Koço, Lulzim Basha, republika e re dhe përralla e rosakut të shëmtuar. Nga Armir SHKURTI

 

Papandehur ia behu lajmi për një takim në Rogner të kryetarit të Partisë Demokratike Basha me ish numrin dy të rilindjes Koço Kokëdhima. Në Rogner e Sheraton takimet “e fshehta” në fakt bëhen për të qenë publike e për të bërë lajm. Pyetja është se ç’iu desh Bashës ai lajm?

Dikujt ka dashur t’i nisë një mesazh. Mbase të gjithëve ne….

Basha ka hyrë në çadër me tezën e një republike të re. Edhe pse platformën përkatëse nuk e ka shtjelluar, por, nëmos qoftë demagogji si “rilindja” e Ramës, kjo do të thotë se, bashkë me politikat dhe praktikat e vjetra, do të dalë jashtë loje edhe klasa e vjetër. Takimi me Koçon në fakt është mesazh krejt i kundërt. Republikë e re me Koçot do të thotë të ndertosh vilën me qerpiçin e barrakes së vjetër.

Pas këtij takimi qarkulloi teza se “për të rrëzuar Ramën vlen çdo mjet dhe çdo individ”. Nëse qëllimi është të rrëzojmë Edi Ramën, PO, e saktë është! Mund të afrohen të gjithë: nga ashklat e rilindjes deri tek lobimet e oligarkisë dhe klanet e krimit të organizuar. Mjafton t’i premtosh diçka më shumë se ç’u ka dhënë Rama dhe të vijnë. Ama sërish pyes: Kjo është “republika e re”?

Duket se për ca pragmatistë në PD kjo është. Të vijmë në pushtet pa qameti u bëftë, se nuk shtyhen edhe 4 vite të tjera pa lekë, pa pozitë e pa tendera. Mirëpo, po qe puna për pragmatizëm, ka usta e usta. LSI dhe PDIU e kanë kthyer në art e profesion pragmatizmin politik , në mjet dhe qëllim të ekzistencës. Basha dhe PD është me shumë shumë vonesë.

Kur dëgjova “republikën e re” pata një shpresë se kryetari i ri po i gjen një mision të ri partisë së tij. PD lindi si front antikomunist dhe për një periudhë nuk qe keq në këtë pozicion. Por dikur ky mision mbaroi dhe nëse nuk rindërton ideologjinë, përkatësinë, bazën shoqërore dhe përfaqësimin, vështirë të mbetet influente në treg e të mos tretet, siç ndodhi me shumë simotra në Europën Lindore. Republika e re ngjau, me dashamirësinë maksimale për ta besuar, e ka një model: Dhjetorin 1990. Përmbysjen e një sistemi padrejtësie, hashashi, arbitrariteti, oligarkie dhe ndërtimin e një të riu, duke përjashtuar të gjitha praktikat që prodhuan korrupsionin dhe sistemin e deformuar të tranzicionit si dhe një pjesë të mirë të politikanëve, duke filluar që nga vetvetja, pra PD – ja.

Si bëhet?

E thjeshtë: ME MORAL!

….dhe këtu nis gjithë vështirësia. Ju kujtohet përralla e rosakut të shëmtuar? Ai ndjehej i tillë dhe si të tillë, të shëmtuar, e merrnin të gjithë, deri ditën kur u rrit dhe kuptoi se s’qe rosak por mjellmë. A është Basha “rosaku i shëmtuar” që do të dalë fillimisht mbi partinë e tij dhe më tej mbi gjithë sistemin për ta çmontuar dhe rindërtuar? Me shumë dashamirësi e besoj që po…deri ditën kur ti e sheh që i duhet të japë shfaqje me Koçot nëpër kafenetë e Tiranës…..

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*