Katunarizimi i politikës. Si spermatozoidët të mëdhenjtë, me raki e pulë të vegjlit. Nga Koçi FOSI

Nuk është korrupsion shqiptar ai i tenderit. E kishin shpikur të tjerët para nesh, dhe më shumë se korrupsion, është formë vjedhjeje. Korrupsioni tipik është shishja e rakisë, pula, kaçilja me fiq dhe pyetja standart; “nga je e i kujt je, se dalim tanët”.

Sepse mendësia provinciale, edhe kur titullari ka qenë veshur me stof të shtrenjtë prej Kombinatit të Tekstileve Stalin, mbetej përmes “të bërit nder”. Bëj nder djalit të këtij e fute në shkollë, bëj nder atij e fute në punë, bëj nder tjetrit e sille nga Veriu pranë shtëpisë. E pastaj “pimë një gotë” se “më mirë një mik se një çiflik”. Ky korrupsion është i rrënjosur dhe për më tepër quhet normë.

Pas rënies së sistemit socialist në vitet ’90 shqiptarët adoptuan në çast teoritë “moderne”. Parja! S’ka as nënë as babë, po pare!! “Kafja” ishte në thelb po ajo pija e ngrohtë shoqëruar me konjak a fërrnet që mbyllte bisedat në rastet kur “bëhej nder”. Me këtë logjikë u krijuan partitë shqiptare të pluralizmit. Për të bërë përpara duhet se s’bën teser partia – u bë moto dhe morali i ri.

Por sot këto parti janë stërfryrë. Barka është e lodhur dhe e ngushtë për kaq shumë pasagjerë. Sa më shumë rritet partia aq më pak mbeten mundësi “për të kapur ndonjë gjë”. Sidomos tani , në kohën e “rilindjes”, këtë formulë e provuan mbi kurriz qindra mijë milintantë socialistë. Po aq demokratë po e ndjejnë se të njejtin fat do të kenë kur t’u vijë rradha. Atëhere?

Modeli i “raki – pulë – nder” u rikthye me LSI -në. Për të mbijetuar mes Shilës dhe Karibdës shqiptare Ilir Metës iu desh të ndërtojë me thonj e dhëmbë një forcë politike mbështetur pikërisht në njohjet dhe lidhjet personale, shoqërore, krushqi, krahina etj. Një mjeshtër i vërtetë i begenisjes, mbajtjes mend dhe “bërjes së ndereve” ky politikan ia doli të ndërtojë pikërisht imazhin e babaxhanit që të mbaron punë pa e çarë kokën se ç’je: i majtë a i djathtë. Vetëm bjeri derës. Vit pas viti elektorati i LSI – së është rritur në progresion gjeometrik dhe tendenca vazhdon…

….por në Shqipëri, hap njëri fast food, 10 të tjerë pas tij e kopjojnë. Hap dyqan kafshësh, vuuu- të tjerët. Një kopje e LSI – së është PDIU, e njohur si partia e çamëve. Ndryshe nga LSI këta formalisht u mblodhën rreth një ideje: Çështjes çame. Por në sjellje nuk i kanë lënë gjë partisë së Metës. Ishin në pushtet me Berishën, tani janë me Ramën, Bashkëqeverisin në disa nivele si në pushtet qëndror ashtu edhe nëpër bashki. Ose përndryshe, “kanë kuota”! Se pushteti në Shqipëri është bërë si ato lodrat për foshnja: vendos figurën dhe ngjyrën e duhur në kutinë e duhur. Ato që ka LSI, e di LSI se kë vendos. Ato që ka PDIU, e di PDIU se kë emëron.

Në këtë rrugë sot janë edhe PAA dhe mesa shihet edhe Lista Blushi e ndonjë tjetër që e ka mësuar mësimin. Elektorati i shastisur dhe i mërzitur nga dy të mëdhatë, është përherë në kërkim të një alternative tjetër. Po ashtu edhe anëtarësitë e zhgënjyera dhe të ndërgjegjësuara se gomari në dasëm thirret me mbajt ujë – siç thonë dibranët. Edhe militantët thirren nëpër fushata me mbajt peshën e fushatës dhe pastaj të zgjedhurit i mbajnë katër vjet me gajret.

Ndërsa në partitë e rangut të dytë, që përmenden, ka më shumë “kuota” për shkak se ka më pak njerëz. Prandaj po firojnë përditë të mëdhatë (sidomos PD). Si tek Sudja e Gjallica. Kush i futi i pari paratë – fitoi. Ata që ikin , shkojnë me aksionet personale. “Unë kam 200 vota në….!” “Unë kam 500 vota të sigurta në….” dhe zenë rradhën në rreshtin më të vogël se tek partia mëmë.

Ku erdhëm?

Te pula , rakia dhe “i kujt je”? Te korrupsioni tradicional provincial yni për të punuar me “tanët”, për të bërë ndere e marrë mbrapsh nderet, pa pikën e parimit dhe ideologjisë. Jo më ndryshe funksionon tek PD e PS ë! Edhe këtu në thelb është i njejti model, por jo me të njohur. Këtu është me nivel shërbimi dhe nënshtrimi ndaj kryetarëve. Njëlloj si tek mbetja shtatëzënë, janë qindra mijë spermatozoidë që garojnë kush e kush kap i pari kryetarin, por më i shkathti do ta ketë atë fat.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*