgjësimi i Tiranës ka për autor një mjeshtër të madh, të quajtur Edi Rama. Për 11 vjet ai punoi sistematikisht për këtë projekt. Natyrisht natyra pragmatiste shqiptare u mrekullua nga “heroi” që i rriti vlerën tokës dhe ktheu qerpiçin në beton. Në mes të viteve 2000 kishte plot tironc që ta përplasnin në sy: “Vallahi mo, jina demokrat e votojm për Salën, po për bashkin’ vallahi ia japim Ramës se i dha vlerë shpijave ene tokës ton’ ”

E ia filloi buldozeri duke rrënuar avlli e shtëpi, u hapën gropa e themele e hodhën shtat lloj lloj monstrash, ca me projekt ca me tamina, një me drejtim lindje – perëndim fqinji Jug-lindje –veriperëndim, njëri 5 katësh me 5 të tjera shtesë e pafundësisht shpikje e modifikime, pas të cilave, në vetëm një dhjetëvjeçar, Tirana humbi kuptimin e një qyteti të jetueshëm e u kthye në një fjetinë të madhe ku as për të luajtur me peta fëmijët nuk ka më vend.

Por “ëndrra vazhdon”. Tashmë kemi delfinin e Ramës në vendin që më herët e mbante kryeministri i sotëm. Quhet Erion Veliaj. Është në atë vend vetëm se i ka shërbyer me zell Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit. Në një intervistë të ca muajve më parë në Vizion Plus u shpreh krenar që është një nga njerëzit e Sorosit. I shërbeu Ramës me Mjaftin kundër Nanos. Më pas iu ngjit e i shërbeu si jeniçer kundër Berishës dhe çdo kundërshtari tjetër, duke i denomstruar nënshtrim total dhe bindje të verbër.

Për këto arsye Erion Veliaj është sot Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në terma konkret është sekretari i Edi Ramës në bashkinë e Tiranës. Po e administron këtë institucion pikë për pikë si idhulli i tij dikur. Qesharak por e nisi me lyerje fasadash, njëlloj si Rama. Madje tek Shallvaret iu kthye për së dyti. Nuk le rast pa dalë me garuzhde në dorë e përparëse gatimi duke shpërndarë supë e kotoleta në sebepe lokale, ditë botërore a festa kombëtare, për të prodhuar për veten imazhin e paraardhësit: PUNON!

Për fatin e tij të mirë , tek një pjesë e elektoratit ia ka dalë ta mbjellë këtë imazh. Për shumicën e shqiptarëve që i presin drutë shkurt, e mira dhe e keqja vjen nga qeveria e madhe. Edhe ku bllokohet trafiku, edhe kur rritet çmimi i ujit, edhe kur bëhet çdo rrugicë parkim me para, …”qeveria!” –thonë. Pra një pjesë të mirë të kusureve ia ka hequr Rama me rilindjen në qeveri. Lali, (kështu tallet nëpër Shqipëri për shkak se , për t’u dukur sa më popullor e intim me këdo që takonte pa dallim, i thoshte “Si je lal’”) me një makineri propagande të kontrolluar me rreptësi dhe kujdes të jashtëzakonshëm deri më sot ka bërë që të mos merret njeri me humnerën që pa prodhuar pas fasadës.

SEPSE PUSHTETI VENDOR NUK ËSHTË BOJË E ZIFT!

Po vijnë gurë nga gjithë Shqipëria për sheshin Skënderbej. Po vijnë pemë e shkurre nga anekënd mëmëdheut për në atë shesh… Po kujt po i plas shumë? Se mos e ka të shkruar në ballë guri që vjen – ta zemë – nga guroret e Taulantit në Librazhd a nga tjetërkund. Kush ka pyetur ndonjëherë se ku po shkel kur kalon në një rrugë a shesh të vendit tonë apo të botës? Natyrisht që këto fishekzjarret  hidhen që të mos bjerë në sy shpenzimi prej miliona eurosh, ndërkohë që bashkia e Tiranës nuk është as ai shesh as qyteti i Tiranës, por një popullsi gati milionëshe nga malësitë pas Dajtit deri në Pezë, nga Elbasani në Fushë Krujë, me Kombinatin qytet më vete, Laprakën po ashtu, dhe gjithë zhvillimin e ndryshimet që kanë pësuar rrethinat si Farka, Kashari etj.

