Kombi shqiptar mbi të gjitha! Ka ardhur koha! Nga Flamur TAJARI

Nacionalizmi në shqipëri është herezi. E nxiu Enveri dhe e patën shumë më të lehtë këta që erdhën më pas. Me qëllim njësuan nacionalizmin, patriotizmin me shovinizmin. Po të thuash sot “jam nacionalist” perceptimi është : “jam shovinist”. Domethënë që ti je një krijesë mediokre, pa tru, që thjesht urren dikë. Jo vetëm nga tradita e Enverit kjo, por edhe me mbështetjen dhe buzëqeshjet diplomatike të Perëndimit që më shumë se Perëndim, politikanët tanë e kanë Perëndi!

E vërteta jonë është ndryshe. Ne, më shumë se kushdo tjetër të pakën në Europë kemi detyrë të risjellim në qendër të politikës KOMBIN dhe ÇËSHTJEN KOMBËTARE. Shqiptarët në Shqipëri janë vetëm një pjesë e kombit. Pjesa tjetër e shqiptarëve jeton në shtëpi të vet, në Kosovë, ku ca nga Serbia për 100 vjet e ca nga ndërkombëtarët që e qeverisin sot, po rrezikon të tjetrësojë në rradhë të parë …identitetin! Maqedonia, një shtet i andrruar, vrima e fundit e kavallit të Europës, ia ka dalë me sukses të shkombëtarizojë disa zona të rëndësishme të banuara prej shqiptarëve, si për shembull Ohrin. Politikat e këtij vendi kanë qenë dhe mbeten shoviniste. Dhe ia kanë dalë më së miri!

Të mos harrojmë se, në emër të së mirës, të vëllazërisë, një pjesë e mirë e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni janë deklaruar turq, për shkak të politikave të tilla të Turqisë dhe nga halli, me besimin se vëllai i madh do t’u dalë zot më shumë se mëmëdheu. Ndërsa në Greqi ka ndodhur prej dhunës. Arvanitasit nuk ndjehen më.

Ndërsa ne këtu, që nga koha e diktaturës ishim “internacionalistë”. Më pas u bëmë të parët globalistë!! Ne jemi flamurtarë kudo. Ama në një botë globale, një kokërr kripë siç jemi ne, tretemi nga vesa e parë, pale nga oqeani. Për fat të keq në këtë rend të ri botëror ne po shkojmë pa komb, pa atdhe, pa kulturë… Nga romët na dallon vetëm një gjë: ne kemi shtëpi, o me tapi o pa leje, por e kemi hë për hë një banesë fiske.

Mënyra se si na trajton sot Edi Rama me qehajenjtë e tij është parathënia e asaj që do të na ndodhë së shpejti, në një botë globale, ku ne s’kemi më as komb, as indentitet, as histori, as prona….

Nga zhvillimet më të fundit në planet, por edhe në Shqipëri, sot më shumë se kurrë janë kushtet për një a disa forca politike me program të qartë kombëtar e patriotik, që nis, nga ruajtja e mjedisit e territorit, tek krijimi i një tregu unik me Kosovën etj etj

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*