Komunistët e rilindur ia dolën të manipulojnë 8 dhjetorin. Nga Armir SHKURTI

Që rilindja e Ramës është rilindja e bolshevizmit dhe luftës së klasave, s’ka më nevojë për shkencë. Një dorë pinjollësh të ish nomenklaturës së kuqe sot kanë pushtetin politik, të cilin në 3 vjet e kanë përdorur për të konsoliduar një oligarki të strukturuar më së miri: pushtet që prodhon para, para që prodhojnë pushtet dhe krim që kontrollohet prej kësaj oligarkie dhe mbyll vrimat që mbeten.

Një hollësi thuaj e parëndësishme është kjo Dita e Rinisë. Nja 15 vjet më parë, një kryeministër -atëhere socialist – ditën kur shpërtheu revolta kundër regjimit, na e shpall …ditën e Rinisë! Duke bërë sofizëm me faktin se 10 mijë studentët e rrahur dhe gjakosur nga policia….detyrimisht ishin të rin! …na bëjnë lidhjen  idiote: studentët janë të rinj? Atëhere kjo është dita e rinisë! Ata që e bënë (Ilir Meta kryeministër dhe Edi Rama ministër i Kulturës) nuk janë idiotët. Ata që e gëlltitën (përjashto mua , që s’e kam përtypur e denoncuar në tv që orën e parë) PO! U bënë vite që dita e gjakut të studentëve, punëtorëve të Tiranës dhe antikomunistëve të kryeqytetit që u kafshuan nga qentë e policisë dhe policët-qen të diktaturës, …festohet! Festohet si Dita e Rinisë PËR TË MOHUAR, PËRMES HARRESËS, DITËN E REVOLTËS ANTIKOMUNISTE, DITËN E NISJES SË NGORDHJES SË DIKTATURËS SË PROLETARIATIT.

Liri -Demokraci dhe E duam Shqipërinë si gjithë Europën janë një ideal që pas 26 vjetësh nuk janë realizuar.

LIRIA?

Të parën që fitoi (mbase edhe të vetmen) ishte liria e shprehjes dhe mendimit. Sot mediat janë nën kontroll të pushtetit. Hallet dhe opinioni i publikut është zhdukur edhe formalisht nga çdo ekran. Me NISMËN e cave nga opozita është propozuar çensurë edhe ndaj rrjeteve sociale, gjë që nuk ndodh as në vende të konsideruara me standarte ndryshe nga ne në Afrikë dhe Azi.

DEMOKRACIA?

Para nja  muajsh e ca kryetari i opozitës na tha se e humbi Dibrën, një ndër bastjonet e PD, për shkak se Mafia, me hashash, ka korruptuar sistemin e ka blerë gjthçka, përfshi edhe votën. Pra sipas kryetarit të sotëm të opozitës, ai me bukë e Mafia me gur, ai me votë e Mafia me para, hashash, korrupsion, shantazh e pushtet politik do vendosë…demokracinë?

Me një marshim butaforik sot të rinjë e PD-së…festuan Ditën e Rinisë! Natyrisht me sllogane kundër qeverisë dhe kryeministrit, duke i dhënë imazhin gjithë botës se sa e lirë është kushdo në vend për të protestuar …por që nuk ka ndonjë kauzë për të qenë për të hedhur Ramën dhe rilindjen e tij. Veni , vidi, vici. Erdhën, panë e fituan të rinjtë demokratë, pa i çarë të paktën veshët pushtetit. Marshuan në festën e Rinisë, siç na detyronim ne në shkollë të marshonim në Festën e Pezëz a për ditën e Debatikut.

E DUAM SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA?

Natyrisht JO si Greqia e Papandreut apo Italia e Renzit. Në ato kohë “Europë” donte të thoshte liri. Liri mendimi si fillim. Pastaj liri ekonomike, liri politike, liri lëvizje, liri arsimi, drejtësi, dinitet njerëzor dhe shoqëror, kujdes për të varfërit dhe të pamundurit. “e gjithë Europa” donte të thoshte arsim cilësor si në La Sapienza e Sorbone, shëndetësi si në Austri e Gjermani, mirëqenie si në Zvicër, rend e drejtësi si në SHBA. JO “futje në Europë” , një vrapim çerekshekullor pas një karrote si gomari në lëmë.

Pas 26 vitesh, në “Ditën e Rinisë” sot jemi tragjikisht po aty. Shtetin e drejtojnë bijtë e famëkëqinjve të Bllokut. Ekonominë -falë kësaj politike – e ka në dorë grupi i përzgjedhur nga rilindja, duke u marrë me kulaç e kërbaç bizneset atyre që i ndërtuan vet këto vite, e duke çimentuar një oligarki të parathënë çerek shekulli më parë si “Katovica”. Me shkollën tonë s’vete dot në hale e jo në Europë. Drejtësia është “Lazarat” (në kuptimin e Mafias) thotë kryeministri. Pluralizmi është alienuar në një çift pushtet- opozitë ku votohet kryetari dhe kaq.

Për mos e zgjatur, po e mbyll me korrupsionin dhe kanabisin që na dallojnë në çdo raport ndërkombëtar e kthehemi te debati: Dita e Rinisë apo e Antikomunizmit?

Shumë “të rinj” të ’90-ësh u thyen. Ca u vranë, ca u trembën, ca u blenë, ca dështuan, të tjerë gjetën udhë të tjera në jetë për të rritur fëmijët. Në 26 vjet , të gjithë pushtetet u kujdesën që antikomunizmi të mos kapërxente retorikën. Komunistët konsoliduan pushtetin ekonomik e shkolluan jashtë fëmijët. Dosjet nuk u hapën kurrë ndërsa ish të përndjekurit, si të mjerët para mencave sociale, presin rradhën kur po marrin ndonjë dëmshpërblim….

Pra Për Shumë Vjet GËZUAR DITËN E RINISË, se pushteti i rilindur komunist, me fotot e Enverit, vazhdon feston me prepotencë 29 nëntorin , si fitore të komunistëve ndaj “tradhëtarëve e pulaxhinjve”.

Ditë të Antikomunizmit nuk ka në Shqipëri!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*