Keqpërdorimi i fëmijëve të sëmurë nga Saimir Tahiri. Nga Koli NOZI

Ka ca ditë që në ca media qarkullon një klip me logon e Ministrisë së Brendëshme i titulluar “Video sensibilizuese “ti je heroi im”. Video është realizuar mbi një përkthim të këngës “Heal the World” të Michael Jackson….Meqë jemi këtu; a i ka marrë të drejtat e përdorimit të kësaj kënge ministria e Tahirit? Sipas ligjeve shqiptare dhe ato ndërkombëtare, për çdo përdorim, transmetim, etj të drejtat i ka autori. Besojmë fort se këta i kanë marrë këto të drejta, si ent shtetëror që janë. Përndryshe do të qe një skandal i madh. Por pyetja tjetër është; SA I KANË PAGUAR? Dhe a ia ka vlejtur pagesa e të drejtave të autorit (gjithnjë nëse e ka bërë) në raport me fitimin?

Por nuk është kjo e mësipërmja e rëndësishmja në këtë muhabet. E rëndësishme është një shkelje tjetër shumë shumë më e madhe. Foton e këtij shkrimi e kemi marrë nga video e Ministrisë së Brendëshme. Janë fytyra të pambuluara fëmijësh! Kjo është e ndaluar. Nxjerrja me fytyrë e të miturve dhe identitetit të tyre në media është shkelje. Por nuk mjafton kjo. Në foto keni edhe emrin edhe moshën! Do më? KËTA FËMIJË IDENTIFIKOHEN SI ME NEVOJA TË VEÇANTA!!!

Edhe sikur të mos qenë të mitur, është kategorikisht e ndaluar të botohet kartela mjekësore apo problemi shëndetësor i dikujt. Shto këtu që ky “dikush” është edhe i mitur.

PËR FAT TË KEQ, ATA DHE PRINDËRIT E TYRE JANË KEQPËRDORUR!

Nëse në Policinë e Shtetit 200 prindër kanë fatin e keq të kenë fëmijë me nevoja të veçanta. Por këtë problem e kanë përballuar me dinjitet dhe sakrifica, pa lypur. Ndërsa “shefi” i tyre, Sajmiri, i ka nxjerrë me fytyrë…për të lypur!! PO PO!!! Për të krijuar dhembshuri.

Natyrisht, as për policët e as për kalamajtë e tyre. Kjo fushatë është propagandë për veten e tij, me iluzionin se dhembshuria masive për fëmijët e sëmurë do të kthehet në urim a bekim për të, si ministër. Nga e dimë ne këtë?

SEPSE NJË MINISTRI E BRENDËSHME KA SHUMË MË TEPËR MUNDËSI NDIHME SESA TË SHESË STEMA E SIMBOLE TË SAJ NË EMËR TË NDIHMËS SË FËMIJËVE TË SËMURË!

Tahiri për këtë aktivitet tha se “…bashkë me punonjësit e policisë dhe shumë partnerë po mundohemi të krijojmë një mundësi për t’ua bërë më të lehtë Vitin e Ri dhe patjetër shërimin” duke na dëshmuar se qeveria në të cilën ai militon është e dështuar në politikat shëndetësore, politikat sociale, politikat me të miturit dhe barazinë e drejtësinë sociale.

  • ka dështuar me politikat shëndetësore për shkak se kurimi, trajtimi dhe riaftësimi i të miturve, edhe me konventa ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria dhe me kushtetutë, është detyrë e shtetit dhe jo shitjes së stemave.
  • ka dështuar me politikat sociale për shkak se Vitin e Ri dhe nevojat e tjera, sidomos për këtë kategori të miturish dhe personash me nevoja të veçanta, sepse kurrë nuk hartoi një formulë për t’i ndihmuar me dinjitet e me racionalitet ata
  • ka dështuar në barazinë e sociale për shkak se, përveç 200 fëmijëve të policëve, ka edhe mijëra fëmijë të tjerë, prindërit e të cilëve ca kanë e ca s’kanë punë, ca kanë e ca s’kanë para e shtëpi e mundësi. Megjithë respektin për Policinë e Shtetit dhe aq më tepër për ata prindër që kanë plagë të tilla, fushata të këtij lloji o bëhen për të gjithë ose jo në mënyrë diskriminuese
  • ka dështuar në drejtësinë sociale dhe politikat me të miturit pasi, këta 200 që përdor Tahiri nuk kanë nevojë për një natë viti të ri. Nuk kanë nevojë as që shefi i babit a i mamit të dalë e të lypë lekë për t’i shëruar. Ata kanë nevojë që sipas ligjeve dhe të drejtave ndërkombëtare të kenë trajtimin, mjekimin dhe kurimin e përshtashëm me nevojat e tyre.

Nuk kemi të dhëna nëse prindërit që kanë ofruar fëmijët për këtë klip e kanë bërë me vullnet të lirë apo jo, por për shkak se aty shohim vetëm një dyzinë syresh, duket se shumica nuk e ka patur me qejf ta nxjerrë pazarit hallit dhe dhimbjen, e aq më pak ta bëjë objekt fushate të Tahirit.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*