Koncerti në Vitin 1936 dhe ai i Shkëlzen Dolit në 2016. Nga prof.ass. dr Koçi FOSI

Po u përzje politika në këtë vend natyrisht që dhjet gjithçka. Një artist me emër shumë të mirë në botë u lye fund e krye me mut nga të ditur e paditur, dashakeqës e dashamirës, artistë e qoftexhinj. Pse? Vetëm se u përzje politika në një koncert që në fakt duhej të qe më së pakti kënaqësi.

Një ditë të bukur na poston Edi Rama një foto nga rradha e gjatë për të marrë biletat për atë që ai e quante “Koncerti i Vienës në Tiranë”. Ama e tha Edi Rama? Atëhere ky Shkëlzen Doli na qenkësh një batakçi, një spekulant, një i paaftë, një mashtrues e shto vet ç’të duash e prapë mangut del , se fantazia e fejspabuksave nuk njeh limit.

Nuk po shtoj këtu djallëzinë e njerëzve të artit që kanë mbetur në Shqipëri për t’i lëshuar ata në rresht të parë kovën me mut, duke u përpjekur sa më shumë të fshehin dorën. Kjo nuk është e panjohur në botën e artit, ama i bën të duken shumë të vegjël ata që s’bënë dot emër në art, e quajnë veten artistë dhe sulmojnë të parët një artist me famë ndërkombëtare.

Po vazhdoj me politikën. “Është bileta e shtrenjtë!” Qaheshin ca. Po ti po shkon të tallava mor bythmut e po le leshtë! Se mos ta vuri taksë njeri 50 mijë lekëshin e koncertit e je i detyruar ta paguash? Ti po shkon në stadium, në diell e në shi, dhe paguan po aq, nëmos edhe shumë më tepër e po qahesh për çmimin e një bilete që as e ke blerë por edhe me ta fal, nuk ke për të shkuar në atë koncert, sepse që të shkosh deri aty duhet një edukim shumë i hollë artistik, kulturë e gjerë, shije, klas e të tjera gjëra që këtu ngjajnë si kinezçe. Shkoni e shihni sallën e TKOB kur ka balet klasik, opera a koncerte sinfonike për të kuptuar këtë “elitë të lënduar” nga bileta 5 mijë lekëshe (të reja) të një elite muzikore të kontinentit.

Simetrike është edhe nga ana tjetër , ej! Figura të njohura e anonime të rilindjes botonin foto nga ekrani i televizorit me komente; “magjike!” “e jashtëzakonshme” e të tjera superlativa si këto.

Jeta artistike e Tiranës është e mjerë , jo e varfër. Përtej vijës së verdhë as që njihet fare. Strip tease, dasma me bokse gjigande e volum shurdhues, anonimë që nisin karierën klubeve me raki e përfundojnë si VIP -a për shkak të kostos së ulët që kanë…. kjo është muzika. Baleti? ….ça është ky? Teatri? – me projekte! Ku u edukua ky publik, që të mirëpresë një koncert si i Dolit dhe artistëve të Vienës? ….më kujtohet me dhimbje ai prefekti tek Koncert në Vitin 1936 që thoshte në baltërat e Myzeqesë “kam qenë në Skala e kam parë opera me sy”.

“Shkuan për pordhë shqiptarët” – gjykonin ata pa brekë në bythë me xhelozi kot, pa e ditur kush shkoi, por thjesht për ta hedhur edhe këta një kovë mut , meqë u erdhi dita. Natyrisht që për pordhë shkohet në koncerte të tilla! Sot edhe më fukarai ka një android me kufje dhe e dëgjon kur të dojë e si ta dojë muzikën. Kështuqë këto koncerte – përfshi edhe atë origjinalin e Vienës – ekzakt për pordhë bëhen! Ai që shkon, nuk niset nga Singapori në Austri, zbret nga avioni me pulovër leshi thurur nga nëna, e blen dy byreqe, hyn në koncert të Vienës, del nga koncerti pasi ka bërë 10 selfie, merr avionin e rradhës e të nesërmen është në punë në Singapor. Jo!!! Jo joooo!!! I ka të ndara bota klasat. Kjo klasë vjen në kryeqytetin e Austrisë për të kaluar një vit të ri mondan, për të paguar shtrenjtë, për të shijuar në maksimum privilegjet që i jep pasuria dhe statusi social. Koncerti është një pjesë e kësaj performance e atyre që janë elitë, që aspirojnë të bëhen elitë, që kanë rrënjë aristokratike e kështu me rradhë. Pra natyrisht që për pordhë shkuan edhe këtu!

“Po populli vuan për bukë e këta shpenzojnë para për Koncertin…e tarnani e tarnana” – vazhdon logjika bolshevike e ca të tjerëve që mendojnë se po bëjnë qytetari…për të mos thënë opozitë! Mos more!! Domethënë , deri ditën që çdo shqiptar të ketë bukë sa të nginjet, rroba për të veshur, ilaçe për t’u kuruar bollshëm, ne jemi në zi, apo jo? As i kong, as i valle vetëm pun’ – ka qenë një skeç i Fadil Hasës. Në ka një gjë që i duhet këtij populli – për të mos thënë kombi – edhe përpara bukës, është arsimi, kultura, arti. Është rilindja shpirtërore para tasit me supë. Është dija përballë kësaj injorance që mbjellë sistematikisht, është muzika përballë bythëve e cicave që tunden skenave e ekraneve, është Otello, Makbethi, Jul Çezari, Hamleti para monologjeve të Edvinit, Saliut e të tjerëve si ata. Dhe këtu më vjen shprehja tjetër e Koncertit në Vitin 1936; “Në Paris, merr vesht, i blejnë lulet me para, këtu i hanë gomerët”

Pra e dhjenë, si përfundim. Nuk di ç’i ndodhi Shkëlzen Dolit dhe nuk e njoh për të thënë në i ka ndjekur apo jo ç’janë thënë për të, në i intereson apo jo ç’thonë apo si e thonë për të. Por në vend të tij, do të vija sërish mot , duke diktuar një biletë dhjetfish më të shtrenjtë, në një sallë më të vogël, duke shkruar në biletë; Politikanë, katunarë dhe pabuksa: JASHTË NGA KONCERTI IM!

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*