Tirana është një nga qytetet më të ndotura në Shqipëri. Pluhur, mungesë pastërtie dhe probleme me plehrat, tym e gazra e ajër me cilësi të dobët, për të cilat alternativa e Lalit është…të heqim makinat! Në në një metropol, në mijëvjeçarin e tretë pas Krishtit , një kryetar bashkie, pa asnjë alternativë tjetër veç arbitraritetit, lufton të shkurajojë qytetarët që të përdorin makinë!?

Transportin publik, që vetvetiu do ta kish zbrazur vetvetiu Tiranën nga veturat, e ka për faqe të zezë. Po ashtu, biçikletat , përveç fasadës me ca copa korsish aty – këtu, nuk kanë infrastrukturë për të qenë i motivuar njeriu të dalë me të.

Tirana ka tre sisteme ujësjellësi dhe tiranasit vuajnë për ujë. Sistemi i parë është ai i ndërtuar nga diktatura shtatëdhjetë e ca vite më parë, i çarë e çpuar për qejf nga shqiptarët në çerek shekullin e fundit . Çdo pallat, shtëpi, qendër biznesi e re që është çelur, është shoqëruar me hapje grope, çarje tubacioni, ngjitje bërrylash dhe mbulim me dhe. Sistemi i dytë  i ujësjellësit është ai që çdo familje pa përjashtim, ka bërë me shpenzimet e veta. Secili ka blerë ca metra tup, nga një pompë nga të paktën një depozitë zinku, të paktën 100 litërshe dhe këtë sistem e ka lidhur me sistemin e vjetër. Kur lëshohet uji në Selitë a Bovillë, pompat familjare vihen në lëvizje, duke shpenzuar miliona kilovat energji, e çojnë ujin përpjetë nëpër taraca , që pastaj ky ujë të rrjedhë lirshëm nëpër rubineta. Ndërsa sistemi i tretë është ai me bidonë që blihet në pazar, se ky i çesmës nuk pihet, për shkak se është i ndotur që në tubat antikë nën tokë deri tek depozitat e mbushura me llum. Ky kryetar bashkie që kemi nuk e ka një zgjidhje për këtë hall të madh.

Tirana nuk është as rrugët e as muret por njerëzit. Këtu lindin e rriten fëmijë, mësojnë e punojnë, vijnë e shkojnë nga gjithë vendi e bota njerëz, hanë e pijnë, bëjnë nevoja personale, sëmuren e vdesin. Për lehtësimin e këtij komuniteti dhe për zgjidhjen e këtyre halleve e ka shpikur njerëzimi modern kryetarin e bashkisë. Jo për të bërë “nga një punë çdo ditë”. Një mandat katërvjeçar ka 1460 ditë. Tirana ka njëmijë herë më shumë banorë. Mund të bësh edhe një punë të vetme në katër vjet, por që zgjidh për një periudhë shumë të gjatë një a disa halle të mëdha të komunitetit. Nëse në 4 vite do të kish vendosur të zgjidhte – ta zemë – problemin e ujit të pijshëm, për dekada me rradhë jeta e metropolit do të kish pësuar ndryshim cilësor e po ashtu edhe ekonomia e çdo familje, që llogaritet se vetëm me ujin e blerë në shishe harxhon mesatarisht 1500 lekë , përveç faturës që paguan për atë çka vjen në rrubinet.

Le të kthehemi edhe një herë tek njeriu-fasadë, fansi më i zellshëm i Edi Ramës. Sot që ai drejton bashkinë lejet e ndërtimit vazhdojnë kafshojnë çdo metër oborr e dhe të mbetur bosh, duke e futur edhe më thellë në kolaps këtë qytet i cili që tani ka humbur kuptimin si i tillë. Objektivi i vetëm i këtij njeriu është të presë me durim sa Edi t’i lirojë dikur vendin. Deri atëhere ka shumë bojë për të lyer e lustruar në rradhë të parë kryetarin e dashur e ç’mbetet edhe fasadat.

 

Marrë nga gazeta Drejt

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*